Lamine Yamal ka zbuluar se pasioni për futbollin dhe jo paratë apo statistikat janë motivimi kryesor që e shtyn të luajë. Ylli i Barcelonës, në një intervistë për “The Guardian”, ka folur për mënyrën se si e përjeton futbollin dhe për kënaqësinë që merr në fushë.
“Nuk luaj futboll për para, luaj sepse më pëlqen”, është shprehur 18-vjeçari, duke theksuar se për të futbolli është mbi të gjitha argëtim dhe lumturi.
Yamal ka treguar se nuk është i fiksuar pas golave apo asistimeve dhe se përqendrimi i tepërt te statistikat mund t'ua heqë lojtarëve kënaqësinë e lojës.
“Lojtarët që janë të fiksuar pas golave ose asistimeve nuk kënaqen”, ka deklaruar ai.
Sulmuesi i Barcelonës ka shpjeguar edhe momentet që i japin më shumë kënaqësi gjatë një ndeshjeje. Driblimet, kombinimet me një ose dy prekje dhe krijimi i një rasti për një bashkëlojtar janë ndër gjërat që ai vlerëson më shumë.
“Unë luaj për t’u argëtuar, për të dribluar, për të luajtur me një prekje, dy prekje, për t’ia mundësuar një bashkëlojtari që nuk ka shënuar të shënojë. Për lumturinë”, u shpreh Yamal.
Në një kohë kur futbolli modern shoqërohet gjithnjë e më shumë me kontrata të mëdha, bonuse dhe statistika individuale, deklarata e Yamalit tregon një tjetër qasje të talentit të Barcelonës, i cili pavarësisht moshës së re është kthyer në një prej lojtarëve kryesorë të klubit katalanas dhe të kombëtares spanjolle.






















