Marrë nga Monitor/ Nga Fatos Fico, Ekspert i zhvillimit të qëndrueshëm
Standardet europiane nuk arrihen as në kohën shtesë, duhet të ndryshojë përqasja me arritje, beton, e turizëm për të pasur bujqësi prodhuese e ushqim me standarde dhe të përballueshëm.
Për të kuptuar paradoksin e integrimit evropian të Shqipërisë, mjafton të dëgjosh se si flitet për ushqimin. Pak ditë më parë, Kryeministri Rama mblodhi industrinë agro-ushqimore për t’u dhënë një mesazh të qartë nga lart poshtë: koha po mbaron, jemi në kohën shtesë nga viti 2030 anëtarësimi tashmë në vitin 2035, në pesë minuta u shtuan pesë vjet bashkë me “akuzën”, jeni ju që po na lini jashtë.
Afati i vitit 2030/2035 për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian për më tepër u dha dhe si një ultimatum mbijetese. “Ata që nuk do të jenë gati,” paralajmëroi ai, do të përballen me një “humnerë falimentimi”.
Përtej retorikës dramatike, qeveria si rrallë herë e ka kuptuar se çfarë kërkohet, Bashkimi Europian nuk bën kompromis me atë që fut në stomak, apo brenda vetes. Por, aty ku Kryeministri shfajëson qeverinë dhe ia faturon koston “neglizhencës alla shqiptarçe”, fshihet realiteti i hidhur në terren.
Problemi i vërtetë nuk është thjesht arritja e standardeve europiane, por dështimi kronik për të zbatuar qoftë dhe vetë ligjet bazike shqiptare të sigurisë ushqimore.
Shembujt e këtij dështimi janë të përditshëm, thertore pa asnjë kontroll veterinar, tregtim mishi në bagazhe makinash anës rrugës, qumësht që shitet rrugëve në bidonë plastikë të përdorur më parë, sasi djathi të dyshuara të prodhuara me vaj palme, e qumësht pluhur, dhe mungesë e gjurmueshmërisë së tufave që mban ende gjallë sëmundje si bruceloza e të tjera.
Të dhënat tregojnë një panoramë edhe më të errët: mbi 26% e mostrave të qumështit në kryeqytet i kalojnë limitet e BE-së për Aflatoksinën, duke bartur rrezik të lartë toksik, veçanërisht te fëmijët, ndërsa ngarkesa bakteriale në qumështin e tregut informal kap shifra alarmante prej mbi 1 milion cfu/ml (njësi formuese bakteriale).
Për krahasim, standardi i BE-së kërkon që ky nivel të jetë rreptësisht nën 100,000 cfu/ml — një tregues minimal që garanton se qumështi është mjelë me pajisje të pastra dhe është ftohur menjëherë. As produktet e tokës nuk shpëtojnë.
Në tokat bujqësore pranë ish-zonave industriale, si në Elbasan, perimet rriten me nivele nikeli dhe kromi që tejkalojnë normat e OBSH-së, ndërsa në zona të caktuara ujërat sipërfaqësore që shërbejnë për vaditje shënojnë përqendrime të pesticideve toksike si p.sh. atrazina apo lindani të përdorura këto dekada më parë mbi 8 herë më të larta se normat.
Instituti i Shëndetit Publik regjistron rreth 56,000 raste të infeksioneve gastrointestinale në vit në Shqipëri. E përkthyer për frymë, kjo është një normë jashtëzakonisht më e lartë krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, ku falë standardeve të rrepta, sëmundshmëria nga ushqimi i pasigurt është minimale.
Përgjithësisht në ekonomi dhe sigurinë ushqimore vlen një rregull i artë, parandalimi është masa më e mirë. Çdo 10 euro të shpenzuara që në fillim për të parandaluar rreziqet përmes krijimit të standardeve e kontrolleve, kursejnë 100 euro nesër për mitigimin e krizave shëndetësore dhe dëmeve. Mungesa e këtyre investimeve për standarde në bujqësi dhe agro-përpunim po sjell shumë më tepër sesa thjesht dëmtimin e vetë sektorit.
Ato po vonojnë dhe përthithjen e qindra milionë eurove nga Bashkimi Evropian, në rast se do të ishim vend anëtar apo vend që ka mbyllur negocimin si Mali i Zi. Fondet europiane nuk do të ndihmonin vetëm bujqësinë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por do të injektoheshin e rigjallëronin të gjithë zinxhirin e ekonomisë kombëtare si dhe per programe sociale ku Shqipëria si vend i varfër kundrejt atyre të EU është përfitues net i madh.
Të përpiqesh të zbatosh standardet e sigurisë ushqimore të Bashkimit Europian në Shqipëri do të thotë të përplasesh me forcën më të madhe të ekonomisë së saj: “sindromën e ndërtimit” dhe të pronës.
Kur qindra miliona euro u vënë në dispozicion nga Brukseli për të modernizuar sektorin agro-ushqimor, ndodhi një mutacion i çuditshëm, Ministria e Bujqësisë dhe agjencitë si AZHBR pushuan së vepruari si rregullatorë e mbështetës të prodhimit bujqësor, por dhe agropërpunimi si biznes pothuaj pushoi së qeni teknologji ushqimi. Të dyja palët filluan të silleshin si zhvillues të pasurive të paluajtshme.
Nga ana e saj Ministria e Bujqësisë veproi si Ministri Ndërtimi e Agjenci për Zhvillimin e Turizmit së bashku, e jo si mbikëqyrëse e sigurisë ushqimore. Institucione si AZHBR e keqkuptuan plotësisht rolin e tyre, duke u transformuar në një shtojcë të Ministrisë së Turizmit duke shpërndarë fonde për agroturizma, hotele e bujtina luksoze, duke lënë pas dore thelbin e ushqimit, zinxhirin e prodhimit dhe sigurinë ushqimore.
Pse ndodhi kjo? Në një pjesë të politikës si dhe në një pjesë të shoqërisë mbijeton ende i paprekur mentaliteti i vjetër socialist i “ngritjes së veprave”, shifrave, krahasimeve me të kaluarën, pa llogaritur e planifikuar se në çfarë realiteti prodhohet dhe për çfarë. Për një klasë politike që e ushqen shoqërinë më së shumti me propagandën e imazhit, rëndësi ka të hidhet betoni, të ngrihet godina dhe të pritet shiriti.
Burokratët shqiptarë duhet ta dinin fare mirë se çfarë kërkonte Europa, standardet, gjurmueshmëri, laboratorë, por zgjodhën ta injoronin mikroskopin për të përdorur metrin dhe fasadën. Standardet, arsyet ekonomike, apo kërkesat e tregut për ushqim të sigurt u anashkaluan me logjikën cinike: “Punë e madhe! Rëndësi ka që duken bukur në videot me dron e reportazhe.”
Pajisjet laboratorike e standardet, nga ana tjetër, janë investime memece, ato nuk bëjnë zhurmë mediatike. Ndaj, skemat e granteve u orientuan për të financuar zgjerimin fizik. Shteti dha para që të hidheshin themele të reja, dhe u bazua në një sistem auditimi ku suksesi i një fabrike qumështi matej me metra katrorë llamarinë dhe beton, dhe jo me numrin e bakterevea qelizave somatike në qumështin e stallave dhe se si qumështi lokal i përpunuar të jetë konkurrent me atë të importit.
Nga ana tjetër, agropërpunuesit nuk e panë veten si prodhues ushqimi, por si investitorë imobiliarë. Kundrejt “parasë së falur” europiane dhe shqiptare, ata nuk përdorën inxhinierë mjedisi apo teknologë për të mbyllur ciklin e mbetjeve, ose i përdorën vetëm formalisht sa për të kopsitur letrat, më të rëndësishmit ishin arkitektët dhe brigadierët e ndërtimit. U zgjeruan kapanonet, u ndërtuan salla pritjeje me xhama të mëdhenj dhe u blenë linja prodhimi për të prodhuar sa më shumë volum. Në mendësinë e biznesit shqiptar, statusi dhe suksesi tregohen nga madhësia e godinës, jo nga certifikatat e laboratorit.
Të gjithë e trajtuan IPARD-in ashtu siç trajtojnë çdo kapital tjetër në vend: si një mundësi investimi për të shtuar sipërfaqen fizike të pronës së tyre apo krijuar një të re, më vonë nëse fabrika apo stalla nuk ecën, e kthejmë në agroturizëm, paratë e shtetit nuk mbarojnë kurrë, ose në rastin më të keq e shesim si pronë.
Rezultati i këtij pakti është një peizazh agro-ushqimor thellësisht paradoksal. Ndërsa viti 2030 po afron me shpejtësi, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që po e pret Brukselin me fabrika shpesh fizikisht mbresëlënëse, por biologjikisht të dyshimta. Të dyja palët shteti dhe biznesi ndërtuan me sukses “kulla”, por harruan një detaj fatal, Bashkimi Europian nuk financon “kulla”, ai financon “kanalizimet” brenda tyre dhe po në mënyrë figurative a ka kazanë plehrash pranë kullës apo mbeturinat hidhen në përroin më të afërt.
Inspektorët e BE-së pikërisht këto kontrolluan e konstatuan, ata nuk matën lartësinë e mureve, apo gjerësinë e oborreve, por pastërtinë e tubave të linjave dhe mënyrën se si menaxhohen mbetjet. Këto investime të ndërtuara mbi logjikën e betonit, u shembën me prova të thjeshta laboratori e standardesh, nga 900 impiante asnjë nuk kalon.
Në të njëjtin takim, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, përdori një gjuhë shumë më të butë, duke folur për “besim”, “kategorizim” dhe një grant prej 12.5 milionë eurosh si mbështetje. Por për veshët e një pronari thertoreje të madhe lokale, i cili duhet të ndërtojë tani me paratë e veta një incenerator qindra mijëra eurosh për mbetjet shtazore, kjo shifër është një iluzion.
Ato para do të shkojnë më së shumti dhe si shumë herë për asistencë teknike, për të paguar ekspertë të huaj, për të trajnuar inspektorët e shtetit dhe për kompjuterë në zyrat e qeverisë. Asnjë qindarkë nuk do të shkojë nga ato për makineritë që i duhen biznesit për të mbijetuar.
Ata duhet të presin fondet e IPARD në mungesë të atyre të qeverisë shqiptare, e cila tashmë nuk ka as besim te administrata e saj dhe duhet të presë dhe ajo IPARD-in që të lëvrojë sërish fonde me shpresën dhe iluzionin se do ketë kritere dhe kontrolle europiane që ndoshta do të bëhet diçka ndryshe sipas politikave europiane, të cilat ajo vetë nuk mundet t’i detyrojë.
Këtë e tregoi fjala e Kryeministrit Rama pa asnjë aksion konkret apo mbështetje financiare si për bizneset, por dhe për kontrollet për të cilat do të jepen këto 12 milionë euro. Ndërsa u tregonte biznesmenëve gishtin e falimentimit, ai nuk ofroi asnjë fond nga buxheti i shtetit.
Nuk pati asnjë premtim të tipit: “Meqenëse Europa po na jep 12.5 milionë, ne si qeveri do të japim të paktën edhe 10 milionë të tjera për t’ju mbështetur që prodhimi që vjen tek ju nga serrat e stallat do të ketë kontrolle e standarde, nuk do të rrini në radhë me ditë për kontrolle kufitare në doganë sepse laboratorët do të çertifikohen, e aq më tepër, kjo e fundit kundrejt rritjes së besueshmërisë së konsumatorëve vendas ndaj prodhimeve shqiptare”.
Por, edhe një plan konkret në kohë e hapësirë se si do t’i integrojmë dhe ndryshojmë këto biznese hap pas hapi në ekonominë e rregullave të forta. E gjithë retorika mbeti vetëm te kërkesat e ftohta, pa marrë asnjë përgjegjësi për ndarjen e kësaj barre dërrmuese rregullatore e financiare.
Dhe sikur të mos mjaftonte ky hendek mes nevojave dhe mbështetjes, hija e të kaluarës e bën situatën edhe më të zymtë. Rreth 200 milionë euro nga programet e kaluara IPARD rezulton të jenë investuar me efektivitet të ulët, sidomos përsa i përket ngritjes reale të standardeve të sigurisë ushqimore.
