Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar Moisid Matushajn, punonjës i Policisë së Shtetit, i dyshuar se ka qenë i përfshirë në konfliktin që i parapriu vrasjes së turistit francez Miguel Mendez në lokalin “Principote” në Ksamil dhe se ka ndihmuar autorin e dyshuar, Sokrat Vata, të largohej nga vendngjarja.
Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër, është me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër.
Nga hetimet rezulton se, krahas detyrës në Policinë e Shtetit, Matushaj punonte edhe si bodyguard për kompaninë “Elite Security” në lokalin “Principote”, së bashku me Sokrat Vatën.
Hetuesit dyshojnë se 24-vjeçari ka qenë i përfshirë në konfliktin e ndodhur pak përpara vrasjes së 20-vjeçarit francez dhe më pas ka ndihmuar Vatën të largohej.
Në kuadër të hetimeve për ngjarjen, 38 persona janë shoqëruar në Policinë e Sarandës dhe po merren në pyetje për të zbardhur dinamikën dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Burime bëjnë me dije se priten edhe arrestime të tjera. Nën hetim janë edhe dy shtetas turq, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar Sokrat Vatën gjatë përpjekjes për t’u larguar. Vata u kap i fshehur në bagazhin e automjetit ku ndodheshin dy shtetasit turq.






















