Ekskluzive 1 November 2024, 21:49 Nga VNA

Spiropalizimi i Kushtetutës/ A po kalon kryetarja e kuvendit “Rubikonin” e reformës në drejtësi

Ndaje në Whatsapp
Spiropalizimi i Kushtetutës/ A po kalon kryetarja e kuvendit

VNA ka mësuar se në mbledhjen me dyer të mbyllura të KED, ku po diskutohej për kandidaturat lidhur me vakancën në Gjykatën Kushtetuese, përfaqësuesja e OPDAT ka theksuar se është e rëndësishme që të respektohet parimi kushtetues i përtëritjes së Gjykatës Kushtetuese me tre anëtarë çdo tre vjet.

Në fakt, ky rekomandim i Venecias është një nga shtyllat themelore mbi të cilat funksionon Gjykata Kushtetuese, duke siguruar rifreskimin e mandatit të anëtarëve të saj për të ruajtur numrin e plotë të anëtarëve dhe për të shmangur kolapsin, siç ka ndodhur në të shkuarën. Megjithatë, jo vetëm rekomandimi i Venecias, por edhe vetë Kushtetuta nuk janë marrë parasysh nga Kryetarja e Kuvendit, e cila ka vendosur të zgjasë mandatin e Elsa Toskës, që përfundonte në vitin 2025. Elisa Spiropali ka vendosur veton kundër opinionit të Zyrës Juridike të Kuvendit, duke e zgjatur mandatin e Elsa Toskës deri në vitin 2028.

Kjo manovër, me gjasë, do të përdoret si model për të zgjatur mandatet e dy anëtarëve të tjera, Olta Zaçes dhe Sonila Bejtes, të cilat duhet të largohen nga posti në vitin 2025. Me një të renë të lapsit, Elisa Spiropali ka shkelur Kushtetutën me bekimin e qartë të mazhorancës dhe opozitës, të cilat, në sinkron, heshtin për këtë çështje, duke vënë vulën e një marrëveshjeje të re që cënon Gjykatën Kushtetuese.

Pas mbledhjes së sotme të KED, duket se politika ka mbetur i vetmi mekanizëm për të zhbërë lëmshin e krijuar nga “spiropalizimi” i Kushtetutës. Dhe meqë politika këtë herë po e heq vallen sipas qemanes që i bie Elisa, me gjasë Komisioni i Ligjeve dhe, më tej, Parlamenti do të vazhdojnë vallen në sinkron, deri në përmbushjen e orekseve të politikës. Sfida e radhës e politikës shqiptare në tërësi tashmë lidhet me SPAK-un dhe Gjykatën Kushtetuese. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme dhe vendimet e pritshme të GJK  për përgjimet e Sky/Encro dhe masën e ndalimit për Sali Berishën janë ethet e temperaturës së lartë të mazhorancës dhe opozitës në këtë fundviti.

Ndërkohë, Elisa dhe shoqet e saj në godinën ngjitur me zyrat e Kuvendit mund të argëtohen duke ndërruar kostumet dhe duke qeshur me batutat e Edi Ramës se “reformën në drejtësi e solli ai dhe Noc Rroku”. Por, mirë do të kishte qenë që, në kohën e lirë, të hapnin arkivat për të parë se si, disa vite më parë, shefi i Elisës dhe Sali Berisha, me shokë, erdhën në rresht (me ose pa dëshirë) për të votuar me 140 vota reformën në drejtësi. Dhe ndoshta në të njëjtat arkiva mund të gjejnë fakte se të njëjtët faktorë dhe aktorë që u kujdesën për votat e 140 deputetëve të Kuvendit, sot shprehin rezerva në KED për mënyrën se si po shkelet Kushtetuta për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ndoshta…

Video

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme