Bota 3 Mars 2025, 12:41 Nga VNA

Zelensky: Është e mundur të riparohen marrëdhëniet me SHBA - të nënshkruhet marrëveshja për mineralet

Ndaje në Whatsapp
Zelensky: Është e mundur të riparohen marrëdhëniet me

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të dielën se vendi i tij është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet e rralla me Shtetet e Bashkuara dhe se beson që mund të shpëtojë marrëdhëniet me Presidentin amerikan Donald Trump.

Në një konferencë për shtypin pas një takimi të udhëheqësve evropianë në Britani, zoti Zelensky tha se mendon që Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithashtu të gatshme të nënshkruajnë marrëveshjen e mineraleve, por mund të "duhet kohë për të analizuar disa gjëra".

Të dyja palët pritej të nënshkruanin një marrëveshje javën e kaluar gjatë një vizite të zotit Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, por marrëveshja u prish pas shkëmbimeve të ashpra gjatë një takimi me Presidentin Trump dhe nënpresidentin JD Vance.

Presidenti Zelensky tha të dielën se Ukraina mbështetet në ndihmën e Shteteve të Bashkuara në luftën e saj kundër Rusisë.

"Unë mendoj se ndalimi i një ndihme të tillë vetëm do të ndihmojë (Presidentin rus Vladimir) Putin", tha zoti Zelensky. “Dhe për shkak të kësaj, unë mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësuesit e botës së qytetëruar, udhëheqësit e kësaj bote, definitivisht nuk do ta ndihmojnë Putinin”.

Presidenti Trump e quajti zotin Zelensky mosmirënjohës gjatë takimit të tyre të së premtes dhe ka kërkuar marrëveshjen për mineralet si një mënyrë për të rimbursuar Shtetet e Bashkuara për miliarda dollarë ndihma që i kanë dhënë Ukrainës.

Presidenti Trump ka theksuar nevojën për t'i dhënë fund luftës dhe ka zhvilluar një bisedë telefonike me Vladimir Putinin, përveç zyrtarëve të lartë amerikanë që u takuan me zyrtarët rusë në Arabinë Saudite, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme paqeje, pa përfshirë zyrtarë ukrainas në bisedime.

“Ne duhet të shpenzojmë më pak kohë duke u shqetësuar për Putinin dhe më shumë kohë duke u shqetësuar për bandat e emigrantëve përdhunues, bosët e drogës, vrasësit dhe njerëzit nga institucionet mendore që hyjnë në vendin tonë, në mënyrë që të mos përfundojmë si Evropa!”, shkroi Presidenti Trump të dielën në platformën e tij “Truth Social”.

Kjo pasoi bisedimet e së dielës në Londër, gjatë të cilave Kryeministri britanik Keir Starmer u tha 18 aleatëve se me Shtetet e Bashkuara të lëkundura në mbështetjen e tyre për Ukrainën, Evropa e gjen veten "në një udhëkryq historik”.

"Ky nuk është një çast për më shumë biseda - është koha për të vepruar. Është koha për t’u ngritur, udhëhequr dhe bashkuar rreth një plani të ri për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", tha Kryeministri Starmer.

Udhëheqësi britanik tha se pa një garanci për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara për të vepruar si një mbështetje për forcat e mundshme paqeruajtëse, "Evropa duhet të marrë përsipër barrën e rëndë" për të siguruar paqen në Ukrainë. Ai tha se kishte një "koalicion të të vullnetshmëve" të gatshëm për të ndihmuar në mbrojtjen e çfarëdo armëpushimi.

Ndërkohë, këshilltari i Presidentit Tump për sigurinë kombëtare, Michael Waltz, duke folur për zotin Zelensky i tha emisionit "State of the Union" të rrjetit CNN të dielën se “ajo që nuk ishte e qartë për ne ishte nëse ai ndante qëllimin tonë për t'i dhënë fund kësaj lufte. Nuk ishte e qartë se ai ishte gati të shkonte drejt paqes”.

Ndryshe nga Uashingtoni, zoti Zelensky u prit ngrohtësisht në takimin Londrës nga shumë prej udhëheqësve të shteteve evropiane, së bashku me kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe shefin e NATO-s Mark Rutte. Mbështetësit e zotit Zelensky u mblodhën jashtë rezidencës së zotit Starmer në mbështetje të Ukrainës.

Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen paralajmëroi se “ne duhet urgjentisht të riarmatosim Evropën" dhe "të përgatitemi për më të keqen" në kontinent.

Kryeministri polak Donald Tusk, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Evropës që të "flasin me një zë" për t'i treguar presidentit rus Vladimir Putin "se Perëndimi nuk ka ndërmend të kapitullojë para shantazhit dhe agresionit të tij".

