
Mbetjet e 55 palestinezëve janë nxjerrë nga rrënojat e një banese në lagjen Zeitoun të Gazës, gati tre vjet pasi ndërtesa u shkatërrua nga një sulm ajror izraelit më 19 nëntor 2023.
Operacioni i kërkimit dhe nxjerrjes përfundoi të shtunën, pas më shumë se 72 orësh punë intensive nga ekipet e Mbrojtjes Civile të Gazës.
Sipas autoriteteve lokale, viktimat i përkisnin familjes Malka dhe ndodheshin në ndërtesë pasi ishin zhvendosur nga banesat e tyre gjatë luftës.
Puna për nxjerrjen e mbetjeve u zhvillua në kushte të vështira. Për shkak të mungesës së makinerive të rënda, ekipet e shpëtimit u detyruan të përdornin kryesisht mjete manuale për largimin e sasive të mëdha të betonit dhe rrënojave.
Koloneli Muhammad Abu Dan, i cili mbikëqyri operacionin, deklaroi se kërkimet ishin përqendruar në gjetjen e më shumë se 60 personave të familjes Malka. Ai u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare humanitare të sigurojnë pajisje dhe makineri të nevojshme për vijimin e operacioneve dhe nxjerrjen e viktimave të tjera që besohet se ndodhen ende nën rrënoja.
Përmasat e shkatërrimit në Gaza mbeten të mëdha. Sipas Qendrës Satelitore të Kombeve të Bashkuara, rreth 82 për qind e ndërtesave në territor janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza, agjencitë e OKB-së dhe organizatat humanitare vlerësojnë se mes 10 mijë dhe 14 mijë personave mund të jenë ende të zhdukur nën rrënoja në të gjithë territorin.






















