Erion Veliaj ka reaguar ndaj lajmeve se ai kishte ikur nga Shqipëria, duke theksuar se udhëtimi i tij në Amerikë ishte për takime të rëndësishme që i kishte lënë më parë. Ai ka shpjeguar se nuk ka arsye të largohet nga Shqipëria dhe ka theksuar se është ende kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke mos qenë i shpallur “Non Grata”. Veliaj ka kundërshtuar me forcë akuzat dhe lajmet e shpifura që qarkullojnë, duke i atribuar ato një fushate të sajuar për të dëmtuar imazhin e tij.
Në reagimin e tij, ai ka kritikuar ish-kryeministrin Sali Berisha, duke e akuzuar për përhapje të lajmeve të rreme dhe për përzierje në jetën personale dhe familjare të tij. Veliaj ka theksuar se nuk do të mbetet pasiv ndaj shpifjeve dhe se do të kthehet pas disa ditësh në Shqipëri, ku do të vazhdojë punën e tij për qytetin e Tiranës.
Ai ka kërkuar që drejtësia të bëjë detyrën dhe të ndjekë rrugën e saj pa ndikime politike, dhe ka shpjeguar se ai ka besim në procesin e drejtësisë. Veliaj ka hedhur poshtë çdo tentativë për ta minuar pozitat e tij dhe ka shprehur bindjen se ata që shpifin do të përballen me pasojat e veprimeve të tyre.
Postimi O Sali, o kërmë, që paske dhënë lajmin se jam arratisur nga Shqipëria, meqë ndonjë nga çimkat e tua më paska parë në avion. Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam Non Grata, o fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde. Nuk iki unë nga Shqipëria, o kërmë, se kam ardhur nga Amerika kur isha 20 vjet më i ri, që të jepja një dorë për ta nxjerrë vendin tim nga llumi ku e zhyte ti me shokë! Dhe nuk më përkulin mua as letrat anonime, si në kohën e partisë, që të bëri ty persekutorin që je sot e gjithë ditën, as kushdo tjetër që shuan epshet e veta nëpër ekranet dhe rrugët e Tiranës, duke u marrë me familjen time, as fantazitë e sëmura të veshura me kostumet e karnavaleve të kësaj historisë sime në gjykatën e ekraneve dhe rrjeteve sociale. Do të kthehem për dy ditë, dhe me durimin e paepur në pritje që të më vijë radha mua, se unë nuk jam burrë legen si ti, që kur SPAK-u merret me ty e me hajdutët e farës tënde është SKAPi i partisë, kurse kur merret me mua e me familjen time është SPAK-u i drejtësisë! Unë e di radhën e punëve dhe tani e ka radhën prokurori special të bëjë çfarë të dojë, pastaj vjen radha ime për të thënë çfarë duhet. Ashtu siç e di që unë nuk jam mbështetës i drejtësisë së re që nuk bëj komente rrugëve kur ajo merret me të tjerët dhe pastaj rrugaç si puna jote, që të marr rrugët me akuza e sharje kur merret me mua. Aty rri se edhe ti s’ke nga lëviz, se je pa pashaportë dhe nuk del dot nga Shqipëria, se do të të dal si lugat në shtëpi natën e Vitit të Ri, kur edhe Syri i djalit tënd do jetë te Sheshi Skënderbej, duke transmetuar fishekzjarret e 2025-ës, kur do hash shqelmin më të fortë nga shqiptarët, sa të vijë maji! Pis burrë!





















