Bota 13 August 2026, 20:38 Nga VNA

Temperaturat rekord “ziejnë” patatet në tokë, fermerët në Korenë e Jugut në alarm

Ndaje në Whatsapp
Temperaturat rekord “ziejnë” patatet në tokë,

Vala e jashtëzakonshme e të nxehtit që ka përfshirë Korenë e Jugut po shkakton dëme të rënda në bujqësi, me fermerë që po nxjerrin nga toka patate të dëmtuara dhe të zbutura, sikur të ishin zier.

Në provincën Gangwon, në verilindje të vendit, fermerët kanë zbuluar se fusha që vetëm një javë më parë dukeshin të shëndetshme tashmë kishin prodhime të kalbura ose të dëmtuara rëndë.

“Nuk është vetëm një apo dy fusha. Si mund ta përshkruaj? Jam shumë i mërzitur”, tha Lee Sang-hyuk, një fermer nga Haean, në qarkun Yanggu, pranë kufirit me Korenë e Veriut. Ai tha se merret me bujqësi prej 40 vitesh dhe nuk kishte parë kurrë diçka të tillë.

Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe te lakrat, me mijëra parcela të mbjella që janë kthyer sërish në tokë pasi prodhimi u dogj në fusha. Fermerët kishin shtyrë korrjen, duke shpresuar për çmime më të mira në treg, por temperaturat e larta shkatërruan të mbjellat. Humbjet vlerësohen në dhjetëra miliona won.

Problemet nuk janë kufizuar vetëm te perimet. Edhe mollët dhe pjeshkët janë prekur rëndë. Mollët po pësojnë djegie nga dielli, duke marrë ngjyrë dhe duke u dëmtuar në pjesët e ekspozuara drejtpërdrejt ndaj rrezeve. Ndërsa pjeshkët po çahen nga temperaturat ekstreme.

Një fermer mollësh tha se pemët që duhej të fillonin të merrnin ngjyrë për korrjen e Chuseok-ut, festës së vjeshtës në fund të shtatorit, kanë ndaluar së zhvilluari. Vetëm pjesët e ekspozuara ndaj diellit po skuqen, ndërsa ekziston rreziku që ato të zbardhen nëse temperaturat e larta vazhdojnë.

Situata është rënduar edhe nga temperaturat rekord. Më 2 gusht, qyteti Yangsan, në juglindje të vendit, regjistroi 42.5°C, temperatura më e lartë e matur në Korenë e Jugut që nga fillimi i regjistrimeve moderne në vitin 1904.

Sipas autoriteteve shëndetësore, vala e të nxehtit ka shkaktuar të paktën 31 viktima, ndërsa mbi 900 mijë kafshë bujqësore dhe 1.4 milionë peshq të kultivuar kanë ngordhur.

Të prekur janë edhe vetë fermerët, të cilët po përballen me stres të rëndë nga temperaturat. Ata thonë se e kanë të pamundur të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë orëve më të nxehta, pasi duhet të kujdesen për prodhimet që po prishen në fusha.

“Na thonë të mos dalim dhe të punojmë gjatë ditës, por këto pjeshkë po kalben”, tha një fermer.

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, e ka cilësuar situatën si të pazakontë dhe ka kërkuar rishikimin e sistemit kombëtar të menaxhimit të krizave, duke paralajmëruar se fenomene të tilla ekstreme mund të bëhen gjithnjë e më të zakonshme.

Dëmet e plota në bujqësi ende nuk janë përllogaritur, por fermerët paralajmërojnë se humbjet mund të ndikojnë në rritjen e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve, veçanërisht përpara festës së Chuseok-ut, kur familjet koreano-jugore blejnë sasi të mëdha ushqimesh.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se patatet janë veçanërisht të ndjeshme ndaj temperaturave të larta dhe se bujqësia në Korenë e Jugut do të ketë nevojë për varietete më rezistente ndaj nxehtësisë në kushtet e ndryshimeve klimatike.

Video

Një zjarr i fuqishëm përfshiu mëngjesin e kësaj të diele Mesopotam Agroturizëm, në rrugën Sarandë–Syri i Kaltër, duke e shkrumbuar plotësisht strukturën. Sipas informacioneve paraprake, zjarri ra rreth orës 05:30 dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet që hetimet në vendngjarje të përcaktojnë rrethanat e ngjarjes. Resorti, i ndërtuar rreth tre vite më parë, konsiderohej një prej investimeve të rëndësishme turistike në zonën e Mesopotamit.

Këto janë momentet e zjarrit që përfshiu një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë dhe, për pasojë, shtatë persona mbetën të plagosur. Forcat zjarrfikëse mbërritën në vendin e ngjarjes për t’i vënë nën kontroll flakët, pas më shumë se dy orësh. Nga të dhënat paraprake, zjarri ra në katin e parë të godinës, në ambientet e lokalit, dhe më pas u përhap në të gjithë fasadën. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes thanë se, për t’u shpëtuar flakëve, disa nga pushuesit që ndodheshin në hotel u hodhën nga dritaret. Gjashtë nga të dëmtuarit janë shtetas të Kosovës, ndërsa i shtati është nga Rrësheni. Ata u transportuan fillimisht në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku morën ndihmën e parë. Dy prej të plagosurve janë transportuar për trajtim të specializuar drejt QSUT-së, ndërsa katër të tjerë u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.

Një tërmet me magnitudë 3.9 është regjistruar pasditen e sotme në Linguaglossa, në zonën e Katanias, në Siçili. Epiqendra e lëkundjeve ndodhej rreth 7 kilometra larg qendrës së banuar. Tërmeti ka shkaktuar hapjen e çarjeve përgjatë thyerjes së Pernicanës, e lidhur me aktivitetin vullkanik të Etnës. Si pasojë, është çarë edhe rruga që të çon drejt Piano Provenzana, në zonën Ragabo–Clan dei Ragazzi. Për arsye sigurie, restorantet që ndodhen në zonën e prekur janë evakuuar në mënyrë parandaluese.

"Anijet e ndryshkut" në Vlorë vijojnë të gëlltisin para nga buxheti i shtetit, KESH planifikon tender 20 mln euro për TEC-et që nuk prodhojnë energji

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme