Kronika 25 Qershor 2025, 19:38 Nga VNA

Prokuroria fle mbi kontenierët e ‘mbetjeve të rrezikshme’ në Durrës

Ndaje në Whatsapp

Tetë muaj pas kthimit në Shqipëri të 102 kontenierëve me mbetje të dyshuara si të rrezikshme, Prokuroria e Durrësit nuk ka kryer ende testimet e metaleve me justifikimin se nuk po gjen laborator –një vonesë që sipas aktivistëve të huaj dhe vendas është e qëllimshme dhe skandaloze.

Mëngjesin e 28 tetorit 2024, anija “Molivia” me flamur turk uli spirancën në radën e jashtme të portit të Durrësit, duke i kthyer mbrapsht Shqipërisë 102 kontenierët me mbetjet e dyshuara, që më herët shkaktuan një alarm global mjedisor.

Ngarkesa e padëshiruar kishte dalë nga i njëjti port në drejtim të Tajlandës, por mbeti për muaj me radhë në det, pasi organizata mjedisore “Basel Action Network”, BAN, ngriti shqetësimin se brenda saj mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme me burim hirin e oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD).

Konteinerët u sekuestruan me urdhër të Prokurorisë së Durrësit dhe u depozituan në Porto Romano si pjesë e një procedimi të nisur për veprat penale “kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “transportim i mbetjeve dhe shpërdorim i detyrës”.

Por tetë muaj më vonë, përmbajtja e mbetjeve është ende e paqartë dhe fati i hetimit është vendosur në pikëpyetje, pasi Prokuroria e Durrësit pretendon se nuk ka gjetur ende një laborator për testimin e mbetjeve, edhe pse më 5 mars deklaroi publikisht të kundërtën.

E pyetur për këto kontradikta dhe zvarritjen e hetimit, Prokuroria e Durrësit i tha BIRN përmes një përgjigje me shkrim se nuk kishin arritur dakordësi me laboratorin e parë dhe kishin vijuar me gjetjen e një laboratori tjetër jashtë vendit.

“…për këtë arsye është vijuar me gjetjen e një laboratori tjetër jashtë vendit, verifikimin e plotësimit e të gjitha e protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare nga ky laborator si dhe negocimin, proces i cili po kryhet edhe me ndihmën e partnerëve të huaj,” deklaroi Prokuroria e Durrësit.

Edhe drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Suela Beluli, njëherazi pjesë e grupit hetimor, i tha BIRN përmes telefonit se testimet ishin vonuar për shkak të vështirësve në gjetjen e laboratorit dhe kostove të larta.

Por aktivistët mjedisorë të huaj edhe vendas ngrejnë dyshime për një strategji të qëllimtë për zvarritjen e hetimit dhe shmangien e personave përgjegjës nga drejtësia.

“Vonesa është e papranueshme dhe skandaloze,” tha Jim Puckett, drejtori ekzekutiv i BAN, organizatës që e denoncoi fillimisht skandalin.

“Ky është një turp për çdo institucion qeveritar kompetent dhe tani po shfaqet qartë si një fshehje apo strategji e qëllimshme për të vonuar rezultatet dhe rrjedhimisht gjetjet e prokurorisë,” shtoi Puckett, duke theksuar se çështja “mban erën e përzierjes politike”.

Tonelatat e mbetjeve të dyshuara e kanë origjinën nga filtrat e oxhaqeve të kompanisë turke “Kurum International” që operon në mjediset e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, ndërsa Prokuroria identifikoi kompaninë “Sokolaj” në pronësi të Gjovana Sokolajt si eksportuese të konteinerëve.

BIRN zbuloi në një investigim të mëparshëm se sasia e bllokuar ishte vetëm një prej shumë ngarkesave të ekportuara në mënyrë të paligjshme jashtë Shqipërisë. Mes viteve 2020-2023, një sasi prej rreth 20 mijë ton mbetje të gjeneruara nga “Kurum” u eksportuan jashtë Shqipërisë nga kompania “Sokolaj”, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Laboratorët e akredituar që analizojnë metalet e rënda nuk mungojnë në Shqipëri; BIRN ishte në gjendje që të kontaktonte brenda një ore dy prej tyre si dhe të merrte një ofertë. Analiza e një mostre sipas njërit prej laboratorëve kushtonte 306 euro.

