Sociale 26 Prill 2026, 10:17 Nga VNA

Makinat me qira në mbiofertë, trefishohet numri i kompanive; “Garë” me çmime të ulëta

Ndaje në Whatsapp
Makinat me qira në mbiofertë, trefishohet numri i kompanive;

Shqipëria ka parë një rritje të shpejtë të tregut të makinave me qira i cili u trefishua nga viti 2019 në 2025. Kjo lidhet kryesisht me turizmin, i cili vlerësohet si motori kryesor rritës i këtij tregu. Klientët kryesorë janë vizitorët individualë të cilët priren drejt eksplorimit të lirë të destinacioneve të shumta brenda vendit dhe në një kohë të kufizuar. Këtu ka një rol nxitës edhe transporti publik i cili në disa rajone të parapëlqyer për turistët mbetet i kufizuar. Teksa numri i kompanive që kanë aktivitet të makinave me qira është rritur, çmimet kanë hyrë në një garë agresive duke shkuar shpesh nën kosto dhe duke vënë në pikëpyetje planet e biznesit dhe strategjitë. Operatorët pohojnë se ky model biznesi, që ka në bazë vetëm çmimin, nuk është i qëndrueshëm dhe e bën operimin gjithmonë e më sfidues në kushtet kur kostot janë të shumta. Tregu ka gjithashtu nevojë për ndërhyrje në mënyrë që rregullat të jenë të qarta, konkurrenca e drejtë dhe ku çmimi të mos jetë mjeti i vetëm i garës, por pjesë e saj të bëhen cilësia dhe siguria.

Nga 840 operatorë në vitin 2019, numri i kompanive që ofrojnë shërbime makinash me qira mëse u trefishua, duke arritur 2785 në vitin 2025, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Kjo rritje e shpejtë shihet nga operatorët si rezultat i një kombinimi faktorësh, por turizmi mbetet nxitësi kryesor.

Fluksi në rritje i vizitorëve të huaj ka krijuar një treg me mundësi të shumta, por edhe me sfida jo të vogla.

Në 2024-n u shënua numri më i lartë i regjistrimeve me 411 kompani t ë reja, që iu shtuan tregut të makinave me qira. Në 2025-n u regjistruan edhe 395 operatorë të tjerë.

Rritja e konkurrencës ka çuar në një garë agresive me çmimet, që kanë prekur çdo vit nivele të reja të ulëta, veçanërisht jashtë sezonit të njohur si i lartë. Këto çmime, që shpesh në disa periudha janë nën kosto, detyrojnë kompanitë të rishikojnë strategjitë e operimit dhe planet e biznesit, duke i vendosur përpara dilemës për zgjerimin apo jo të flotave.

Por sa i qëndrueshëm është një model biznesi që bazohet kryesisht në garën e çmimeve? Sipas operatorëve, jo shumë. Megjithatë, ata nënvizojnë se operimi nën kosto gjatë sezonit të ulët shpesh amortizohet nga fitimet gjatë sezonit të lartë, duke krijuar një balancë vjetore.

Nuk është ideali, por realiteti me të cilin duhet të përballen çdo ditë.

Shqipëria, si destinacion në rritje, po kalon një fazë tipike për tregjet turistike të shpejta ku ka mundësi të mëdha, por një të ardhme e paqartë për industrinë e makinave me qira. Vetërregullimi nuk është i vetmi opsion që mund të shënonte pikën e kthesës.

Tregu ka nevojë për funksionim më të mirë të të gjitha hallkave, veçanërisht nga shteti, në mënyrë që konkurrenca të jetë e drejtë dhe e barabartë, ku përveç çmimit, pjesë e konkurrencës të jetë edhe cilësia e shërbimit dhe siguria.

Turizmi si motor i rritjes së tregut të makinave me qira

Gjatë vitit 2025, Shqipërinë e vizituan 12.4 milionë të huaj. Shumica e tyre janë individë që udhëtojnë në mënyrë të pavarur dhe parapëlqejnë të eksplorojnë vendin përmes transportit publik ose makinës me qira.