Përkundrazi, për shkak të abuzimeve të zbuluara, Bashkimi Evropian jo vetëm që ka mbyllur rubinetin, por i ka kërkuar qeverisë shqiptare të kthejë mbrapsht 33 milionë euro të shpërdoruara. Me këtë njollë besueshmërie, fati i programit të ri IPARD III është thellësisht në diskutim dhe nuk dihet nëse do të rifillojë së shpejti, duke i lënë bizneset thatë pikërisht në momentin kur po u vendoset laku i standardeve europiane.
Historia e zgjerimit të BE-së tregon se askush nuk i ka arritur standardet vetëm me vullnet të mirë. Përpara se të anëtarësohej, Polonia mori rreth 700 milionë euro grante direkte nga programi SAPARD, ekskluzivisht për modernizimin rural dhe atë të thertoreve. Rumania mori afro 1 miliard euro.
Më afër nesh, Kroacia shërben si shembulli më i freskët dhe më i mirë i këtij transformimi. Përpara anëtarësimit, ajo përdori qindra miliona euro nga fondet IPARD për të “blinduar” thertoret dhe fabrikat e qumështit. Sot, Kroacia nuk është vetëm një prodhues me standarde, por edhe portë hyrëse kontrolli europiane. Ajo është vija e parë kufitare që bllokon pamëshirshëm çdo produkt pa standarde që vjen nga jashtë BE-së dhe veçanërisht Shqipëria.
Ky është dhe një rol që pritet ta luajë në të ardhmen edhe Shqipëria, të kthehet në një doganë sanitare që nuk lejon produktet pa standarde ushqimore të vendeve të treta jo-EU të futen në Union. Por, ndërsa Kroacia e ndërtoi këtë mburojë me përdorimin e drejtë të fondeve europiane, Shqipërisë i kërkohet faktikisht të bëhet gardiane e Evropës me xhepat bosh. Në letër, Shqipëria nuk ishte e përjashtuar.
Vetëm programi i fundit, IPARD III, kishte të alokuara plot 112 milionë euro drejtpërdrejt nga BE, një buxhet që kapte 146 milionë euro bashkë me financimin kombëtar për të ngritur fabrika, blerë teknologjinë e mbetjeve dhe garantuar gjurmueshmërinë.
Paralelisht me fondet për biznesin, Europa nuk e ka lënë pas dore as shtetin. Ndër vite, ajo ka financuar me dhjetëra milionë euro të tjera, si dhe granti i fundit prej 12.5 milionësh për institucionet si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB). Këto fonde europiane janë dhënë ekskluzivisht për rritjen e kontrolleve, trajnimin e inspektorëve, blerjen e pajisjeve laboratorike dhe funksionimin e sistemeve të gjurmueshmërisë ushqimore.
Pra, paratë për të arritur standardet u dhanë nga Brukseli si për shtetin ashtu edhe për privatin, por sot, për shkak të abuzimeve, keqmenaxhimit dhe moskuptimit të rolit që duhet të luajë Ministria dhe të moskuptimit me dashje apo prej paaftësisë të politikës bujqësore dhe të ushqimit europiane, Shqipëria e gjen veten të papërgatitur. Pa fonde dhe pa një sistem të besueshëm kontrolli.
Por, sidoqoftë korrupsioni duket e keqja më e vogël sepse dikur ai do të kapet nëse jo nga drejtësia shqiptare, nga OLAF europian, por zhurma e madhe e korrupsionit mbulon thelbin e problemit, sa e kuptojmë politikën europiane për bujqësinë dhe ushqimin dhe sa rëndësi ka ajo për integrimin ,por dhe për ne vetë si konsumatorë që paguajmë çmime edhe më të kripura se Europa vetë për ushqime jo me standarde, jo rrallë as sa ato shqiptare që në vite janë përafruar sadopak.
Sidoqoftë kuptohet, është shumë më e lehtë të bësh korrupsion kur punohet “me beton” që shitet lehtë si arritje, sesa me standardet që kërkojnë punë e investime të mirëfillta si në teknologji ashtu dhe në njohuri.
Çfarë ndodh nëse shteti e zbaton këtë ultimatum moskokëçarës në kushtet aktuale?
Situata bëhet edhe më alarmante po t’i shtojmë ekuacionit peshën mbytëse të krizës energjetike. Industria e përpunimit të mishit dhe qumështit varet tërësisht nga dhomat frigoriferike dhe linjat teknologjike me konsum masiv të energjisë, duke qenë energjia një nga kostot më të larta të prodhimit.
Një qeveri që kërkon standarde, mund të përgjigjet edhe me alternativa konkrete, tranzicioni në energjinë e gjelbër mund të ishte një formë investimi për të ulur kostot. Instalimi i impianteve fotovoltaike do t’u jepte frymëmarrje këtyre bizneseve, por realiteti i faturave është kokëfortë. Një impiant diellor i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e një fabrike të mesme kushton nga 70,000 deri në mbi 150,000 euro.
Në fakt, përtej fjalimeve diplomatike, edhe Bashkimi Europian i ka instrumentet reale për të ndihmuar në këtë drejtim. Përmes programeve si Plani Ekonomik për Ballkanin Perëndimor ose linjave specifike të financimit, si GEFF i mbështetur nga BE dhe BERZH, ofrohen paketa ku bizneset që instalojnë teknologji të gjelbër përfitojnë grante që u kthejnë mbrapsht 15-20% të investimit.
Por, që një thertore apo baxho e vogël në Shqipëri të arrijë t’i kthejë këto aplikime komplekse fondesh në panele mbi çati, duhet një shtet që i mban për dore. Me IPARD-in e paralizuar, fondet e të cilit çdo rast janë më pak sesa nevojat reale, qeveria duhet të kthehet me urgjencë në garant dhe udhërrëfyes për këto fonde alternative evropiane të energjisë, e jo t’i lërë bizneset të vetëm në mëshirën ë tregut të naftës.
Sidoqoftë, pa këtë urë lidhëse mbështetjeje qeveritare, pjesa dërrmuese e qindra subjekteve të vogla dhe të mesme, të pamundura të marrin kredi apo të gjejnë fonde vetëm për të mbijetuar ndaj rregullave europiane, faturave të energjisë dhe lëndëve të para, do të mbyllen.
Kreditë e lehtësuara nga qeveria duhet të drejtohen drejt bizneseve agropërpunuese dhe jo drejt fermerëve të cilët kanë së pari nevoja për më shumë grante dhe subvencione. Ashtu si fermerët europianë të cilët i marrin këto subvencione sepse plotësojnë standardet e prodhimit dhe respektojnë natyrën, dhe jo apriori.
Përkundrazi, në momentin që prodhimi dhe mjedisi i fermës nuk plotësojnë standardet, subvencionet ndërpriten, çfarë do të thotë automatikisht falimentim për çdo fermë apo fermer në Evropë. Pa sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, përpunimi i mishit dhe qumështit dhe të tjera do të përqendrohen në duart e pak kompanive të mëdha oligopolistike, të cilat mund të kenë pasur si kapitalin e tyre, ashtu edhe aksesin kryesor në fondet e kaluara. Më tej, me pak aktorë në treg tabloja bëhet pak e zymtë, por është analizë tjetër.
Zoti Rama e mbylli fjalimin e tij duke treguar anekdotën e Aleksandrit të Madh, ku pasuria nuk merret në botën tjetër. Në fakt, Aleksandri vdiq kur ishte duke bërë plane edhe më të mëdha ekspansioni dhe aspak nuk po krijonte meme facebook-iane si fakir nga India se si të falte pasurinë. Por, për industrinë agro-përpunuese shqiptare, rreziku nuk është pasuria e marrë në botën tjetër, por ajo e shprehjes sonë të vjetër, “atëherë kur u mësua gomari pa ngrënë, ngordhi”.
Qeveria po kërkon që biznesi e fermerët të “mësohen” me standardet e larta të Brukselit dhe të përballen të vetëm me luftën e standardeve dhe krizën e energjisë, pa u ndihmuar, as me politika, as me plane të qarta, ndihma financiare, udhëzime, e as me fonde afatgjata. Rezultati më i mirë i kësaj në terma futbollistikë do të jetë një shtesë e shtesës nga 2030 në 2035, e më tej në 2040, jo se viti ’40 ka ndonjë asocacion.
Por, me Europën tashmë në kufi në Malin e Zi dhe ndoshta Maqedoninë së shpejti, Shqipëria nuk do jetë e rrethuar vetëm me shqiptarë, por më së shumti me europianë, që ne nuk po arrijmë formalisht të quhemi.






















