Pas fillimit të luftës në Lindjen e Mesme, rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare u reflektua brenda katër ditëve në tregun vendas të pakicës. Nga 175 lekë për litër, që tregtohej më parë, nafta arriti në 179 lekë për litër, me një rritje prej 4 lekësh për litër ose 0.04 euro për litër.
Ndërsa çmimi mesatar i naftës në muajin mars arriti në 210 lekë për litër ose 2.1 euro për litër. Krahasuar me muajin shkurt, çmimi u rrit me 20%.
Pas naftës, efekti zinxhir i krijuar në tregjet ndërkombëtare solli shtrenjtim deri në 20% të tarifave të transportit ndërkombëtar të mallrave me kamionë dhe anije, si dhe rritje të çmimeve të inputeve bujqësore me 30 deri në 50%.
Duke qenë se shtrenjtimi i çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare shtoi rrezikun e një vale të re inflacioni të importuar edhe në Shqipëri, i ndikuar nga mungesa e prodhimit vendas të naftës, varësia e madhe nga importet ushqimore dhe dobësitë e prodhimit vendas, ekspertët rekomanduan masa me ndërhyrje fiskale, përfshirë ulje të përkohshme të taksave.
Shoqata e Hidrokarbureve propozoi rishikimin e taksës së qarkullimit. Në një propozim të detajuar, aktorët e tregut sugjerojnë që taksa aktuale prej rreth 32.4 lekë për litër të hiqet nga çmimi i karburantit dhe të zëvendësohet me një tarifë vjetore të drejtpërdrejtë mbi automjetet, të diferencuar sipas kategorive dhe ndikimit në infrastrukturë. Sipas llogaritjeve të Shoqatës së Hidrokarbureve, kjo do të sillte rënie të çmimit me 9 lekë për litër.
Përveç shtrenjtimit të çmimeve të karburanteve, përshkallëzimi i sulmeve në Lindjen e Mesme dhe vijimi i mbylljes së Ngushticës së Hormuzit krijoi pasiguri dhe frikë për mungesën e naftës në treg. Situata riktheu edhe një herë në vend debatin mes ekspertëve për rikthimin e aktivitetit në ish-rafinerinë e përpunimit të naftës në Ballsh.
“Pas vitit 2005, qeveria duhej të kishte bërë një planifikim për ndërtimin ose modernizimin e një rafinerie në Ballsh, me qëllim përpunimin e naftës për konsum në tregun vendas. Ky do të ishte i vetmi shpëtim për raste krizash për industrinë dhe konsumatorët vendas. Sot nuk kemi asnjë litër përpunim në vend, gjë që e bën çështjen e rindërtimit të një rafinerie shumë të domosdoshme. Shteti mund të mos e realizojë vetë, por rafineria mund të ndërtohet me koncesion”, tha për “Monitor”, ish-drejtuesi i rafinerisë ARMO për vitet 2003–2005, Përparim Hajnaj. Por kryeministri Edi Rama, i pyetur më herët nga gazetarët në një konferencë për shtyp, tha se kjo çështje është e pamundur të realizohet për shkak të kostove të larta.
Eksperti i ekonomisë, Alban Zusi, rekomandoi ndërhyrje me masa të ngjashme fiskale, ashtu siç po ndodh edhe në shtetet e tjera europiane.
“Duhet të ndërhyhet me masa fiskale dhe me reduktim të taksave. Nëse nga një produkt, qeveria arkëtonte 20 lekë taksa dhe tani po merren 25 lekë, kjo diferencë që krijohet nga rritja e çmimeve duhet të hiqet. Gjithashtu duhet të kalohet në një tarifë fikse për këtë periudhë për karburantet, përfshirë naftën dhe gazin, me qëllim që të ndihmohen industritë vendase që përdorin gaz si lëndë djegëse dhe ato që përdorin naftë për transport.
Duhet të merren masa për të lehtësuar industritë prodhuese që të mos falimentojnë në këtë periudhë krize dhe të shërbejnë si mbështetëse dhe amortizuese të çmimeve. Aty ku shteti po merr taksa më të larta të pamerituara, më shumë sesa është rritur nafta në tregjet e huaja, duhet të kalohet në tarifë fikse. Taksat mbi naftën të mos përbëjnë më 50% të çmimit, por të jenë fikse”, tha ai.
Eksperti i ekonomisë Arben Malaj tha se rritja e çmimeve të karburanteve dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare pritet të transmetohet gradualisht edhe në ekonominë shqiptare, duke reflektuar efektet e inflacionit të importuar, sidomos për produktet e shportës ushqimore.
Z.Malaj rekomandoi një paketë antikrizë, e cila nuk duhet të ketë në themel ekipet e monitorimit të tregut, por masa lehtësuese dhe mbështetëse. “Hapi i parë duhet të jetë një mbështetje e targetuar mirë, jo për të gjithë, por për klasën e mesme dhe shtresat sociale që meritojnë mbështetje solide të menjëhershme. Së dyti, propozimi për të tatuar më shumë kompanitë që përfitojnë nga rritja abuzive e çmimeve është i domosdoshëm, por këto të ardhura nuk duhet të shkojnë në ‘thesin e madh’ të buxhetit, ku keqpërdoren deri në 1.5 miliardë euro në vit, as për investime publike ku paaftësia dhe korrupsioni i rrisin kostot me rreth 36%”, nënvizoi z. Malaj.
Përveç ngritjes së Bordit të Transparencës, qeveria ka ndërhyrë vetëm përmes miratimit të Aktit Normativ që vendosi ulje të akcizës me 20% në rastet kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe benzina 200 lekë për litër. Në vend, ulja e akcizës u zbatua vetëm për 5 ditë (nga data 3 prill deri më 8 prill), kur çmimi i naftës arriti 224 lekë për litër. Pas kësaj periudhe, Bordi i Transparencës ka vijuar të mbajë çmimin nën tavanin e 220 lekëve.
E pyetur nga “Monitor” në një konferencë për shtyp në fund të muajit mars, se çfarë masash pritet të merren për të ndalur rritjen e çmimeve të produkteve të shportës ushqimore, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se fokusi i institucioneve do të mbetet rritja e mbikëqyrjes së tregut. Ajo tha se pritet të vihen nën monitorim të paktën 80 produkte bazë ushqimore, në përpjekje për të parandaluar abuzimet me çmimet.
Në kulmin e rritjes së çmimeve të karburanteve, qeveria miratoi vendimin për heqjen e skemës së naftës pa akcizë për fermerët, me argumentin se skema ishte në kundërshtim me modelet e BE-së. Nga ana tjetër, u shtuan pagesat për lopë me 2 mijë lekë dhe u ul tavani i numrit të lopëve në ferma nga 10 në 5.
Sipas ekspertëve, fermerët nuk përfitojnë më shumë subvencione nga ndryshimet në Skemën Kombëtare, por përkundrazi humbasin nga heqja e naftës pa akcizë.
“Në një fermë me 100 krerë lopë, pas ndryshimeve të pagesave, fermeri do të përfitojë mesatarisht 150 mijë lekë më shumë, por do të humbasë 500 mijë lekë që merrte nga nafta falas. Dhe kjo humbje vjen në një periudhë mbjelljesh. Sipas një llogarie, nga skema kombëtare, fermeri me 100 krerë lopë humbet 350 mijë lekë në vlerë”, pohoi eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli.
Skema e naftës pa akcizë nisi të zbatohej në vitin 2021, me një fond rreth 1 miliard lekë në vit. Pas vendimit për heqjen e saj, fermerët protestuan para Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke kërkuar subvencionim të naftës të paktën me 100 lekë për litër, pasi nuk arrijnë të përballojnë koston e punimit të tokës në këtë periudhë mbjelljesh.
A po japin masat rezultat? Si kthehet ekonomia në amortizator të krizave?
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndryshuar parashikimet për ecurinë e inflacionit vjetor në Shqipëri. Nga 3% që ishte parashikuar në muajin tetor, tani parashikon që norma e inflacionit të arrijë në 3.7% në vitin 2026.
Në muajin mars, norma e inflacionit arriti 2.6%, nga 2.5% në muajin shkurt. Edhe pse ndryshimi është i vogël (0.1%), ky është niveli më i lartë në dy vite, që nga shkurti i vitit 2022.
Që prodhimi vendas të kthehet në amortizator mbrojtës për konsumatorët, veçanërisht në periudha krizash, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve, Arben Shkodra, rekomandon që qeveria të fokusojë politikat afatgjata në konsolidimin e industrisë përpunuese.
Ai thekson se përparësi duhet të jetë zbatimi i strategjisë së zëvendësimit të importeve dhe rritja e produktivitetit në sektorë ku Shqipëria ka avantazh, si perimet, frutat, bulmeti, bimët mjekësore dhe përpunimi ushqimor.
“Prodhimi vendas mund të amortizojë një pjesë të goditjes së çmimeve, sidomos për produktet e shportës si perimet, frutat, bulmeti dhe vezët, sepse bujqësia në Shqipëri ka peshë të lartë në ekonomi.
Por kjo nuk do të thotë se vendi mund të neutralizojë i vetëm një valë të re ndërkombëtare çmimesh, pasi Shqipëria mbetet e ekspozuar ndaj importeve, kostove të transportit, inputeve bujqësore dhe energjisë.
Në afatgjatë, Shqipëria duhet të ndërmarrë politika që e bëjnë më pak të cenueshme ndaj krizave të jashtme: konsolidim i industrisë përpunuese, rritje e produktivitetit, zinxhirë furnizimi më të shkurtër dhe më të diversifikuar, rezerva strategjike dhe ulje e varësisë nga importet kritike. Vetëm atëherë prodhimi vendas nuk do të jetë thjesht burim furnizimi, por instrument real për stabilitet ekonomik”, tha z.Shkodra.






