Kufizimet e transportit publik në disa zona e nxisin tregun e makinave me qira, pasi shumë turistë duan të mbulojnë në pak ditë destinacione nga Jugu në Veri dhe alternativa më e mirë është një mjet “personal”.

“Vitet e fundit, turizmi ka funksionuar si motor kryesor i rritjes së tregut të makinave me qira. Nga vëzhgimet tona në terren dhe në platformat ndërkombëtare të ndërmjetësimit të makinave me qira, numri i operatorëve dhe i franshizave është dyfishuar në tre vitet e fundit”, thotë për “Monitor” Dorian Vezuli, CEO i T-Rent sh.p.k. (përfaqësues i Free2move).

Transporti është pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushimeve, dhe makinat me qira janë një alternativë e parapëlqyer edhe në tregje ku transporti publik është i zhvilluar. Në Shqipëri, ato mbeten më të favorshmet për ata që duan të eksplorojnë shumë destinacione në pak kohë.

Eliana Bakiri, administratore e “Top Tours”, shprehet se Shqipëria ende mbetet një destinacion me interes për turistët, por rritja e tregut të makinave me qira nuk ndjek gjithmonë të njëjtin ritëm

“Një faktor kryesor është mungesa e alternativave të transportit publik që mund të sigurojnë fleksibilitet dhe mbulim të shpejtë të destinacioneve. Kjo e bën makinën me qira një zgjidhje praktike. Ne e ndajmë klientelën tonë në dy kategori: ata që marrin makina për periudha të gjata, kryesisht kompani, dhe ata për periudha të shkurtra, kryesisht individë.

Brenda periudhave të shkurtra kemi edhe nënndarje: disa klientë marrin makina për 10 ditë, të tjerë për më pak. Makinat me qira ofrojnë fleksibilitet dhe ky model është i konsoliduar edhe në tregje ku transporti publik është i zhvilluar, siç është rasti i Austrisë”, shprehet ajo.

Gara me çmimet, sa i qëndrueshëm është ky model biznesi

Sot, nëse kërkon një makinë me qira në internet, mund të gjesh çmime aq të ulëta sa të vënë në dilemë rreth leverdishmërisë së këtij aktiviteti. Për shembull, një faqe ofron një mjet Mitsubishi (pa të dhëna të tjera) për 8 euro dita. Në mars, çmimet mund të ishin edhe 10 euro në javë. Pikërisht këto oferta e kanë bërë garën e çmimeve ndër më agresivet në treg.

“Ky ka qenë trendi kryesor gjatë sezonit të dimrit dy vitet e fundit, pa përfshirë shërbimet shtesë si siguracionet apo aksesorët ekstra. Personalisht i konsideroj këto si ‘çmime paniku’. Shumë operatorë, veçanërisht ata me flota të vjetra apo të amortizuara, ofrojnë makina me çmime të ulëta vetëm për të siguruar qarkullim.

Kjo ndodh kryesisht pasi në platformat ndërkombëtare të ndërmjetësve, modelet shfaqen digjitale dhe jo me foto reale, pa vit prodhimi, kështu që klienti nuk e di sa e re apo e vjetër është makina që po rezervon dhe kryesisht zhgënjehet vetëm kur e shikon fizikisht”, shprehet z. Vezuli.

Si përballohen kostot kur çmimet prekin fundin? Kryesisht gjatë sezonit të lartë (ku bën pjesë vera, por edhe disa periudha të tjera të shkurtra gjatë vitit), fitimet kompensojnë çmimet e ulëta të sezonit të ulët.

“Çmimet e tilla nuk përfaqësojnë kostot reale ditore. Ato shpesh reflektojnë zhvillimet e tregut dhe mënyrën se si kompanitë amortizojnë shpenzimet gjatë vitit. Biznesi i makinave me qira ka dy sezone: të lartë dhe të ulët. Shpesh, fitimi i një sezoni kompenson humbjet e tjetrit, duke krijuar një çmim fiks ‘flat price’.

Në Rumani, për shembull, çmimet mund të jenë edhe më të ulëta, deri në 10 cent për ditë. Në këto raste, operatorët mbijetojnë duke ofruar shërbime shtesë. Tregu kërkon aftësi menaxheriale më shumë se thjesht shitje. Njohuria e tregut dhe trajnimi i stafit janë kyç”, nënvizon znj. Bakiri.

Një garë me çmime gjithmonë e më të ulëta nuk është model i qëndrueshëm afatmesëm apo afatgjatë. “Në një treg ku strategjia kryesore mbetet vetëm çmimi, hapi i radhës është falimentimi ose blerja e kompanive më të vogla nga operatorët më të konsoliduar”, shprehet z. Vezuli.

Nga kostot e biznesit tek informaliteti, sfidat e një tregu në rritje

Biznesi i makinave me qira duket i thjeshtë në pamje të parë, por në praktikë i duhet të përballet me sfida të shumta. Së pari, kostot. Në kushtet e këtij vrulli për të kapur klientin me çmimin më të ulët, është bërë gjithnjë e më e vështirë t’i përballosh shpenzimet e shumta disa të parashikueshme e të tjera jo.

Po kështu siguracione të plota, kredi apo financime për shtim flote, riparime, mirëmbajtje e një listë e gjatë që vijon.

“Nëse një operator ka financuar biznesin përmes kredive, paguan siguracionet e detyrueshme dhe kasko, kryen mirëmbajtje të rregullt dhe nuk shmanget nga taksat, e ka tepër të vështirë të operojë pa ndërprerje gjatë gjithë vitit.

Prandaj, disa operatorë po vlerësojnë mundësinë e operimit vetëm gjatë sezonit veror, kur kërkesa e turistëve është më e lartë dhe çmimet justifikojnë kostot operacionale”, pohon z. Vezuli.

Por kjo qasje sjell sfidën tjetër, sigurimin e stafit të kualifikuar dhe të trajnuar, i cili është i vështirë për t’u mbajtur. Ai shton se tregu nuk është ende në kushtet ideale, duke lënë hapësira për përmirësime në kontroll dhe transparencë, që konkurrenca të jetë e drejtë.

Në të njëjtën linjë, znj. Bakiri thekson se Shqipëria ndodhet në një fazë tranzitore dhe tregu nuk është ende i stabilizuar. Arritja e stabilitetit kërkon kohë dhe rolin kryesor duhet ta luajnë institucionet.

Video

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka publikuar pamje nga kamerat e sigurisë (CCTV) që tregojnë autorin e dyshuar të të shtënave gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Digjet makina e gazetarit Sami Curri. Ngjarja ndodhi në qytetin e Ri, Bulqizë, rreth orës 02:45 të mëngjesit të ditës së sotme. Makina ishte e parkuar në afërsi të pallatit ku banonte gazetari. Zjarrvënia dyshohet të jetë e qëllimshme për shkak të detyrës. Policia po heton rrethanat e ngjarjes. Gazetari Curri thotë ky veprim bëhet për t’i mbyllur gojën.

Ky është momenti i të shtënave që shkaktuan panik gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump, u larguan me urgjencë nga salla. Sipas një ndihmësi të Shtëpisë së Bardhë, Trump ishte i sigurt dhe jashtë rrezikut. Më vonë, ai njoftoi në Truth Social se personi i armatosur ishte arrestuar.

Pamje të reja dramatike tregojnë forcat e rendit me armë në duar duke kërkuar personin e armatosur pas të shtënave që shkaktuan panik gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Gjatë operacionit, dëgjohen thirrje të policisë “Kemi një të neutralizuar”, ndërsa situata shkaktoi konfuzion dhe tension të madh mes të pranishmëve.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme