Kronika 25 Qershor 2025, 19:45 Nga VNA

“Vjosa e helmuar: Nafta rrjedh në zemër të Parkut Kombëtar”

Ndaje në Whatsapp

Një përrua me naftë bruto derdhet në lumin Vjosa, i shpallur Park Kombëtar nga qeveria shqiptare si lumi i fundit i egër i Evropës.

Dëshmitë e drejtpërdrejta të ekipit të “RiverWatch” dhe “EcoAlbania” kanë nxjerrë në pah një ndotje të vazhdueshme, që mbahej në heshtje nga institucionet, të cilat një muaj më parë aplikuan për ta përfshirë Vojsën në UNESCO, si pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës.

“Nafta rrjedh në kanale nga një vend ku ruhet në pishina të hapura, katastrofë! Kontejnerët dhe tubacionet atje janë plotësisht të ndryshkur dhe rrjedhin, një skandal,” i tha Citizens.al Ulrich Eichelmann, drejtor i organizatës RiverWatch.

Ndotja buron nga stacioni i naftës në Gorisht të Selenicës, ndërtuar në vitet ’70, për marrjen dhe magazinimin e naftës nga vendburimi me qëllim transportin drejt Ballshit. Nafta e Gorishtit vërshon nga stacioni në Vjosë pasi i bashkohet Përroit të Madh të Mërtirajt.

Citizens.al e vizitoi sot pikën e derdhjes dhe stacionin. Aty ndodhej një grup prej 6 punonjësish të Albpetrol që kishin nisur të pastrojnë me ekskavator kanalin, vetëm pak ditë pas denoncimit.

Një zgjidhje e përkohshme e një problemi më të madh. Një raport i Ecoalbania, tregon se zona e Gorisht-Koculit ka mbi 150 puse aktive të shpërndara në një sipërfaqe prej 6 km2, ku pika më e afërt ndodhet pranë shtratit të Vjosës.

Fotografi dhe aktivisti i RiverWatch Joshua David Lim, i cili e dokumentoi i pari ndotjen, e përshkroi këtë zonë të Vjosës si“një lumë të vdekur, ku asgjë nuk mbijeton”.

Ai tha për Citizens.al se këtë konstatim e përforcoi një gjarpër i ngordhur, të cilin ai dhe Eichelmann e gjetën mbi shtresën e trashë të naftës.

Zbulimi i kësaj pike të ndotur të Vjosës ndodhi disa javë më parë, kur Lim po fotografonte rrjedhën në vijim të një nisme që bashkë me “EcoAlbanian” synon krijimin e një harte virtuale të ndotjes së Parkut Kombëtar.

“Realiteti ishte absolutisht tronditës, nuk kisha parë kurrë diçka të tillë,” tha Lim për Citizens.al.

“Kam udhëtuar shumë, nga burimi deri në deltë të Vjosës dhe kam dëshmuar situata të ndryshme ndotjeje si mbeturina, nxjerrja e zhavorrit, por kjo derdhje nafte padyshim është më e rënda,” vijoi fotografi.

Ndotje e përsëritur prej vitesh

Ky nuk është një incident i izoluar. Në vitin 2018, një reportazh i Balkan Insight denonconte të njëjtën formë ndotjeje në të njëjtin vend, mes fshatrave Karbunarë dhe Poçem ku kompani koncesionare depozitonin dhe transportonin naftë bruto në mënyrë të pakontrolluar.

“Vite më parë kam vërejtur rrjedhje apo njolla nafte në Poçem, megjithatë, nuk isha në dijeni se kjo katastrofë po ndodhte ende,” tha Eichelmann.

Edhe pse pikat e shpimit dhe depozitimit ndodhen jashtë kufijve zyrtarë të Parkut Kombëtar të Vjosës, përroi i ndotur përshkon kufirin e tij dhe bashkohet me Vjosën brenda territorit të mbrojtur.

“Qeveria duhet ta mbyllë menjëherë gjithë zonën duke përfshirë ‘lumin e naftës’ 1,5 km të gjatë, si dhe pellgjet me infrastrukturën e kalbur”, thekson Eichelmann.

“Një zgjidhje e përkohshme”

Të hënën, pas denoncimeve publike, Albpetrol nisi pastrimin e përroit në Mërtiraj. Të mërkurën, ekipi i Citizens.al ishte në terren për të parë nga afër situatën.

Një ekskavator dhe dy kamionë po largonin mbetjet e naftës që rridhnin drejt lumit. Edhe pse ndotja mbetet e pranishme, niveli i saj ishte më i ulët krahasuar me pamjet tronditëse të dokumentuara më parë.

Një prej punëtorëve na tregoi se kjo ishte dita e tretë e pastrimit, por nxehtësia e verës e kishte shkrirë materialin ndotës, duke e bërë procesin më të vështirë. Ai tha se mbetjet do të përdoreshin për mbushjen e rrugëve në zonat rurale.

Rreth 150 metra më larg, pusi i naftës vijonte punën normalisht, ndërsa ndërtesat përreth, të rrënuara dhe të braktisura, krijonin pamjen e një industrie të lënë pas dore.

Njëri përsëriti se ndotja vjen nga depozitimet e vjetra, të krijuara gjatë procesit të ndarjes së naftës nga uji dhe dheu në stacionin e Gorishtit.

Por pyetja që mbetet pa përgjigje është pse ky pastrim nuk u ndërmor më herët, para se mbetjet të shpërndaheshin dhe shkriheshin nga i nxehti, apo para se Vjosa të merrte statusin e Parkut Kombëtar.

Një banor i zonës tha për Citizens.al se përpjekjet aktuale janë të kota nëse nuk ndërhyhet drejtpërdrejt në burimin e ndotjes, që vazhdon të rrjedhë naftë në mënyrë të pakontrolluar.

Të njëjtën ditë, autobotët e Albpetrolit vijonin të ngarkonin naftë bruto për rafinim, duke treguar se aktiviteti ekonomik në zonë vazhdon pa ndalesë, ndërkohë që masat për të ndaluar ndotjen mungojnë.

Organizata RiverWatch deklaroi për Citizens.al se ka nisur njoftimin e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe bankën gjermane KfW, për situatën alarmante në zonë.

“Ky është një krim mjedisor me përmasa të reja,” u shpreh drejtuesi i organizatës, duke theksuar se do të ndërmerren veprime në disa fronte.

Parku Kombëtar i Vjosës, i shpallur në mars 2023, aspiron të bëhet pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës të UNESCO-s. Por rrjedhjet e naftës dhe mungesa e reagimit institucional po rrezikojnë seriozisht këtë status.

“Ajo fushë dukej si një peizazh nga një film depresiv hollivudian,” tha Ulrich Eichelmann nga RiverËatch, duke nënvizuar se Vjosa nuk mund të mbrohet vetëm në letër.

Dy vite pas shpalljes së parkut, aktivitetet ekonomike brenda kufijve të mbrojtur vazhdojnë. Urbanizimi, turizmi masiv, nxjerrja e naftës dhe mungesa e kontrollit institucional po e kthejnë emërtimin “Park Kombëtar” thjesht në një formalitet./Citizens.al/

 

Video

Teksa Orikumi është përfshirë nga flakët, në Pyllin e Sodës janë rrëzuar pishat, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin drejt fshatit të Zvërnecit.

Një vatër zjarri ka shpërthyer në orët e mbrëmjes në Orikum. Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Vlorës, ndërsa për ndihmë kanë shkuar edhe mjete dhe efektivë nga Himara. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, duke vështirësuar ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit.

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë stuhinë më të fuqishme të dëborës në dhjetë vitet e fundit, e cila ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në furnizimin me energji elektrike dhe në transportin ajror, si dhe ka detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjence në një numër të madh shtetesh. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 130 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa mbi 12 mijë fluturime janë anuluar për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Gjendja e emergjencës është shpallur në 21 shtete, ku autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.

Alpinisti amerikan Alex Honnold ka realizuar një ngjitje historike të dielën, duke u bërë personi i parë që ka shkallëzuar ndërtesën më të lartë të Tajvanit, Taipei 101, pa përdorur litar, parzmore apo rrjet sigurie. Ngjitja u zhvillua në kushte të kontrolluara dhe ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare, për shkak të nivelit ekstrem të rrezikut dhe vështirësisë që paraqet një strukturë prej 508 metrash lartësi. Taipei 101 konsiderohet një nga ndërtesat më ikonike në botë dhe një sfidë e jashtëzakonshme për çdo alpinist. Alex Honnold është i njohur globalisht për ngjitjet e tij pa mjete sigurie (free solo), duke shtyrë kufijtë e alpinizmit modern. Autoritetet lokale nuk kanë raportuar incidente gjatë ngjarjes, ndërsa ngjitja është cilësuar si një arritje e rrallë sportive dhe teknike.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme