Sociale 7 Qershor 2025, 10:35 Nga VNA

Turizëm pa trashëgimi: Durrësi hap sezonin me muze të mbyllur

Ndaje në Whatsapp
Turizëm pa trashëgimi: Durrësi hap sezonin me muze të

Turizëm pa trashëgimi: Durrësi hap sezonin me muze të mbyllur

Restaurimet e vonuara të muzeve do t’i mbajnë edhe këtë sezon thesaret arkeologjike të qytetit antik larg syve kureshtarë të turistëve.

Tabela e përmasave të mëdha në hyrje të muzeut Arkeologjik të Durrësit ka mbetur njëlloj si tre vjet më parë, kohë kur filluan punimet e restaurimit të tij me një financim 348 milionë lekë nga programi EU4Culture i Bashkimit Europian. Aty ka ndryshuar tre herë vetëm data e përfundimit të parashikuar të rikonstruksionit. Fillimisht afati i përfundimit të punimeve ishte në nëntor 2023. Më vonë u shty në shkurtit 2024 dhe prillit 2025, dhe tashmë është shtyrë përsëri për fundin e muajit korrik. Po ky nuk është muzeu i vetëm që do ti mbajë dyert e mbyllura për turistët gjatë sezonit veror të këtij viti. Vonesat disavjeçare në restaurimet e muzeve të Durrësit, i kanë mbajtur larg syve kureshtar të publikut objektet e trashëgimisë kulturore në qytetin antik. Muzeu Arkeologjik, i përuruar për herë të parë në vitin 2003, restaurohet për të dytën herë në 15 vjetët e fundit, dhe vonesat në punime janë të përsëritura. “Megjithëse interesimi i turistëve të huaj ka ardhur duke u rritur, ne e ndjejmë veten në vështirësi, kur i informojmë ata se Muzeu Arkeologjik më i madh i vendit është i mbyllur,” tha për BIRN Bjordi Xhafa, një udhërrëfyes turistik nga qyteti bregdetar. “Koha e turit kulturor në Durrës tani nuk i kalon të dy orët, shumë, pasi përveç Muzeut Arkeologjik, edhe Muzeu Etnografik, vazhdon t’i nënshtrohet rikonstruksionit,” shtoi Bjordi. Sipas udhërrëfyesit te ri, Termat Romake, gjithashtu nuk mund të vizitohen për shkak të punimeve restauruese në Teatrin “Aleksandër Moisiu”. Monumenti i shekullit të dytë pas erës sonë dhe teatri modern i qytetit bashkëjetojnë që nga viti 1965, kur Termat u zbuluan nga arkeologët në themelet e godinës së teatrit. Grupet turistike të interesuara për trashëgiminë kulturore të vendit tonë, e vazhdojnë më tej udhëtimin edhe në dy shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor – Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Sidoqoftë, numri i vizitorëve në Durrësin antik është rritur nga viti. “Që nga fillimi i  këtij viti Amfiteatri antik dhe Torra Veneciane janë vizituar nga 13,500 turistë vendas dhe të huaj gjithsej,” tha për BIRN drejtori i Qendrës Muzeore, Alban Ramohito. “Në të dy objektet që vizitohen kundrejt biletës, në këto pesë muaj janë rreth 2,300 vizitorë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar,” shtoi ai. Sipas të njëjtit burim, restaurimi i Muzeut Arkeologjik do të përfundojë, kur të rikrijohet pavijoni i antikitetit në katin e parë të godinës, dhe të krijohet për herë të parë pavijoni i Mesjetës, shumë pak i njohur në historinë e qytetit bregdetar. Kati i sipërm i godinës, do të shërbejë për takime didaktike, ndërsa oborri do të kthehet në një park të vogël arkeologjik, gjithçka e parashikuar në kontratën e restaurimit. “E gjithë kjo do të kërkojë kohën e vet,” u shpreh  drejtori Ramohito. Durrësit pritet ti rikthehet edhe godina “Monument kulture”, që njihet si Muzeu Etnografik dhe “Shtëpia e Aleksandër Moisiut”. “Jemi të kënaqur me cilësinë e punimeve restauruese, të cilat kanë mbërritur në stadin e instalimit të ndriçuesve”, tha për BIRN Alketa Tragaj, drejtore e Qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu”. “Po përgatisim rikthimin e fondit të veprave të artit, objekteve etnografike dhe stendave kushtuar Moisiut,” shtoi Tragaj, duke kujtuar se kur tërmeti i nëntorit 2019 dëmtoi rëndë ndërtesën, gjithçka u strehua në mjediset e teatrit. Megjithatë, e ardhmja e banesës, e cila i është rikthyer pronarëve të ligjshëm, nuk është vendosur ende. Drejtuesit e kulturës në Durrës po kërkojnë një zgjidhje optimale për objektin e shekullit të 19-të që ndodhet ngjitur me muret e fortifikimeve mesjetare. Mungesën e dy muzeve më të mëdhenj të qytetit pritet ta plotësojnë sadopak ekspozitat e hapura vitet e fundit, nga disa specialistë të apasionuar pas historisë së re të qytetit. Brunilda Liçaj, pedagoge në Universitetit “Aleksandër Moisiu” tha për BIRN, se megjithëse i mungon mbështetja financiare, ekspozita “Turistë të përgjuar”, e cila funksionon që nga viti i kaluar në qendër të qytetit ka ngjallur mjaft interesim në grupet e turistëve të huaj. Materialet dhe intervistat janë përmbledhur në një dokumentar, që mund ti japë një shtysë tjetër vizitave në ekspozitën me objekte të vizitave në  Shqipëri të turistëve që përgjoheshin nga Sigurimi i shtetit. Njëlloj edhe ekspozita private MuzehLab, që është hapur disa vite më parë. Megjithëse këto ekspozita janë të lavdërueshme, operatorët turistikë theksojnë se nuk mund të zëvendësojnë muzetë. “Por mungesa e përsëritur e dy muzeve më të rëndësishëm për historinë e qytetit antik nuk mund të zëvendësohet lehtë,” tha Bjordi Xhafa.

Reporter.al

Video

?Kina vë në funksion një qendër diellore unike me dy kulla Në provincën Gansu ka hyrë në funksion qendra e parë diellore në botë me pasqyra dhe me dy kulla energjetike. Ky kompleks inovativ përdor një fushë me 30.000 pasqyra që drejtojnë dritën e diellit drejt majave të kullave, të larta 200 metra. Në majë të kullave, një solucion i veçantë kripe nxehet në temperatura ekstreme, shndërrohet në avull dhe vë në lëvizje turbinat e gjeneratorëve. Fuqia vjetore e qendrës është 1.8 miliardë kWh, mjaftueshëm për të furnizuar me energji rreth 170.000 shtëpi. Ky projekt revolucionar tregon udhëheqjen e Kinës në fushën e energjive të rinovueshme. Teknologjia e kripës së shkrirë lejon ruajtjen e nxehtësisë dhe prodhimin e energjisë elektrike edhe gjatë natës, duke zgjidhur një problem kyç të energjisë diellore. Qendra në Gansu është bërë më e madhja në botë e këtij lloji.

Video/ Momenti i shpërthimit me tritol i resortit të ish-kreut të IMT Durrës, Ardian Halili. Ai u arrestua pak ditë më parë pasi ka ndërtuar këtë resort në zonë të mbrojtur pa leje, në kohën që mbante detyrën.

Këto janë pamjet nga shembja që vijon në resortin e ish kreut të IMT në Durrës, Ardian Halilit. Pak minuta më parë forcat xheniere realizuan shembjen me shpërthim të kontrolluar të godinës 2-katëshe të resortit, ndërsa objektet e tjera më të vogla po shemben me fadromë. https://vna.al/kronika/shembet-me-shperthim-resorti-pa-leje-i-ish-kreut-te-imt-ne-durres-i-arre-i13826

Një aksident rrugor është regjistruar ditën e sotme në unazën lindore të qytetit të Fierit. Një automjet tip “Volkswagen” është përplasur me një motoçikletë dhe, si pasojë, drejtuesi i motorit ka pësuar lëndime në trup. I plagosuri është transportuar menjëherë në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit dhe normalizimin e qarkullimit rrugor.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme