Vrasja e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil ka marrë jehonë edhe në mediat greke, të cilat kanë raportuar mbi zhvillimet e fundit të hetimeve dhe rolin e dyshuar të dy punonjësve të Policisë që ndodheshin në lokalin ku nisi konflikti.
“Të dhëna të reja për vrasjen e portugezit në një lokal në Shqipëri: Një polic dyshohet se ndihmoi autorin të arratisej”, shkruan media greke, duke iu referuar informacioneve të raportuara nga mediat shqiptare.
Sipas raportimit, në fokus të hetimeve është roli i dy efektivëve të Policisë, të cilët në momentin e konfliktit ndodheshin jashtë shërbimit dhe dyshohet se ofronin shërbime sigurie në lokalin e natës.
Media greke shkruan se njëri prej tyre dyshohet se ka ndihmuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, i konsideruar si autori kryesor i dyshuar i vrasjes, të largohej nga vendngjarja.
Dy efektivët dyshohet se nuk ndërhynë gjatë konfliktit
Duke iu referuar informacioneve të publikuara në Shqipëri, media greke raporton se dy efektivët nuk ndërhynë për të ndalur përplasjen dhe për të parandaluar përshkallëzimin e saj. Gjithashtu, pretendohet se pas ngjarjes së rëndë ata nuk njoftuan menjëherë autoritetet për vrasjen.
Për këtë arsye, sipas raportimit, ndaj tyre janë marrë masa, ndërsa për njërin është referuar material procedurial edhe për moskallëzim krimi. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu rolin e personave të tjerë që punonin për sigurinë e lokalit.
Si ndodhi vrasja
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 18 gushtit në Ksamil. Sipas të dhënave të deritanishme të cituara nga media greke, konflikti nisi në ambientet e lokalit dhe më pas u zhvendos drejt plazhit, ku 20-vjeçari portugez u gjet i pajetë pranë shezlongëve.
Media greke raporton gjithashtu se trupi i viktimës dyshohet se ka qëndruar në vendngjarje për të paktën tre orë.
Gjatë konfliktit ku u përfshinë disa persona, Sokrat Vata dyshohet se e goditi të riun portugez me një mjet të mprehtë, duke i shkaktuar plagë të shumta në kraharor dhe shpinë.
Autoritetet po hetojnë nëse persona të tjerë kanë marrë pjesë në sulm. Sipas informacioneve të cituara në artikull, një tjetër person dyshohet se e ka goditur 20-vjeçarin me grushte.
Po hetohet shkaku i konfliktit
Një tjetër pikë ku ndalet media greke është motivi që çoi në konfliktin fatal. Autoritetet po shqyrtojnë disa pista, mes tyre edhe pretendimin se përplasja mund të ketë nisur pas një episodi që lidhej me një vajzë.
Sipas raportimeve të mediave shqiptare të cituara në artikull, turisti portugez dyshohet se ka tentuar të ndërhyjë për të qetësuar situatën, por më pas është gjendur vetë në qendër të sulmit që i mori jetën.
Sokrat Vata u gjet i fshehur në bagazhin e një makine
Media greke sjell në vëmendje edhe arrestimin e 29-vjeçarit Sokrat Vata. Pas operacionit të Policisë shqiptare, ai u lokalizua në Levan të Fierit, i fshehur në bagazhin e një automjeti që po udhëtonte në drejtim të Tiranës.
Në automjet ndodheshin edhe dy shtetas turq, roli i të cilëve është bërë pjesë e hetimeve.
Sipas shifrave të cituara nga media greke, në kuadër të hetimit janë shoqëruar gjithsej 41 persona, ndërsa janë kryer 11 arrestime. Autoritetet vijojnë kërkimet edhe për një person tjetër që dyshohet se është përfshirë në ngjarje.
Vrasja e turistit 20-vjeçar në një prej zonave më të frekuentuara turistike të Shqipërisë tashmë ka kaluar kufijtë e mediave shqiptare, ndërsa zhvillimet e hetimit po ndiqen edhe nga mediat e vendeve fqinje.





















