Kronika 25 June 2025, 14:01 Nga VNA

Banda e Ylli Carës, lidhja me kryepolicin Proda dhe rrëfimi tronditës i një 27-vjeçari

Ndaje në Whatsapp
Banda e Ylli Carës, lidhja me kryepolicin Proda dhe rrëfimi

Nga Klodiana Lala

Eduart Koboçi, 27-vjeçar nga Kukësi me kontaktoi përmes telefonit. “Dua të takoj. Do t’iu rrëfej një histori të implikimit të policisë”, më tha.

Jo pa hezitim shtoi: “Jam në kërkim”. Mesa duket kërkonte garanci për takimin. Zgjodhëm një vend të sigurt, për tu takuar. Shumë pranë qendrës së Tiranës, por larg vëmendjes së policisë.

“Policia më kërkon për një ngjarje që nuk kam asnjë faj. Jam në të drejtën time. Autorët e krimit po amnistohen dhe mbrohen nga policia”, më thotë qetësisht.

Tentativa e vrasjes së Eduart Koboçit, nuk është raportuar thuajse fare nga media. Ose është raportuar e cunguar, me plot të pavrërteta.

“Natën që më qëlluan, darkova në zonën e Astirit. Prej andej dola në Yzberish, përmes bulevardit kryesor mora drejtimin për tek Pallati me Shigjeta, pasi zbrita një të njohurën time. Isha vetëm dhe u ndalova në anë të rrugës tek cepi i një karburanti përballë spitalit Amerikan 3. Po shkëmbeja disa mesazhe dhe do të nisesha drejt Kishës së Lacit”, rrëfen i riu. “Çdo lëvizje e imja është e fiksuar në kamera”, shton.

“Një moment – tentuan më të hapnin dyert e makinës”, kujton i riu. “Dyert nuk u hapën. Makina ime është me xhama të zinj dhe mesa duket se dinin kush është brenda. Filluan të godisnin me sende të forta. I dhashë gaz. Në drejtim të makinës qëlluan me armë. 9 plumba. Për fat, nuk më preku asnjë. Teksa largohesha u bllokova në semafor. Aty erdhën me goditën nga pas. Nga forca, makina ime u spostua dhe godita një makinë para”, rrëfen Koboçi.

Një prej personave që qëlloi mbi automjetin e tij, ai e identifikon si Arnold Cara. Një emër thuajse i palakuar në botën e krimit, por me lidhje të forta në biznes e polici.

Ai rezulton kushëriri i biznesmenit Ylli Cara. Ky i fundit ish-ortak në një shoqëri me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin, aq sa emri i Ylli Carës u përmend edhe gjatë vettingut të Prodës.

Koboçi pranon se e njeh Ylli Carën. Një vit më parë, ai rrëfen për një incident të ndodhur në një lokal afër Zogut të Zi.

“Një mik i imi ishte përplasur me nipin e Yllit. Ylli e thirri të uleshin për të biseduar. E preu në besë. E rrahën. I shkova në ndihmë dhe ai rrahu Carën në prezencën time”, thotë Koboci.

“Qëndroi një muaj në burg për rrahjen. Gjërat u zgjidhën më pas dhe se mendoja se isha në konflikt me ndonjë person. Por, ndodhi ngjarja”, tregon ai.

27-vjeçari është në kërkim policor për largim nga vendi aksidentit. Ndërsa personat që qëlluan me armë ndaj tij, janë të lirë, ndaj tyre nuk ka akuzë. Edhe pse faktet flasin vetë.

Shenjat e plumbave në automjetin e Koboçit. Pamjet e kamerave të sigurisë së karburantit, teksa ai largohet me vrap pasi makina ngec. Automjeti qe e goditi thotë se ishte në X5 me targa angleze në emër të Z.Trofit, lidhje familjare e Arnold e Ylli Carës.

“Duan ta mbyllin në heshtje. Ylli Cara ka lidhje të forta në polici. Lidhje me shumë shefa policie. Unë dua të drejtën time”, shprehet 27-vjecari.

I vendosur në pafajësinë e tij, ai thotë se do ti shkojë deri në fund. “Jetoj jashtë. Nuk kam patur e nuk kam probleme me ta, por mbrohen me shtet”- shton më tej.

Njerëzit e Ylli Carës janë po ashtu të akuzuar se mbajtën peng një faturiste të OSHEE-së dhe e goditën atë, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Njëri prej agresorëve është arrestuar, por tentativat janë për ta trajtuar atë si një person që ka probleme.

Ylli Cara nga ana tjetër vijon qetësisht aktivitetin e tij të biznesit. Lojëra fati e ndërtime në jug të vendit.

Garancinë në fund fare e ka. Policia është krah tij.

“Të godasin me shtet. Di që kur Ylli Cara ishte në spital, e takonin gjithë shefat”, shprehet Koboçi.

Pastaj për disa çaste hesht. Ndoshta, sepse po përballon një situatë që nuk është e tij.

“Verefikoji fjalët e mia. Çdo gjë që them është e bazuar. Mjaft të marrin kamerat e sigurisë” – vijon.

“Dua të jap dëshmi. Të them të vërtetën e të nis jetën time”. Por sic duket nuk duan të më dëgjojnë. Sepse po i mbron shteti, policia.

Teksa largohet shton: “Jam i bindur që do të merren me ty. Merren me shtet ata. Uroj të mos tërhiqesh”.

Teksa kapërcen pragun, shpreson që prokuroria e Tiranës të guxojë e të ndëshkojë, të ndëshkojë fajtorët.

Një grua e ka në duar dosjen. Është koha e saj të dëshmojë integritet, paanësi e profesionalizëm.

Video

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme