Arrestohet në Borsh Moisi Habilaj. Burimet thonë se i shumëkërkuari u kap në një lokal. Ai ishte arratisur nga Italia disa vite më parë.
Habilaj është krye i një grupi kriminal që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë.
Për lidhje me grupin Habilaj është akuzuar dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Gjykata e Posaçme firmosi dënimin e Moisi Habilajt me 15 vjet burg për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi reduktohet në 10 vjet burg. Ky vendim u firmos pasi çështja u rikthye për rishqyrtim nga Gjykata e Lartë. I pandehuri Nezar Seiti u dënua me 12 vjet dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar ndaj tij mbetet 8 vjet burg.
Në rigjykimin e çështjes, u pushuan akuzat për dy të pandehurit e tjerë, Maridjan Sulaj dhe Fatmir Minaj, për arsye se ka rezultuar të jenë dënuar me vendim të formës së prerë për të njëjtin fakt penal.
Në janar 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet për Habliajn dhe tre të gjykuarit e tjerë. Ata u akuzuan se në një hark kohor disavjeçar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë kanë trafikuar kanabis drejt Italisë.
Moisi Habilaj u dënua më parë me 15 vjet heqje lirie nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Hetimet ndaj Habilajve bënë bujë në 2017 pasi hodhën dyshime për lidhjen e tyre me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ish-ministri u akuzua për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, por u dënua për shpërdorim detyre. Bashkë me Tahirin u shpall fajtor edhe Jaeld Çela, ish-drejtues i policisë së Vlorës.






















