Bota 3 March 2025, 00:04 Nga VNA

NATO vazhdon patrullimin në Detin Baltik pas këputjes së kabllove

Ndaje në Whatsapp
NATO vazhdon patrullimin në Detin Baltik pas këputjes së kabllove

Pas disa incidenteve që përfshinin dëmtimin e kabllove nënujore në Detin Baltik, përfshirë incidentin e fundit për të cilin Suedia filloi hetimet, NATO krijoi një program për të monitoruar këto tubacione jetike të linjave të komunikimit nënujor dhe të energjisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Vladislavs Andrejevs bisedoi me ushtarakët e një anijeje të NATO-s që patrullon në Gjirin e Finlandës.

Luftanijet estoneze deri vonë shpenzonin pjesën më të madhe të kohës për mbrojtjen e kufirit, duke kërkuar për mina të rastësishme në fundin e Detit Baltik dhe duke kryer operacione shpëtimi. Por këto ditë – pasi një numër jashtëzakonisht i lartë i kabllove nënujore janë dëmtuar – marina ka një mision të ri – mbrojtjen e infrastrukturës detare.

“Këtu shohim të gjitha anijet rreth nesh dhe të gjitha informacionet rreth tyre. // Ky, për shembull, është një objekt miqësor”, thotë një prej marinarëve ndërsa tregon radarët.

Që nga fillimi i vitit 2025, ekuipazhi i kësaj luftanijeje mina-kërkuese ka marrë pjesë në operacionet e NATO-s që synojnë mbrojtjen e Detit Baltik. Zona e tyre e përgjegjësisë shtrihet nga porti i Talinit deri në mesin e Gjirit të Finlandës, rreth dy orë kohë lundrimi.

“Që nga incidenti me kabllot, marina e Estonisë ka caktuar tre anije - njëra prej tyre është anija jonë, Sarkala. Ajo që po bëjmë këtu është patrullimi i zonës, monitorimi i të gjithë trafikut që shkon në perëndim dhe në lindje, në të dyja drejtimet”, thotë Meelis Kants, komandant i luftëanijes “Sarkala”.

Pikërisht në këto ujëra u dëmtua në dhjetor 2024 kablli energjetik Estlink-2 që lidh Estoninë dhe Finlandën. Tani është detyra e marinës estoneze të mbrojë kabllin e dytë që gjendet në shtratin e detit në Gjirin e Finlandës.

"Nëse diçka është e dyshimtë, u afrohemi anijeve dhe gjithashtu i kontaktojmë anijet nëse është e nevojshme", thotë komandanti Kants.

Gjatë javëve të fundit, mbi 10 kabllo nënujore janë dëmtuar në Detin Baltik. Ndërsa nuk ka asnjë provë përfundimtare sabotimi, disa marinarë thonë se dyshojnë që një spirancë e rënë aksidentalisht të ketë kapur kabllot në shtratin e detit.

Zyrtarët ushtarakë estonezë thonë se ka hetime aktive për mundësinë e sabotimit.

“Kabllot u këputën duke tërhequr spirancat. Anijet tregtare civile kanë qenë duke lundruar dhe kanë lëshuar spirancën. Pyetja është - a u bë qëllimisht apo ishte një aksident? Hetimet janë në vazhdim, hetime penale për të gjitha ato ngjarje”, thotë marinari Johan-Elias Seljamaa.

Gjatë patrullimit, marina estoneze – së bashku me marinën finlandeze – organizojnë stërvitje të vogla ushtarake. Për këta marinarë me përvojë kjo ofron një stërvitje shtesë, edhe pse ndërkohë përmbushin detyrën më serioze të vëzhgimit të këtyre tubacioneve jetike që lidhin vendet nordike me vendet baltike./VOA

Video

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

14 shtator 1998. Ceremonia mortore e Azem Hajdarit dhe ajo që ndodhi më pas… VideoCredits: FM Images Albania

Një avion privat që transportonte këngëtarin brazilian Rey Vaqueiro dhe pjesëtarë të ekipit të tij doli nga pista dhe u përfshi nga flakët gjatë uljes në Parelhas, në shtetin Rio Grande do Norte të Brazilit. Në bordin e avionit ndodheshin tetë persona, gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë arritën të largoheshin nga avioni pas aksidentit dhe u dërguan në spitalin e Parelhas për kontroll mjekësor. Autoritetet nuk raportuan të lënduar rëndë. Sipas zjarrfikësve, avioni doli përtej kufirit të pistës gjatë uljes dhe më pas u përfshi nga zjarri. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, dy turbinat ishin ende në flakë. Operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit dhe ftohjen e turbinave zgjati rreth pesë orë.

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme