Henerigert Mitri, ish-drejtor i policisë së Lezhës, u vetëdorëzua këtë pasdite në policinë e Tiranës. Ai ishte në kërkim me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, e cila e dyshon për veprat penale të “kultivimit të bimëve narkotike”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizim ose ushtrim i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, dhe “shpërdorim detyre”. Ai u paraqit në ambientet e policisë së Tiranës rreth orës 19:00, i shoqëruar nga avokati i tij Ardian Leka, duke i dhënë fund arratisë dhe për të nisur përballjen me drejtësinë.
Pjesë nga dosja dhe dyshimet për Henerigert Mitrin
“Informacioni i hetuesve të BKH-së bën fjalë në lidhje me kontraktimin e personave për kryerjen e veprës penale të vrasjes në territorin e Shqipërisë.” Disa anëtarë të këtij grupi kriminal, të dyshuar si funksionarë publikë, janë angazhuar njëkohësisht në aktivitete të lidhura me korrupsionin, veçanërisht nga funksionarët publikë. Këta anëtarë ndajnë në mënyrë të paligjshme me kontaktet e tyre informacionet e siguruara për shkak të detyrës që ushtrojnë.
Funksionarët publikë dyshohet se janë angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e aktivitetit kriminal të korrupsionit, kultivimit të narkotikëve dhe në aktivitete të tjera të kundërligjshme që kryhen nga ky grup kriminal. Këta persona, duke përfituar nga pozicioni dhe aksesi në informacione të siguruara për shkak të detyrës, ndihmojnë anëtarët e tjerë të grupit kriminal për zhvillimin e aktivitetit kriminal,” thekson SPAK.
Më datë 31 janar 2020, Pëllumb Gjoka komunikon me Henerigert Mitrin lidhur me veprimet e drejtorisë hetimore qendrore dhe FNSH në Lezhë, të cilët kanë shoqëruar dikë dhe Henerigerti do interesohej. Bëhet fjalë për një kontroll në bar kafe Medusa Lezhë dhe është arrestuar shtetasi Edmond Permargjeta.
Më datë 1 shkurt 2020, Pëllumb Gjoka komunikon me Henerigert Mitrin lidhur me bisedën e një dite më parë, dhe Henerigerti e njofton se ndodhet në takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ai e njofton Gjokën se aktet e referuara në prokurori për Edmond Permargjeta i janë caktuar prokurorit të Lezhës, S.K.
Pëllumb Gjoka vijon komunikimin me Mitrin për këtë çështje, ndërsa rezulton se ndaj Permargjetës është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” me afat 15-ditor, dhe ai është liruar pas këtij afati.
Gjoka dhe Mitri bisedojnë edhe për aktivitetin e lojërave të fatit. “Lidhur me faktin e gjetjes së kompjuterave, Henerigert Mitri i tregon Pëllumb Gjokës sesi duhet të kishte vepruar para se të kapeshin kompjuterat; duhet të kishte dhënë ryshfet dhe të mos kishte shumë fjalë për aktivitetin që po zhvillohej në Lezhë,” thuhet në dosje.
Sa më sipër, thekson SPAK, Henerigert Mitri, si drejtor i policisë së Lezhës, ka pasur dijeni të plotë dhe nuk ka marrë masa për parandalimin e organizimit të lojërave të fatit pa licencë në Bar Medusa. Përkundrazi, thekson SPAK, Mitri ka bashkëpunuar me të hetuarin Pëllumb Gjoka, duke e siguruar atë që, falë funksionit të tij si drejtor i Policisë, mund të ushtronte i qetë aktivitetin e tij kriminal.
Me Pëllumb Gjokën rezulton se bashkëpunonte edhe një tjetër zyrtar i lartë policie, Oltion Bistri, i arrestuar më herët në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
“Tregues i mënyrës sesi ka vepruar Henerigert Mitri në detyrën e drejtorit të DVP Lezhë është fakti që orienton Pëllumb Gjokën se ku duhet të japë ryshfet në këmbim të zhvillimit të aktivitetit të kundërligjshëm; janë indicia që si funksionar, Mitri ka qenë në shkelje të plotë të detyrave të ngarkuara nga ligji,” thekson SPAK.
Dyshohet se Mitri kishte dijeni dhe lejonte aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të lëndëve narkotike.
Më datë 23 maj 2020, Klodian Shahini, shef sektori i antidrogës, dhe Henerigert Mitri komunikojnë lidhur me një parcelë që është evidentuar nëpërmjet përgjimeve, dhe Henerigerti i tregon që duhet pastruar.
Klodian Shahini është personi që ka krijuar edhe kontaktin mes Henerigert Mitrit dhe Elson Recit, nipit të Kastriot Recit, që u ekzekutua me snajper në zemër të Mirditës. Elson Reci, në shenjë hakmarrje për vrasjen e xhaxhait, kishte vënë në shënjestër hasmin e tij, Preng Gjinin.
“Klodian Shahini komunikon me Henerigert Mitrin, të cilin e vë në dijeni për situatën, dhe Henerigerti i shkruan se s’ka gjë, se do t’u kërkojë punonjësve të policisë të kalojnë vetëm në zonën e Kurbneshit. Më pas, rreth orës 8 të mbrëmjes, Henerigerti i shkruan Klodian Shahinit se kanë ardhur përsëri koordinata nga Drejtoria e Përgjithshme për në zonën e Ungrejt,” thuhet në dosje.
Bisedat mes tyre vijojnë dhe jepen detaje për lëvizjet e policisë. SPAK thekson se krijohen dyshime të arsyeshme se Klodian Shahini, si shef i sektorit kundër trafiqeve të paligjshme në DVP Lezhë, bashkëpunoi me persona që kultivonin kanabis sativa në zonën e qarkut Lezhë, ku me dijeninë dhe bashkëpunimin e Henerigert Mitrit, lejuan mbjelljen e parcelave në Livadhas, Mirditë.
Mitri, sipas SPAK, i ka dërguar Klodian Shahinit në Sky EÇ shkresën me koordinatat, çka tregon se kjo është bërë me qëllim njoftimin ose kontrollin nëse në ato pika ka pasur parcela me kanabis, për t’u marrë masa që të njoftoheshin bashkëpunëtorët që të hiqnin bimët narkotike.
Në të njëjtën dosje me Mitrin, SPAK arrestoi apo shpalli në kërkim bosët e krimit, mes të cilëve Durim Bami, i konsideruar si i forti i Niklës; Ervis Martinaj, mbreti i kumarit i zhdukur pa gjurmë prej dy vitesh; Emiljano Shullazi, të cilit iu shtuan akuza të reja edhe pse prej vitesh është në paraburgim. U shpall në kërkim e më pas u arrestua Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, si dhe Marklen Haka, një tjetër personazh i njohur i botës së krimit në Nikël, që u arrestua pak ditë më parë në kuadër të operacionit “Liqeni i Bacungut.” Po ashtu u ngritën akuza të reja ndaj Leonard Dukës, kundërshtarit të përbetuar të Martinajt, dhe Endrit Dokles, një ish-i dënuar me burgim të përjetshëm në kuadër të të ashtuquajturës Banda e Durrësit. U shtuan akuza të reja ndaj të shumëkërkuarit Fatmir Hyseni Musai, i njohur si Docja, vrasës i dyshuar me pagesë për llogari të klanit Duka, i shpallur prej 5 vitesh në kërkim për ekzekutimin e ish-policit Santjago Malko. Në mesin e të shumëkërkuarve renditet edhe emri i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, i cili pas vrasjes së të vëllait, Aleksandër Ndoka, në dhjetor 2017, krijoi një grup kriminal dhe synonte eliminimin e të gjithë personave që dyshonte për vrasjen, ku më kryesori ishte i forti i Niklës, Durim Bami.
[video width="848" height="478" mp4="https://cdnimpuls.com/vna.al/wp-content/uploads/2024/09/WhatsApp-Video-2024-09-11-at-6.57.15-PM.mp4"][/video]
[video width="1280" height="720" mp4="https://cdnimpuls.com/vna.al/wp-content/uploads/2024/09/WhatsApp-Video-2024-09-11-at-7.01.22-PM.mp4"][/video]