Një tempull budist mbi 1.200-vjeçar në Korenë e Jugut është shndërruar në vendtakim për beqarët, në një përpjekje të pazakontë për të luftuar rënien dramatike të lindshmërisë në vend.
Në tempullin Donghwasa, i vendosur në malin Palgongsan, të rinj e të reja marrin pjesë në një kamp 30-orësh njohjeje, ku përmes aktiviteteve të ndryshme përpiqen të gjejnë partnerin e jetës dhe të krijojnë familje.
Organizatorët thonë se iniciativa synon të ndihmojë të rinjtë të njihen me njëri-tjetrin, pasi gjithnjë e më pak koreano-jugorë po dalin në takime apo po martohen. “Lindshmëria e ulët është një krizë kombëtare. Duhej të bënim diçka”, u shpreh organizatori Yoo Cheol-ju.
Në vitin 2023, norma mesatare e lindshmërisë në Korenë e Jugut ra në vetëm 0.72 fëmijë për grua, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë dhe shumë larg nivelit 2.1 që nevojitet për zëvendësimin e popullsisë.
Për të marrë pjesë në këtë kamp, aplikantët kalojnë një proces të rreptë përzgjedhjeje me pyetësorë dhe video prezantuese. Mbi 1.580 persona aplikuan, ndërsa vetëm një numër i kufizuar u përzgjodh.
Programi përfshin prezantime, takime dyshe, shëtitje, aktivitete në grup dhe lojëra, me qëllim krijimin e lidhjeve romantike në një ambient të qetë dhe larg presionit të jetës së përditshme.
Nisma është pjesë e përpjekjeve më të gjera të autoriteteve koreano-jugore, të cilat krahas bonuseve për lindjet, lejeve më të gjata prindërore dhe subvencioneve për çiftet e reja, po mbështesin edhe evente që ndihmojnë të rinjtë të gjejnë partner.






