Të dielën zoti Zelenskyy u takua me mbretin Charles në rezidencën e tij private në Sandringham.

Kremlini tha të dielën se ndryshimi dramatik i qasjes së Shteteve të Bashkuara ndaj politikës së jashtme të Evropës ndaj Rusisë, është kryesisht në përputhje me pikëpamjen e Moskës.

"Administrata e re po ndryshon me shpejtësi të gjitha konfigurimet e politikës së jashtme. Kjo përkon kryesisht me pikëvështrimin tonë", tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një intervistë me televizionin shtetëror rus, që u regjistrua të mërkurën e kaluar.

Asnjë negociatë paqeje nuk është planifikuar.

Këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Michael Waltz, tha se përfundimisht Rusia dhe Ukraina do të duhet të bëjnë lëshime negociuese për të arritur një marrëveshje paqeje. "Do të ketë nga të gjitha llojet e karotave dhe shkopinjve për ta bërë këtë", tha ai.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, theksoi gjithashtu rëndësinë që të dyja palët të ulen në tryezën e bisedimeve.

"Ne po përpiqemi t'i japim fund luftës”, tha sekretari Rubio. "Ju nuk mund t'i jepni fund një lufte nëse të dyja palët nuk ulen në tryezë, duke filluar nga rusët. Dhe kjo është çështja ku e ka vënë theksin presidenti”.

Kryeministri Starmer tha se Britania, Franca dhe Ukraina kanë rënë dakord të punojnë për një plan armëpushimi për t'ia paraqitur Shteteve të Bashkuara. Disa vende evropiane kanë thënë se janë të gatshëm të dërgojnë trupa paqeruajtëse në Ukrainë për të ndihmuar në zbatimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje, por kanë nevojë që Shtetet e Bashkuara të sigurojnë mbështetje ushtarake rezervë për t'u përballur me Rusinë, në rast se Putini bie dakord për një armëpushim dhe më pas e shkel atë ose fillon një agresion të ri.

Presidenti Trump ka refuzuar ofrimin e një mbështetjeje të tillë nga Shtetet e Bashkuara dhe tha se i beson Putinit se do të respektojë çdo zgjidhje për të cilën ai pajtohet.

Kryeministri Starmer tha se ai nuk i beson Putinit, por i beson Presidentit Trump.

“A i besoj Donald Trumpit kur thotë se dëshiron paqe të qëndrueshme? Përgjigja për këtë është po”, tha ai.

Zoti Starmer tha se ka "diskutime të ngjeshura” për një garanci sigurie nga SHBA-ja si një nga disa komponentët për një paqe të qëndrueshme.

“Nëse do të ketë një marrëveshje, nëse do të ketë një ndalim të luftimeve, atëherë ajo marrëveshje duhet të mbrohet, sepse më e keqja nga të gjitha rezultatet është një pauzë e përkohshme dhe pastaj Putini vepron sërish”, tha Kryeministri Starmer. “Kjo ka ndodhur në të kaluarën, mendoj se është një rrezik real dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të sigurohemi që nëse ka një marrëveshje, ajo të jetë e qëndrueshme, jo një pauzë e përkohshme”./ VOA

*Disa pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

Video

Itali/ Gjashtë të plagosur, mes tyre edhe një vajzë e vogël, dhe njëqind persona të bllokuar. Ky është bilanci dramatik i aksidentit që ndodhi në impiantin e teleferikut të Macugnaga-s, në zonën Verbano-Cusio-Ossola në Piemonte. Ngjarja ndodhi në stacionin e sipërm të Monte Moro-s, në rreth 2.800 metra lartësi, pasi kabina dyshohet se ka mbërritur me shpejtësi të tepërt në stacionin e mbërritjes. https://www.vna.al/bota/itali-aksident-ne-teleferikun-e-monte-moro-ne-macugnaga-tre-te-plagosur-dhe-i18416

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku një person është gjetur i djegur plotësisht në një ambient të përshtatur si banesë, në katin e parë të këtij pallati. Rrethanat e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta. Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse është bërë pasi banorët e pallatit kanë sinjalizuar praninë e erës së djegies dhe tymit. Zjarrfikësit kanë hapur me forcë qepenin e ambientit, ku kanë gjetur një person te moshuar mashkull pa shenja jete.

Rama e ngre per vajzat dhe gratë e PS...

Aksident në afërsi të zonës së leshpunueses në Korçë. Mësohet se një mjet është përplasur me një motor. Drejtuesi i motorit është dërguar në spital ku po merr ndihmë mjekësore dhe raportohet se është jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndodhet policia që po bën zbardhjen e rrethanave.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme