Sociale 21 February 2026, 18:40 Nga VNA

Trafiku në kolaps dhe qyteti pa drejtim: kur largimi i një makine kthehet në “arritje”

Ndaje në Whatsapp

Trafiku në kolaps dhe qyteti pa drejtim: kur largimi i një makine

Tirana po përjeton prej muajsh një gjendje të vazhdueshme kolapsi në qarkullim. Ajo që dikur konsiderohej problem i orëve të pikut tashmë është kthyer në normalitet të përditshëm, madje edhe në fundjavë. Qytetarët humbasin mesatarisht 1–2 orë në ditë në trafik, me kosto të drejtpërdrejtë për ekonominë familjare, produktivitetin dhe cilësinë e jetës. Stresi, ndotja dhe humbja e kohës janë bërë pjesë e rutinës urbane në pothuajse çdo lagje të kryeqytetit.

Në këtë realitet, reagimi institucional duket i shkëputur nga përmasat e problemit. Këtë fundjavë, Policia Bashkiake Tiranë publikoi në rrjetet sociale një ndërhyrje për largimin me karrotrec të një mjeti të parkuar pranë koshave të mbeturinave, duke e paraqitur si një shembull të respektimit të rregullave dhe të kujdesit për qytetin.

Trafiku në kolaps dhe qyteti pa drejtim: kur largimi i një makine

Pa dyshim, zbatimi i rregullave është detyrim dhe jo opsion. Parkimi pranë koshave të mbetjeve pengon shërbimin e pastrimit dhe krijon problem për banorët. Por thelbi i debatit nuk është nëse një makinë duhej larguar apo jo – detyra është bërë. Pyetja është: a përbën kjo një “arritje” në një qytet që po përballet çdo ditë me paralizë të trafikut, me mungesë hapësirash parkimi, me makina të braktisura që zënë trotuare dhe rrugë dytësore?

Vetëm disa muaj më parë, në verë, u prezantua një nismë për identifikimin dhe largimin e mjeteve të braktisura nga hapësirat publike. Në shumë zona të Tiranës, automjete të amortizuara prej vitesh zënë vende parkimi dhe hapësira të përbashkëta, duke e përkeqësuar ndjeshëm situatën. Sot, kjo nismë duket e braktisur, pa transparencë mbi rezultatet konkrete dhe pa një raportim periodik mbi numrin e mjeteve të evidentuara dhe të larguara.

Ndërkohë, problemi i trafikut ka një dimension shumë më të gjerë sesa parkimet individuale. Rritja e numrit të automjeteve, mungesa e unazave funksionale alternative, punimet e shumta infrastrukturore të pakordinuara dhe mungesa e një strategjie të integruar për mobilitetin urban kanë krijuar një sistem që funksionon në limitet e kapacitetit. Çdo incident i vogël – një makinë e parkuar keq, një aksident i lehtë, një kantier – mjafton për të bllokuar zona të tëra për orë të tëra.

Kjo situatë zhvillohet në një kontekst institucional jo të zakonshëm: Bashkia e Tiranës është pa kryetar prej më shumë se një viti. Mungesa në drejtim politik ka ndikuar dukshëm në menaxhimin strategjik të qytetit. Administrimi i përditshëm mund të vazhdojë, por vendimmarrja e madhe, prioritetet afatgjata dhe koordinimi ndërinstitucional kërkojnë lidership të qartë dhe përgjegjësi politike.

Nga pikëpamja ekonomike, kostoja e trafikut të rënduar është e nënvlerësuar. Humbja e orëve të punës, rritja e konsumit të karburantit, ndotja dhe impakti në shëndetin publik përkthehen në miliona euro kosto të fshehura çdo vit. Një qytet që synon të jetë motor ekonomik i vendit nuk mund të funksionojë me infrastrukturë dhe menaxhim në gjendje emergjence të përhershme.

Në prag të zgjedhjeve lokale të pranverës së ardhshme, pritet që debati për Tiranën të intensifikohet. Por qytetarët nuk kanë nevojë për postime simbolike apo për komunikim sporadik në rrjetet sociale. Ata kërkojnë plan konkret për menaxhimin e trafikut, transparencë mbi nismat e ndërmarra, rikthim të kontrollit mbi hapësirën publike dhe një strategji të qartë për parkimin, transportin publik dhe disiplinën urbane.

Largimi i një makine është zbatim i detyrës. Rikthimi i funksionalitetit të qytetit është sfida e vërtetë. Dhe kjo kërkon më shumë se një karrotrec dhe një postim në Facebook./Ekofin.al/

Video

Momente tensioni janë regjistruar sot në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Situata ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe qytetarëve të mbledhur në protestë.

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme