Tre anëtarë të së njëjtës familje nga Rumania, babai, nëna dhe vëllai, janë shoqëruar nga policia pasi dyshohet se tentuan të fusnin sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për gra në Pojskë të Pogradecit.
Rasti është zbuluar një ditë më parë, kur familjarët kishin shkuar për të vizituar të afërmen e tyre, e cila po vuan dënimin për veprën penale të mashtrimit.
Gjatë kontrollit të çantave me rroba që familjarët kishin sjellë për të dënuarën, punonjësit e burgut kanë konstatuar të fshehura një thikë dhe një telefon celular.
Mësohet se tre familjarët rumunë kishin mbërritur në Shqipëri vetëm dy ditë më parë.
Grupi hetimor po punon për të sqaruar arsyen përse familjarët tentuan të fusnin thikën në ambientet e burgut, ndërsa nga të dhënat e deritanishme rezulton se e dënuara nuk ka pasur konflikte me të burgosurat e tjera.
Pas zbulimit të sendeve të ndaluara, është ushtruar kontroll edhe në qelinë e gruas, por nuk është gjetur asnjë send tjetër i paligjshëm.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.






