Megjithatë, Puckett nga BAN sugjeron që për shkak të rëndësisë së çështjes, Shqipëria duhet të angazhojë një laborator në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër të Bashkimit Europian, që sipas tij kanë përvojë në kampionimin e pluhurit të furrave elektike me hard (EAFD).  Ai vlerëson madje që çmimi për një kampionim gjithëpërfshirës të materialeve organike, përfshirë dioksinat dhe metalet për rreth 24 mostra do të kushtojë nga 6 mijë deri në 10 mijë euro.

“Unë i kam dhënë më herët zyrës së Prokurorisë emrin e laboratorit. Më pas dëgjova se ata donin ta bënin këtë punë në Shqipëri. Pse? Kjo nuk bën sens,” i tha ai BIRN, duke shtuar se personalisht nuk kishte besim që ndonjë laborator në Shqipëri do të ishte i lirë nga “ndikimi politik”.

Edhe aktivisti mjedisor, Lavdosh Feruni mendon se zvarritja e testimeve laboratorike nuk është një çështje kostosh, por neglizhence.

“Mbaj mend që pas shpërthimit në Gërdec janë bërë analiza të kësaj natyre për metalet e rënda dhe nuk më kujtohet të jetë bërë çështje kostoja,” tha Feruni.

“Është një zvarritje për ta lënë [në harresë] si çështje, për ta bërë të parëndësishme,” përfundoi ai./BIRN/

[caption id="attachment_48914" align="alignnone" width="2048"] Forca policore shoqerojne kamionet qe mbajne kontieneret e anijes "Moliva", me mbetje qe dyshohet se jene te rrezikshme, e cila u shkarkua ne porto romano. 12 kontieneret u moren ne dorezim nga Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe Konfiskuara, per tu mbajtur nen mbikqyrje deri ne perfundim te hetimeve./r/n/r/nPolice forces escort trucks carrying containers from the ship "Moliva", with suspected hazardous waste, which was unloaded in Porto Romano. The 12 containers were taken into custody by the Seized and Confiscated Assets Administration Agency, to be kept under surveillance until the investigation is completed.[/caption]

 

Video

Teksa Orikumi është përfshirë nga flakët, në Pyllin e Sodës janë rrëzuar pishat, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin drejt fshatit të Zvërnecit.

Një vatër zjarri ka shpërthyer në orët e mbrëmjes në Orikum. Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Vlorës, ndërsa për ndihmë kanë shkuar edhe mjete dhe efektivë nga Himara. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, duke vështirësuar ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit.

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë stuhinë më të fuqishme të dëborës në dhjetë vitet e fundit, e cila ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në furnizimin me energji elektrike dhe në transportin ajror, si dhe ka detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjence në një numër të madh shtetesh. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 130 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa mbi 12 mijë fluturime janë anuluar për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Gjendja e emergjencës është shpallur në 21 shtete, ku autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.

Alpinisti amerikan Alex Honnold ka realizuar një ngjitje historike të dielën, duke u bërë personi i parë që ka shkallëzuar ndërtesën më të lartë të Tajvanit, Taipei 101, pa përdorur litar, parzmore apo rrjet sigurie. Ngjitja u zhvillua në kushte të kontrolluara dhe ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare, për shkak të nivelit ekstrem të rrezikut dhe vështirësisë që paraqet një strukturë prej 508 metrash lartësi. Taipei 101 konsiderohet një nga ndërtesat më ikonike në botë dhe një sfidë e jashtëzakonshme për çdo alpinist. Alex Honnold është i njohur globalisht për ngjitjet e tij pa mjete sigurie (free solo), duke shtyrë kufijtë e alpinizmit modern. Autoritetet lokale nuk kanë raportuar incidente gjatë ngjarjes, ndërsa ngjitja është cilësuar si një arritje e rrallë sportive dhe teknike.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme