“Jam vetëdorëzuar, e prisja policinë të vinte. Isha aty afër në zonë. Policia e Shtetit, e Tiranës dhe e Krujës, më kanë futur në hasmëri në zonë dhe duan të më vrasin…!”.
Kjo është deklarata që Ylli Zalla bëri gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, ku iu caktua masa e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Tiranës për akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
49-vjeçari ishte në kërkim prej më shumë se një viti, pasi në shtëpinë e tij në fshatin Zallë të Fushë-Krujës u gjet arsenal armësh. Policia deklaroi dy ditë më parë se e vuri atë në pranga falë një aksioni të suksesshëm, por Zalla e kundërshton, duke deklaruar se u vetëdorëzua.
Edhe avokati i tij, Dritan Gina, mbajti të njëjtin qëndrim.
Sipas avokatit, pavarësisht angazhimit të forcave të shumta të policisë dhe përdorimit të dronëve gjatë operacionit, Zalla nuk u kap nga forcat e policisë, por vendosi vetë të dorëzohej. Mbrojtësi deklaroi se Zalla ka thirrur një efektiv që ndodhej pranë banesës, i është prezantuar dhe është dorëzuar, me qëllim që të sqaronte pozicionin e tij.
Lidhur me arsenalin e armëve, Zalla dhe mbrojtësi kanë deklaruar se janë armë kineze të viteve ’80.
“Armët dhe municionet e sekuestruara janë gjetur në pjesën e pasme të banesës, mes ferrave, pa masa të veçanta për ruajtjen apo ambalazhimin e tyre. Disa prej kapsollave detonatore nuk kanë qenë funksionale, ndërsa disa mjete shpërthyese nuk kanë qenë të lidhura në mënyrën e duhur për të shkaktuar shpërthim”, u shpreh avokati.
Në vijim, Ylli Zalla mohoi të kishte lidhje me atentatin e nëntorit 2025 te rrethrrotullimi i Rinasit, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani alias Sheqeri.
Edhe avokati theksoi se Ylli Zalla nuk është i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale dhe se nuk ka prova që materialet e gjetura të jenë përdorur në ngjarje të tjera apo që ai të ketë ndërmarrë veprime për shitjen e lëndëve narkotike.





















