Personi i arrestuar për të shtënat gjatë darkës së gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë është identifikuar si Cole Tomas Allen, një 31-vjeçar nga Torrance, Kaliforni, sipas një zyrtari të zbatimit të ligjit.
Nga informacionet e publikuara në rrjetet sociale, Allen rezulton të jetë diplomuar në California Institute of Technology (Caltech) dhe të ketë punuar si mësues me kohë të pjesshme dhe zhvillues i pavarur i lojërave kompjuterike.
Autoritetet thanë se Allen jeton në Torrance, një qytet bregdetar në zonën e South Bay pranë Los Anxhelosit dhe gjirit të Santa Monica.
Shefi i policisë së Uashingtonit tha se hetuesit besojnë se i dyshuari ishte mysafir në hotelin Washington Hilton, ku po zhvillohej darka vjetore e gazetarëve, por deri tani nuk është përcaktuar motivi i sulmit.
Postime në Facebook që lidhen me Allen tregojnë se ai ishte shpallur “Mësuesi i Muajit” në dhjetor 2024 nga zyra e Torrance e C2 Education, një rrjet privat që ofron përgatitje për testet dhe tutorim për studentët që synojnë universitetin.
Një profil në LinkedIn me emrin e tij e përshkruan si “inxhinier mekanik dhe shkencëtar kompjuteri me diplomë, zhvillues i pavarur lojërash nga përvoja dhe mësues nga natyra”.
Sipas këtij profili, ai ka marrë diplomë bachelor në inxhinieri mekanike nga Caltech në vitin 2017 dhe master në shkenca kompjuterike nga California State University në Dominguez Hills në vitin 2025. Vetë Caltech konfirmoi se një person me këtë emër është diplomuar aty në vitin 2017.
Në përvojën e punës, Allen rezulton se ka punuar për disa vite si mësues me kohë të pjesshme në C2 Education dhe si zhvillues i pavarur lojërash, ndërsa më herët ka qenë inxhinier mekanik në kompaninë IJK Controls në South Pasadena dhe asistent mësimor në Caltech.
Shërbimi Sekret amerikan tha se i dyshuari ishte i armatosur me një pushkë gjahu dhe u arrestua pasi hapi zjarr ndaj një agjenti të Shërbimit Sekret në hotelin Washington Hilton, jashtë sallës ku zhvillohej eventi ku merrnin pjesë Donald Trump, Melania Trump, zëvendëspresidenti JD Vance dhe disa anëtarë të kabinetit.






















