
Eurodeputeti gjerman Michael Roth ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Serbisë për t’i bërë nderime të larta shtetërore dhe ushtarake Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid dhe krime lufte.
Ceremonia zyrtare me të cilën Beogradi priti trupin e Mlladiqit është cilësuar nga Roth si një goditje e rëndë ndaj procesit të pajtimit në Ballkanin Perëndimor.
“Nuk e kisha menduar kurrë se do të shihja një person të dënuar për krime lufte, përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës, të marrë nderime shtetërore në Beograd. Kjo tregon se sa larg është Serbia nga pajtimi për të cilin ka nevojë urgjente rajoni. Faleminderit të gjithë serbëve që e kundërshtojnë publikisht këtë turp”, deklaroi Roth.
Nderimet shtetërore për Mlladiqin kanë shkaktuar reagime edhe në Bashkimin Europian. Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke dënuar glorifikimin e personave të dënuar për krime kundër njerëzimit.
Ratko Mlladiq ndërroi jetë më 27 gusht në Hagë, në moshën 84-vjeçare, teksa vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Ai ishte dënuar përfundimisht nga mekanizmi gjyqësor i OKB-së për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës në korrik të vitit 1995, ku u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.






















