
Në shumë mënyra, nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për një afrikan. Që nga viti 1960, jetëgjatësia mesatare është rritur me më shumë se gjysmën, nga 41 në 64 vjet.
Numri i fëmijëve që vdesin para se të mbushin pesë vjeç ka rënë me tre të katërtat. Përqindja e të rinjve afrikanë që ndjekin universitetin është nëntëfishuar që nga viti 1970.
Kultura afrikane po njihet në mbarë botën. Në vitet 2020, autorët afrikanë kanë fituar çmimet Booker, Prix Goncourt dhe çmimin Nobel për letërsinë. Këtë vit, G20 do të mbajë samitin e parë në këtë kontinent, në Afrikën e Jugut.
Gjithë ky përparim tregon se kontinentin më të ri në botë e pret një e ardhme premtuese.
Popullsia e përgjithshme e 54 shteteve të Afrikës është dyfishuar në 30 vjet, duke arritur në 1.5 miliardë njerëz. OKB-ja parashikon se ajo do të dyfishohet përsëri deri në vitin 2070.
Shumica e rritjes së popullsisë që pritet në botë gjatë pjesës tjetër të shekullit XXI do të ndodhë në Afrikë.
Brezi i ri tashmë po lë gjurmë. Partitë e vjetra politike, që i kanë rrënjët që nga koha e marrjes së pavarësive në shekullin XX, po humbasin mbështetjen mes brezit të ri, më të arsimuar dhe më të lidhur me internetin.Në dekadën e fundit, rreth 30 deputetë në detyrë kanë humbur zgjedhjet e përgjithshme.
Demografia, urbanizimi, politika dhe teknologjitë e konsumit, tregojnë se kontinenti po kalon një ndryshim të thellë shoqëror. Por ky ndryshim nuk po shoqërohet me një shndërrim të ngjashëm nga ana ekonomike.
Në të vërtetë, ekonomitë afrikane po mbeten gjithnjë e më mbrapa pjesës tjetër të botës. Në vitin 1960, PBB-ja për frymë në Afrikë, e përshtatur me kostot e ndryshme të mallrave në shtete të ndryshme (e ashtuquajtur Barazia e Fuqisë Blerëse, ose PPP), ishte sa gjysma e mesatares në pjesën tjetër të botës.
Sot, është sa rreth një e katërta. Asokohe rajoni ishte afërsisht në të njëjtin nivel me Azinë Lindore.
Sot aziatikët lindorë kanë të ardhura mesatare shtatë herë më të larta se banorët e Afrikës Nënsahariane.
Ky hendek që po rritet midis Afrikës dhe pjesës tjetër të botës, në një grafik, i përngjan “nofullave të një krokodili që po hap gojën”, thotë Jakkie Cilliers nga Instituti për Studime të Sigurisë, në Afrikën e Jugut.
Njëra vijë ngrihet lart, ndërsa tjetra qëndron pothuajse e sheshtë.
Për sa u përket çështjeve të mëdha të shekullit XXI, fakti që afrikanët po bëhen më të varfër ndërsa po kontribuojnë më shumë në rritjen e popullsisë së botës, është një problem po aq madhor sa ndryshimet klimatike dhe rreziku i një lufte bërthamore.
Sipas prirjeve të tanishme, afrikanët do të përbëjnë mbi 80% të të varfërve në botë deri në vitin 2030, nga 14% në vitin 1990.
Megjithëse kontinenti dukej se kishte pasur një fillim mjaft premtues me nisjen e shekullit XXI, rritja e tij ishte jetëshkurtër dhe relativisht e dobët.
Edhe në kohërat e arta të Afrikës në vitet 2000-14, kur PBB-ja reale për frymë po rritej me 2.4% në vit, rajonet e tjera në zhvillim po rriteshin më shumë se dy herë më shpejt dhe po krijonin më shumë vende pune.
Që atëherë, të ardhurat për frymë kanë ngecur në vend. Banka Botërore ka konstatuar “një dekadë kotësie në ecurinë ekonomike” të Afrikës Nënsahariane.
Kjo po rrit shqetësimet se Afrika mund të ketë humbur vrullin. Në vitet 2000, ekonomitë afrikane u nxitën nga kërkesa kineze për mallra dhe nga rritja e globalizimit. Faljet e borxhit në mesin e viteve 2000, u mundësuan qeverive afrikane të shpenzonin më shumë për shkollat dhe infrastrukturën dhe të merrnin hua më lehtë.
Sigurisht, jo të gjitha mundësitë e asaj kohe u shpërdoruan. Abebe Selassie, kreu i departamentit afrikan të FMN-së, u kujton analistëve që vënë shpesh theksin mbi krizat e fundit të Afrikës, se megjithëse këto mund të jenë kohë të vështira, kontinenti është në një gjendje shumë më të mirë sesa në fillim të viteve 1990.
“Nëse dikush do të më kishte thënë asokohe se Accra, Kampala dhe Addis, 30 vjet më vonë do të dukeshin si sot, do të kisha menduar se kishin pirë diçka shumë më të fortë se një kafe etiopiane”, tha ai në një fjalim në korrik.
Dhe rajoni ka pasur vërtet disa histori suksesi të qëndrueshëm. Për shembull, gjatë 60 viteve të fundit, Botsvana, Mauritius dhe Seychelles janë rritur me shpejtësi, duke ruajtur ritmin e rritjes së PBB-së për frymë në të njëjtin nivel me mesataren e botës.
Kohët e fundit, vende si Bregu i Fildishtë, Etiopia dhe Ruanda kanë shënuar rritje ekonomike mbresëlënëse.
Ama, ato kanë qenë më shumë përjashtime sesa një dukuri e zakonshme në kontinent. Dhe ekonomitë më të mëdha, si Egjipti, Nigeria dhe Afrika e Jugut, kanë qenë veçanërisht të ngadalta. Edhe përpara goditjes së Covid-19 dhe luftës në Ukrainë, kishte tituj të shumtë artikujsh, të llojit: “A e ka humbur Afrika vrullin?”
Në pjesën më të madhe të Afrikës, shumica e njerëzve janë të varfër dhe rritja e produktivitetit mbetet e ngadaltë.
Për sa kohë që kjo gjendje do të vazhdojë, popullsia e re nuk do të jetë në gjendje të bëhet forca për ndryshim që i nevojitet kontinentit. “Ne duhet të krijojmë vende pune për të rinjtë tanë”, thotë Mavis Owusu-Gyamfi, presidentja e Qendrës Afrikane për Shndërrimin Ekonomik.
“Ata nuk mund të vazhdojnë të etiketohen si një ‘potencial i pashfrytëzuar’”. Sir Mo Ibrahim, biznesmen sudanezo-britanik, shton: “Pritshmëritë e paplotësuara, veçanërisht për të rinjtë, nxisin zhgënjimin dhe zemërimin, që janë shkaktarët kryesorë të trazirave dhe konflikteve”.
Ekonomitë në rritje nuk janë të mira vetëm për qetësinë qytetare; ato janë gjithashtu jetike për t’u bërë ballë ndryshimeve klimatike.
Komisioni Ekonomik i OKB-së për Afrikën thotë se 17 nga 20 vendet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike ndodhen pikërisht në Afrikë. Në vitin 2024, thatësirat dhe përmbytjet nga dukuria natyrore El Niño, treguan se sa të cenueshme janë fermerët ndaj motit të skajshëm.
Përmbytjet shpërngulën 4 milionë njerëz dhe mbyllën mijëra shkolla. Organizata Botërore Meteorologjike, një agjenci e OKB-së, ka vlerësuar se vendet afrikane shpenzojnë deri në 9% të buxheteve të tyre për t’u përballur me goditje të tilla.
Nëse temperatura globale rritet më shumë se 2°C mbi nivelin e shekullit XIX, të ardhurat e të korrave afrikane mund të bien me 30%, sipas një studimi të fundit nga Philip Kofi Adom për Qendrën për Zhvillim Global, institut kërkimor me seli në Uashington DC.
Por themelet që do të nevojiteshin për një rritje të tillë janë të dobëta.
FMN-ja thotë se rreth gjysma e vendeve në Afrikë po përjetojnë “çrregullime të larta makroekonomike”, me të cilat nënkuptohet: inflacioni në nivelin 50% ose më i lartë; një deficit i madh fiskal; kostot e shlyerjes së borxhit prej 20% ose më shumë të të ardhurave të qeverisë; dhe rezerva valutore që mund të mbulojnë vetëm tre muaj importe.
Financat po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u baraspeshuar. Huamarrja në dollarë në tregjet e kapitalit është më e shtrenjtë se në vitet 2010. Flukset e Investimeve të Huaja Direkte kanë rënë me rreth një të tretën që nga viti 2021. Në vitin 2023, kredia kineze për Afrikën ishte 4.6 miliardë dollarë. Ndihmat perëndimore në Afrikë po pakësohen.
Ka edhe arsye të tjera për t’u shqetësuar. Tensionet gjeopolitike kanë arritur nivelin më të lartë që nga koha e Luftës së Ftohtë dhe FMN-ja thotë se Afrika Nënsahariane është rajoni që do të goditet më rëndë nëse bota ndahet në blloqe të veçanta tregtare.
Disa politikanë shqetësohen gjithashtu se rritja e automatizimit do ta bëjë më të vështirë tërheqjen e llojit të prodhimit që nxiti ngritjen e Azisë.
Nëse nuk merren masa, hendeku midis Afrikës dhe pjesës tjetër të botës nuk do të mbyllet. Vendet afrikane kanë nevojë për nivele shumë më të mëdha investimesh nga afrikanët dhe të huajt.
Shumica kanë nevojë për sektorë privatë më të mëdhenj, më dinamikë, ferma më produktive dhe qeverisje më efektive.
Ata kanë nevojë për sigurim më të mirë të të mirave publike dhe më pak korrupsion. Vetëm atëherë mund të presin një rritje të produktivitetit dhe shndërrim ekonomik si gjetiu në botën në zhvillim.
Që kjo të ndodhë, qeveritarët afrikanë duhet të duan që të ndodhë. Deri tani, kjo nuk është vënë re. Elitat afrikane shpesh janë të vetëkënaqura për të ardhmen e kontinentit.
Ka disa përjashtime, por në pjesën më të madhe, lidershipi politik është tejet mediokër. Sipërmarrësit afrikanë pengohen nga ndërhyrja politike, kështu që nuk mund të jenë krijues.
Kjo mund të çojë në një pasurim të ndërsjellë të politikanëve dhe elitës së biznesit dhe një kënaqësi me status quo-në. Por biznesi dhe politika nuk po sjellin përfitime për afrikanët e zakonshëm dhe po shkatërrojnë perspektivat e të rinjve./MONITOR