Sociale 20 February 2026, 16:25 Nga VNA

Shqipëria, rekord në Europë për regjistrimin e makinave me naftë edhe në 2024, me 66% të totalit

Ndaje në Whatsapp
Shqipëria, rekord në Europë për regjistrimin e makinave me

Shqipëria rezulton vendi me peshën më të madhe të makinave me naftë në regjistrimet për herë të parë të automjeteve të pasagjerëve për vitin 2024, në kontrast të fortë me trendin europian që po largohet me shpejtësi nga ky lloj motori për arsye mjedisore.

Të dhënat e Eurostat, në publikimin e fundit për Transportin në Bashkimin Europian tregojnë se 66.2% e mjeteve të pasagjerëve që u regjistruan për herë në 2024-n në vend ishin me naftë, një peshë shumë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian prej 14.9%. Vendi i dytë pas nesh është Moldavia, me 47% dhe Bosnjë Hercegovina me 34.5%. Në vendet e tjera të rajonit, regjistrimet e makinave me naftë përbënin më pak se 30% të totalit (nuk ka info për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut).

Në total, në Shqipëri u regjistruan për herë të parë 85.7 mijë mjete të pasagjerëve në 2024-n, nga të cilat 56.7 mijë ishin me naftë. Me benzinë ishin 17.6% e mjeteve, me peshën që është ndër më të ulëtat në Europë dhe me energji alternative 12.9%. Makinat elektrike përbënin vetëm 3.3% të totalit.

Tendenca është krejt e ndryshme nga çfarë po ndodh në Europë. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në Europë po përshpejtohet tranzicioni drejt automjeteve elektrike dhe alternativave më pak ndotëse. Në vitin 2024, makinat plotësisht elektrike përbënin më shumë se gjysmën e regjistrimeve të reja në Danimarkë (51.3%) dhe mbi një të tretën në Maltë, Suedi dhe Holandë. Në nivel të BE-së, pjesa e tyre arriti në 13.5% të regjistrimeve të reja.

Europa po largohet nga nafta
Sipas Eurostat, një seri kohore e bazuar në të dhëna të disponueshme për të gjitha vitet nga 2014 deri në 2024 për 20 vende të BE-së tregon se si kanë ndryshuar llojet e energjisë së motorëve të makinave të reja të pasagjerëve.

Në këto vende, të cilat përbënin 93% të makinave të reja të pasagjerëve në BE në vitin 2024, numri i automjeteve me naftë (përfshirë hibridet) ra me 67%, ndërsa numri i automjeteve me benzinë (përfshirë hibridet) u rrit me 60%.

Për llojet alternative të energjisë së motorit, në vitin 2024 pati 45 herë më shumë regjistrime të makinave plotësisht elektrike me bateri krahasuar me vitin 2014, duke përfaqësuar përkatësisht 13.9% dhe 0.3% të të gjitha regjistrimeve të makinave të reja. Regjistrimet e automjeteve të reja që përdorin karburante të tjera alternative në vitin 2024 ishin 13% më të larta se në vitin 2014.

Ky transformim lidhet drejtpërdrejt me objektivat klimatike të BE-së. Transporti përbën rreth 27% të emetimeve totale të gazeve serrë në BE, ndaj politikat europiane synojnë një sistem transporti gjithnjë e më pa emetime.

Hendeku mes Shqipërisë dhe BE-së

Ndërsa Europa po investon në elektromobilitet, Shqipëria mbetet në një fazë shumë më të hershme të tranzicionit. Dominimi i makinave me naftë lidhet me disa faktorë strukturorë, si treg i dominuar nga importi i makinave të përdorura; kosto më të ulëta fillestare të automjeteve me naftë; mungesë infrastrukture të zhvilluar për karikimin elektrik; politika të kufizuara fiskale për nxitjen e automjeteve të gjelbra.

Megjithatë, trendi europian pritet të ndikojë gradualisht edhe tregjet e rajonit. Rregulloret e BE-së, rritja e standardeve të emetimeve dhe zgjerimi i infrastrukturës së karikimit do ta bëjnë gjithnjë e më të vështirë dominimin e automjeteve me naftë në afatmesëm./Monitor

Video

Momente tensioni janë regjistruar sot në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Situata ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe qytetarëve të mbledhur në protestë.

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme