Ekskluzive 9 Shtator 2024, 15:30 Nga VNA

Një bankë qeveritare në horizont!

Ndaje në Whatsapp
Një bankë qeveritare në horizont!

Qeveria shqiptare po punon për të hapur një bankë zhvillimi (ose investimesh) me një ligj të posaçëm. Burime konfidenciale për VNA bëjnë me dije se për këtë nismë është ngarkuar Ministria e Sipërmarrjes, e drejtuar nga Delina Brahimaj, e cila qëndron në krye të grupit të punës të përbërë nga përfaqësues të disa institucioneve të tjera në vend, përfshi Bankën e Shqipërisë apo Postën Shqiptare.

Nuk është e qartë nëse banka, që synohet të vihet në funksion sa më shpejt, do të licensohet sipas ligjeve ekzistuese në Shqipëri dhe do të mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë, ashtu siç veprohet për çdo bankë tjetër. Vetë prania e përfaqësuesit të Bankës së Shqipërisë në grupin e punës së qeverisë më tepër tregon që banka jo vetëm do të krijohet me ligj të veçantë, por siç duket edhe do të operojë jo sipas ligjeve që rregullojnë sistemin bankar e financiar në vend. Pavarësisht se është një bankë zhvillimi me profil operacional të ndryshëm nga një bankë tregtare universale, nuk ka arsye që një bankë e tillë të trajtohet jo sipas legjislacionit në fuqi. Nëse ndodh kjo, cenohet drejtpërdrejt konkurrenca në sistemin bankar dhe më gjerë në atë financiar, sepse praktikisht do të ketë dy palë rregulla veprimi, një për Bankën e Qeverisë dhe një tjetër për bankat aktuale. Më tej, prania e përfaqësuesit të Bankës së Shqipërisë në grup praktikisht ka krijuar situatën e konfliktit të interesit, pasi nesër edhe nëse Banka e Shqipërisë lejohet ta mbikëqyrë, do të duhet të mbikëqyrë një bankë për të cilën ka kontribuar në krijimin e saj. Por nëse synimi është që Banka e Qeverisë të mos i nënshtrohet mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë, praktikisht qeveria ndërmerr një hap edhe në cenim të funksioneve të Bankës Qendrore, e cila së fundmi ka qenë në qendër të sulmeve për shkak të skandalit të mikrokredive, por siç duket paskan tjetër objektiv.

Në Bankën e re pritet të kanalizohen të gjitha grantet dhe fondet e investimeve që jepen nga dhe për qeverinë. E paketuar bukur me argumentin që banka do të shërbejë për të mbështetur projekte madhore zhvillimore apo strategjike, nuk është e qartë se deri ku do të kufizohet oreksi i qeverisë. A do të përfshihen në këtë bankë edhe pagesat e thesarit? A do të përqendrohen aty edhe llogaritë e të gjithë administratës shtetërore? A do të mbetet bankë e pastër zhvillimi apo do të shndërrohet në bankë që mbledh depozita nga publiku i gjerë? A do të përdoret kjo bankë si lehtësuese për rigjallërimin e projektit të aministisë fiskale të Edi Ramës, që për momentin nga presioni ndërkombëtar dhe nga ndëshkimi i klasifikimit të Shqipërisë në zonën gri për pastrimin e parave, është lënë në heshtje? A janë konsultuar institucionet financiare ndërkombëtare për këtë projekt? Sa do të jetë kapitali i kësaj banke (që patjetër nuk mund të jetë më i vogël se disa dhjetëra miliona euro) dhe a e ka analizuar Ministria e Financave nëse është kjo forma më e mirë e përdorimit të të ardhurave që mbledh qeveria nga taksat? etj., etj.

Përgjigjet për këto pyetje nuk mund të jepen në këtë moment, sepse mesa duket janë ende të paqarta edhe për vetë grupin e punës. Por prej tyre varet se çfarë institucioni pritet të krijohet dhe efektet që do të ketë në sektorin bankar dhe financiar. Pa llogaritur që, duke qenë se qeveria do të vendosë rregullat e lojës me të cilat kjo bankë do të funksionojë, dhe nëse banka do të mbetet jashtë mbikëqyrjes së Bankës Qendrore, probabiliteti që të ketë abuzim me operacionet bankare dhe fondet, siç ndodh rëndom në agjencitë menaxhuese të fondeve në shtetin shqiptar, të mos jetë i vogël. Në situatë të tillë, kostot e skandaleve që mund të krijohen nuk i paguan më vetëm banka e qeverisë apo qeveria shqiptare, por i paguan i gjithë sistemi financiar shqiptar dhe ekonomia shqiptare. Historia e këtyre 30 viteve ka treguar se qeveritë shqiptare nuk kanë ngurruar të abuzojnë me bankat shtetërore dhe të japin kredi sipas preferencave politike. Qeveria rilindase po ashtu ka ecur në këtë rrugë.

Edhe në këtë rast, për të forcuar më tej kontrollin mbi ekonominë dhe financat, Edi Ramës nuk i është dashur të shpikë shumë. Në ndihmë i ka ardhur modeli i Bankës së Investimeve që homologu i tij Erdogan ka hapur në Turqi, një bankë që, me interesat që ofron, ka cenuar konkurrencën në treg, pasi ofron interesa të larta dhe është totalisht digjitale.

Ngritja e Bankës së Zhvillimit është padyshim një hap më tej drejt gllabërimit të ekonomisë në dëm të iniciativës së lirë, konkurrencës dhe në tërësi mekanizmave të tregut të lirë. Megjithë problemet, Banka e Shqipërisë duket se ka mbetur nga të paktat institucione ku ende ka një lloj rezistence ndaj zhvatjes së çdo aseti kombëtar. Sistemi bankar është siç duket kalaja e fundit që nuk ka shtënë në dorë rilindja. Ndaj, Banka e re e Zhvatjes me gjasë do të pagëzohet si institucioni ku patronazhistët do të kenë tashmë edhe zyrtarisht fuqi dhe pushtet mbi paratë e shqiptarëve.

Lexo gjithashtu

Video

Batuta e Mbretit Charles ndaj Trump: Mos të ishim ne ju do flisnit frëngjisht

Detaje tronditëse lajmesh kanë dalë në dritë mbi dënimet ekstreme të dhëna në Korenë e Veriut, duke përfshirë të burgosur të rrahur për vdekje me çekiç, një grua shtatzënë të ekzekutuar dhe një menaxher ferme të qëlluar pasi zemëroi Kim Jong Un. Në disa nga rastet më tronditëse, të burgosurit u vranë në 'ekzekutime të fshehta brenda' duke përdorur armë të forta, ndërsa të arratisurit thanë se ishin dëshmitarë të të shtënave me armë të tilla ndaj të miturve pavarësisht pretendimeve zyrtare se dënime të tilla janë të ndaluara.

Kreu i SPAK, Klodian Braho pret në një takim Ministren e Drejtësisë së Austrisë

Osmani: Rrugët që u mbyllën nga padrejtësitë, hapen nga populli Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar sot pasi Kuvendi i Kosovës është shpërndarë dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Osmani ka thënë se “rrugët që u mbyllën nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli”.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme