Politika 18 June 2026, 10:53 Nga VNA

SPAK: 279 mijë dollarët e lobimit në SHBA ishin produkt korrupsioni, Meta i pastroi përmes kontratave të LSI-së  

Ndaje në Whatsapp
SPAK: 279 mijë dollarët e lobimit në SHBA ishin produkt

Prokuroria e Posaçme vijoi të enjten me leximin e kërkesës për gjykim ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, duke zbuluar detaje të reja mbi pagesat për lobimin në SHBA dhe mënyrën se si, sipas SPAK, janë fshehur fondet e dyshuara si produkt korrupsioni.

Prokurori Sotir Kllapi deklaroi se nga verifikimet e kryera ka rezultuar se kompania amerikane GSIS kishte faturuar 416 mijë dollarë për shërbimet e saj, por vetëm 93 mijë dollarë ishin paguar nga llogaritë e LSI-së. Hetimet zbuluan se kompania kishte organizuar takime të Ilir Metës me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe institucioneve të tjera amerikane, ndërsa pagesat kishin vijuar edhe pas afatit tre mujor të parashikuar në kontratë.

SPAK ka verifikuar edhe shpenzimet e përfaqësuesve të GSIS gjatë qëndrimeve në Shqipëri. Sipas prokurorit, disa prej tyre janë paguar nga Adrian Shatku, ndërsa letërporositë e dërguara në SHBA kanë identifikuar llogari bankare dhe kompaninë e tij, Unify Com INC, si burim pagesash për shumicën e faturave.

Nga 18 faturat e lëshuara nga GSIS, vetëm tre rezultojnë të paguara nga LSI. Dymbëdhjetë të tjera janë shlyer nga kompania e Adrian Shatkut, ndërsa për 93 mijë dollarë të tjerë nuk ka të dhëna të qarta.

Prokuroria pretendon se 279 mijë dollarë janë produkt i korrupsionit dhe se janë maskuar si pagesa të ligjshme përmes kontratave të lobimit. Për këtë arsye, sipas SPAK, Ilir Meta, në cilësinë e kryetarit të LSI-së, ka konsumuar veprën penale të pastrimit të parave.

Ndërsa prokurori lexonte faktet, Ilir Meta ndërhyri në sallë duke akuzuar gjyqtarin Erion Bani për njëanshmëri.

“Jeni ekstremisht i njëanshëm”, iu drejtua Meta kryesuesit të seancës, pasi nuk iu dha fjala gjatë relatimit të prokurorit.

Gjyqtari Bani iu përgjigj se nëse kishte kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues, duhej ta paraqiste sipas procedurës.

“Jeni shumë të mirë. Më e mira prej jush është Irena Gjoka”, u përgjigj Meta me ironi nga kafazi i të pandehurit.

Pas dosjes CEZ-DIA dhe akuzave për financime të padeklaruara, SPAK pretendon tashmë se një pjesë e parave të përdorura për lobimin në SHBA nuk kanë qenë fonde politike të LSI-së, por para me origjinë korruptive të futura në qarkullim përmes kontratave të paraqitura si shërbime të ligjshme.

Kllapi: Në 2008–2009 Meta dhe Kryemadhi kanë jetuar në zonën e ish-Bllokut.
Meta do të blinte një apartament në rrugën “Vaso Pasha” për 400 mijë euro, ndërsa një kat më poshtë Fatime Kryemadhi do të blinte një apartament për 300 mijë euro.

Më herët Monika Kryemadhi ka marrë disa overdrafte nga një bankë e nivelit të dytë, të cilat janë shlyer në një kohë të shkurtër nga Fatime Kryemadhi, atëkohë pensioniste.

Ka dyshime se shumat e parave të marra nga Monika Kryemadhi nuk janë përdorur, por janë depozituar nga Fatime Kryemadhi.

Në 2009 bashkëshortët kanë vendosur të blejnë një banesë në shumën 400 mijë USD, ndërsa Fatime Kryemadhi një tjetër për 310 mijë euro.

Për shlyerjen e kësaj kontrate Meta dhe Kryemadhi kanë marrë një kredi prej 200 mijë USD. Për shumën tjetër kanë pretenduar se do të përdornin 200 mijë USD cash, që u kishin mbetur nga një transaksion i pakryer për një vilë në Qerret.

Fatime Kryemadhi jo vetëm që ka depozituar shuma cash, por të dyja kreditë janë shlyer në bankë brenda 7 muajve.

Në total, Fatime Kryemadhi rezulton me një disbalancë prej 810 mijë eurosh. Mekanizmi i lidhjes së dy kontratave të ndryshme dyshohet se është bërë për të futur në rrugë bankare shuma monetare pa burim të ligjshëm.

Meta dhe Kryemadhi nuk kishin mundësi për këto shuma, por as Fatime Kryemadhi. Kjo e fundit kishte mundësi vetëm për 100 mijë euro.

Në banesën e saj janë gjetur tre fatura për tërheqjen e 235 mijë USD, por të firmosura nga personi që u shiti apartamentin bashkëshortëve Meta-Kryemadhi.

Rezulton se për të tre ekziston një disbalancë prej 846 mijë USD. Janë vetëm 200 mijë USD të ligjshme, të ardhura nga kredia.

Ilir Meta: Fuqia ime është korrektesa. Unë ngrita gishtin, kërkova leje, ju thatë: mos prisni solemnitet.

Unë e bëra, sepse prokurori nuk e filloi aty ku e kishte lënë, por replikoi mbi ato që unë thashë në seancën e kaluar.

Ne jemi në një marrëdhënie keqbesimi për shkak të veprimeve që ka kryer organi i procedurës. Jemi dakord për dëshmitarët, të thirren të gjithë.

Për ekonomi gjyqësore, a u qëndrojnë ata atyre që kanë thënë? Kjo për shkak se më pas duhet të pyesim dëshmitarë të tjerë.

Tani, për mosdeklarimin: unë çfarë nuk kam deklaruar në vitin 2020? Çfarë? A kam firmosur unë një deklaratë të bashkëshortes, në mirëbesim? Mbase e kam bërë.
(Ndërhyn Monika: Jo, nuk e ke bërë.)
Tregojini gjykatës një shpenzim timin. Thatë që me kartën time janë paguar kaq mijë euro. Unë nuk kam pasur kartë.
Unë nuk kam qenë në asnjë dyqan në Londër, përveç dyqaneve të Celtic.

I lutem të individualizohen. Nëse unë kam bërë një shpenzim, të më thuhet. Nëse i ka bërë zonja, është madhore, mund të përgjigjet ajo. Ajo dhe Fatime Kryemadhi kanë pasur të ardhura, pasi kanë zotëruar sipërfaqe trualli të ligjshme.

Unë nuk jam marrë kurrë me shpenzime familjare, as me blerje shtëpish apo të tjera. I ka bërë zonja.

Meta: Nuk ka asnjë lidhje mes zonjës Kryemadhi dhe CEZ Dia. Tek CEZ Dia jam unë, nuk ka askush tjetër. Romeo Kara duhet të vijë këtu. Ka bërë një akt të shëmtuar, ka kërcënuar kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Në fillim të kësaj seance, prokurori Kllapi nuk ka pasur vullnetin të bëjë prokurorin në çështjen e lobimit. Shpresoj ta ketë gjykata vullnetin.

Marrëdhënia mes LSI dhe GSIS ka nisur me një email. Kjo kontratë nuk është firmosur nga Ilir Meta, por nga përfaqësues të LSI.

Qëllimi i kontratës ka qenë Reforma në Drejtësi. Në janar ka ardhur qëndrimi i Komisionit të Venecias. Më vonë grupet parlamentare dërguan qëndrimet tek ky Komision.

Kontrata është e qartë: çdo faturë e shpenzimeve paguhet brenda 45 ditëve kalendarike nga marrja e faturës. Për këtë autorizohet një pagesë nga llogaria e LSI tek llogaria e GSIS.

Ajo që nuk thonë zotërinjtë është se kontrata është lidhur më 3 shkurt. Por a vazhdon kontrata?

Ata (prokurorët) kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe gjykatën.

Kontrata parashikon se nuk mund të bëhet asnjë veprim pa pëlqimin e palës tjetër.

Video

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme