Kriminelët nga Ballkani Perëndimor po shpërthejnë një valë dhune, mizorie dhe varësie në rrugët tona.
Bujar Cozminca nuk ishte i panjohur për forcat e rendit britanik. I riu shqiptar, i cili deri së fundmi jetonte në rrugën e zhurmshme High Road në Wembley, veri-perëndim të Londrës, ishte dënuar më parë për trafik për të furnizuar me drogë të klasës A në vitin 2012 dhe ishte dënuar me 21 muaj burg, më pas u deportua në Shqipëri. Por ky nuk ishte fundi i karrierës kriminale të Cozmincës në Britani. Pasi hyri sërish ilegalisht në Britani, ai u arrestua përsëri në maj 2021 si pjesë e një hetimi nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA). Rreth 300,000 paund në të holla u gjetën në dy prona që ai përdorte për marrëveshje droge, në Wembley dhe Islington, veri të Londrës. Ai kishte blerë dhe furnizuar 100 kilogramë kokainë me një vlerë fillestare prej 3.5 milionë paund dhe një vlerë te shitur në rrugë prej rreth 8 milionë paund, duke pastruar kështu 2.5 milionë paund të ardhura kriminale. Oficerët e NCA dhe të Policisë Metropolitane gjetën gjithashtu libra me të dhëna që tregonin marrëveshje droge me vlerë gati 2 milionë paund. Në qershor të këtij viti, 33-vjeçari pranoi akuzën për trafik kokaine dhe pastrim parash dhe u dënua me 12 vite burg në Gjykatën e Snaresbrook-ut në lindje të Londrës.
Cozminca nuk vepronte i vetëm. Operacioni i tij ishte pjesë e një historie më të gjerë të rritjes së dominimit të bandave shqiptare në tregjet e lulëzuara të drogës në Britani, me suksesin e tyre të nxitur nga dhuna, shfrytëzimi dhe kontrabandimi i qenieve njerëzore.
‘Kërcënim akut’ për Britaninë
Grupi kriminal i organizuar i Cozmincës kishte lidhje ndërkombëtare të gjera – një veçori kryesore për fuqinë që tashmë zotërojnë grupet shqiptare të trafikut të drogës. Individë si ai “mendojnë se janë mbi ligjin,” tha Andrew Tickner, oficer hetues i lartë në Partneritetin për Krimin e Organizuar, një bashkëpunim i përbashkët mes NCA dhe Scotland Yard. Ndërsa autoritetet vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’u treguar të kundërtën, rreziku i asaj me të cilën po përballen është bërë gjithnjë e më e dukshme ndër vite.
“Ekziston një shifër lartë e kriminalitetit brenda Britanisë, të kryer nga bandat kriminale shqiptare… kontrabandë droge, trafik qeniesh njerëzore, armë ose prostitucion,” tha Dan O’Mahoney, drejtues në Komitetin për Çështjet e Brendshme të Dhomës së Komuneve vitin e kaluar. Këtë vit, një dokument ligjor i Ministrisë së Brendshme karakterizoi grupet e krimit të organizuar shqiptare si një “kërcënim akut” për Britaninë dhe “shumë të pranishëm në krimin e organizuar” në këtë vend.
Javën e kaluar, analiza e The Telegraph mbi të dhënat zyrtare sugjeroi se midis 1 dhe 2 për qind të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar janë aktualisht në burg. Jo të gjithë ata janë përfshirë në krimin e organizuar dhe disa prej tyre, sipas organizatave bamirëse, mund të jenë viktima të trafikimit.
Megjithatë, në vitin 2022, Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) vlerësoi se qindra miliona paund në vit po largoheshin nga Britania për në Shqipëri, shumica e tyre duke ardhur nga aktivitetet kriminale. NCA tha në atë kohë se kjo shumë ishte në rritje.
Tregtia e seksit
Pas rënies së komunizmit në vendin e tyre në fillim të viteve 1990, dhe në mes të niveleve të larta të papunësisë dhe varfërisë, shqiptarët filluan të emigronin në numër të madh. Vlerësohet se më shumë se 40 për qind e popullsisë ka ikur që nga viti 1991, me rreth 42,000 që migrojnë çdo vit në mesatare.
“Pas kolapsit të komunizmit pati valën e parë të migrimit [nga Shqipëria], por në vitet 1990 ata nuk erdhën shumë në Mbretërinë e Bashkuar, nuk ishte vërtet në radar dhe për arsye gjeografike shumica e shqiptarëve shkuan në Greqi dhe Itali,” thotë Dr. Andi Hoxhaj, ligjërues në drejtësi dhe studiues mbi Ballkanin Perëndimor në King’s College London.
Deri në fund të viteve 1990 Mbretëria e Bashkuar nuk ishte shumë tërheqëse. Por më pas shqiptarët filluan të lëviznin atje në numra më të mëdhenj. Midis tyre janë mjekë, avokatë, inxhinierë dhe punëtorë, siç i tha ish-ambasadori shqiptar në Britani, Qirjako Qirko, Komitetit për Çështjet e Brendshme në vitin 2022.
Por një pakicë e emigrantëve shqiptarë në Britani janë përfshirë në diçka të errët në dekadat e fundit. Në vitin 2001, një raport i rrjedhur nga Ministria e Brendshme sugjeroi se mafia shqiptare kishte marrë kontrollin e tregtisë së prostitucionit në Soho të Londrës, që më parë ishte dominuar nga mafia malteze dhe gangsterët e Londrës së Vjetër. Tregtia kishte një xhiro vjetore të vlerësuar prej 40 milionë paund në atë kohë. Marrja e kontrollit nga shqiptarët ishte relativisht e shpejtë: brenda më pak se një viti, operatorët nga Evropa Lindore morën nën kontroll këtë kënd të krimit të organizuar në zemër të kryeqytetit britanik. “Rreth 70 për qind e qendrave të masazhit në Soho janë tani nën kontrollin e shqiptarëve/kosovarëve,” thuhej në një raport informues të Ministrisë së Brendshme atë vit, i parë nga The Independent.
Në fillim të viteve 2000, filluan të dalin në dritë histori horror: për vajza të reja nga Evropa Lindore që detyroheshin të punonin në industrinë britanike të seksit nga kriminelë të dhunshëm shqiptarë; për gra të trafikuara që pësuan lëndime të rënda nga ata që tashmë kishin nën kontroll tregtinë. Deri në tre të katërtat e grave që punonin në shtëpitë publike të Soho-s besohej të ishin shqiptare. Gratë shqiptare gjithashtu raportohej se po zhvendoseshin në Veri të Anglisë dhe në Midlands, për të punuar në atje. Por së shpejti, bandat që i kontrollonin ato do të fillonin të zgjeronin ambiciet e tyre, duke synuar tregtinë fitimprurëse të drogës në Britani.
Kokaina
Edmund dhe Eduart Haziri dhe shokët e tyre jetonin në luks. Ata zotëronin bizhuteri të shtrenjta, rroba dhe automjete, dhe mbanin grumbuj parash në pronat e tyre – shpesh në tufa prej kartëmonedhash £50.
Vëllezërit, në të tridhjetat e tyre, ishin anëtarët kryesorë në një bandë shqiptare që për gati një vit drejtoi një operacion droge të njohur si “linja Eddie”, e cila furnizoi Midlands-in me kokainë. Ata fituan qindra mijëra paundë duke shpërndarë drogën e klasit A – shpesh të fshehur brenda skedave të biletave të lotarisë – duke lënë atë që policia e Derbyshire-s e përshkroi si “një gjurmë varësie, krimi dhe mjerimi në rrugët tona”. Operacioni i tyre u ndalua pasi një oficer mbështetës i policisë vërejti një makinë që po sillej në mënyrë të dyshimtë në zonën e Swadlincote në Derbyshire. Policia dyshoi se automjeti ishte i lidhur me tregtinë lokale të drogës, dhe nga ky raport fillestar, rrjeti i gjerë i kokainës që shtrihej nga Londra deri në Midlands u zbulua përfundimisht.
Më 23 mars 2022, policia ndërhyri në disa prona dhe arrestoi anëtarët kryesorë të bandës, përfshirë vëllezërit Haziri. Vitin që pasoi, Edmondi u dënua me 15 vite burg, ndërsa Eduardi me 15 vite e gjysmë. Tetë të tjerë gjithashtu u dënuan me burg. Por ata ishin vetëm një nga grupet e shumta shqiptare të krimit të organizuar që fitonin shuma të mëdha duke shitur kokainë për përdoruesit britanikë. Për gangsterët që kishin ardhur për të bërë biznes në botën e nëndheshme kriminale, tregtia e drogës ishte objektivi i radhës pas industrisë së seksit në Britani.
Në vitin 2017, bandat shqiptare kishin “vendosur një ndikim me profil të lartë brenda krimit të organizuar në Britani,” paralajmëroi NCA. Ata ishin përqendruar në atë kohë te trafikimi i kokainës në Londër. Kriminelët nga Ballkani kishin krijuar lidhje të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën Latine, vuri në dukje raporti vjetor i krimit të organizuar i agjencisë. Nga të gjithë kriminelët e organizuar në Mbretërinë e Bashkuar, vetëm 0.8 për qind raportohej të ishin shqiptarë, por NCA paralajmëroi se ndikimi i tyre ishte shqetësues për shkak të gatishmërisë së tyre për të përdorur dhunën.
Ged McCann, menaxher i lartë i inteligjencës në Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA), në një konferencë për shtyp në vitin 2022 tha se dominimi shqiptar në tregun e kokainës ishte mundësuar nga një “model biznesi” që shtrihej nga prodhimi në Amerikën e Jugut deri te shpërndarësit në rrugët e Britanisë. “Ata kanë një reputacion për besueshmëri brenda tregjeve kriminale – një produkt me cilësi të mirë, pastërti të lartë, saktësi,” tha ai. “Si tregtarë janë shumë të mirë, të disiplinuar dhe të suksesshëm. Të përfshirët në këtë aktivitet mund të punojnë vetëm ose në hierarki informale, dhe shqiptarët kryesisht janë në rrjete të lirshme të bazuara në besim dhe përvojë. Ata shfrytëzojnë miqësitë dhe lidhjet, si dhe grupet etnike. Është e lehtë për njerëzit të zëvendësohen ose të largohen për shkak të aktivitetit të zbatimit të ligjit.”
Një hetim i Telegraph në vitin 2022 detajonte se si një port në lumin Guayas në qytetin e Guayaquil në Ekuador ishte bërë një qendër kryesore shpërndarjeje për bandat shqiptare të drogës, të cilat ndonjëherë përdornin kompani fasadë për të kontrabanduar kokainën në Evropë, duke e fshehur atë brenda një eksporti legjitim, si çaji. Kontejnerët që përmbanin drogën zakonisht mbërrinin në Antwerp të Belgjikës ose në Roterdam të Holandës, para se të arrinin në Britani.
Kjo përfshirje e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor në tregtinë e kokainës buron nga një kombinim i fatit dhe ndërmarrjes- tha Anna Sergi, profesoreshë e kriminologjisë në Universitetin e Essex-it. “Ata kanë mësuar nga grupe të tjera, përfshirë mafien e Italisë, se si të menaxhojnë tregtinë e kokainës, duke vendosur në mënyrë efektive bizneset dhe ndërmjetësit e tyre në zonat kryesore të Amerikës Latine. Pikërisht dhe kjo u ka dhënë atyre një avantazh në sjelljen e disa produkteve në Evropë,” thotë ajo. Ata ia atribuojnë suksesin e tyre në Britani pjesërisht mungesës së grupeve të tjera që monopolizonin tregtinë e kokainës dhe pjesërisht kërkesës së lartë, sugjeron Prof. Sergi. “Njerëzit konsumojnë shumë kokainë, kështu që kishte nevojë për atë shërbim, dhe për shkak se askush tjetër nuk po e ofronte, ata ishin në një pozitë perfekte për ta ofruar atë, për arsye të ndryshme, përfshirë aftësinë e tyre për të organizuar logjistikën, për të krijuar miqësi dhe për t’u lidhur me të tjerët,” shpjegon ajo. “Mungesa e ndërmarrjes nga grupet e tjera kriminale në Britani është arsyeja pse fusha ishte e hapur.”
Por ajo thekson se krimi i organizuar që shpesh i atribuohet vetëm shqiptarëve kryhet edhe nga të tjerë. “Ka shumë njerëz nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor, nga Mali i Zi në Serbi,” thotë ajo. “Këta janë njerëz që ndajnë të njëjtën gjuhë. Fakti që janë të përfshirë në krim të organizuar nuk është për shkak se janë shqiptarë.” Sa i përket pyetjes nëse grupe të tilla kontrollojnë tani tregtinë e kokainës në Britani, Prof. Sergi thotë se “nuk ka kontroll të mundshëm në një treg si ai i kokainës.” “Ka miliona aktorë të tjerë në atë treg, dhe nuk janë të gjithë nga Ballkani Perëndimor, sigurisht,” thotë ajo. Por pas suksesit financiar të shpërndarjes së kokainës, disa banda të udhëhequra nga shqiptarët filluan të diversifikojnë operacionet e tyre dhe synuan një objektiv të ri – kanabisin.
Kanabisi
“Nëse je i mirë në një treg, priret të zgjerohesh në tregun tjetër,” thotë Federico Varese, profesor i kriminologjisë në Universitetin e Oksfordit. Atje ku më parë pjesa më e madhe e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar kultivohej nga bandat vietnameze, rreth viteve 2010, grupet shqiptare filluan të fitonin terren – disa prej tyre kishin përvojë në rritjen e drogës për të furnizuar Italinë dhe Greqinë.
“Vietnamezët nuk kishin armë, nuk ishin të dhunshëm,” thotë Prof. Varese. “Por shqiptarët do të organizonin prodhimin dhe mbrojtjen e saj.” Megjithatë, këtij biznesj i duhej ishte fuqia punëtore për fermat e kanabisit. Për të mbushur vendet e tyre, bandat filluan të synonin burrat në zonat e varfra rurale të Shqipërisë, ku shkalla e papunësisë ishte e lartë, duke u ofruar punë të papërcaktuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe një udhëtim falas – edhe pse i paligjshëm – drejt vendit.
Ashtu si me tregtinë e kokainës, në lojë ishin shuma të mëdha parash. Vitin e kaluar, forcat e zbatimit të ligjit kryen një operacion të koordinuar për të prishur atë që NCA e quajti “kriminalitet shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar”, duke sekuestruar gati 200,000 bimë kanabis në të gjithë vendin, me një vlerë në rrugë midis 115 milionë dhe 130 milionë paund. Mbi 450 persona u akuzuan për vepra të tilla si furnizimi me drogë, pastrimi i parave dhe posedimi i armëve.
Grupet kriminale shqiptare tani janë nacionaliteti i huaj më dominues i përfshirë në kultivimin e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar, duke zgjeruar ndikimin e tyre pjesërisht duke bashkëpunuar me bandat britanike. Por kanabisi, ashtu si kokaina, është një treg masiv i nxitur nga kërkesa e madhe dhe ka shumë aktorë brenda tij, thekson Prof. Varese. “Edhe për shqiptarët është shumë e vështirë ta kontrollojnë të gjithë, sepse [droga] është aq e lehtë për t’u prodhuar. Nuk kërkon shumë njohuri ose kapital.” Edhe nëse grupet shqiptare të krimit të organizuar do të zhdukeshin, vetë krimi nuk do të ndalonte, shton ai. “Dikush tjetër do të vinte. Ka një kërkesë të madhe për produktin.” Megjithatë, mund të ketë faktorë që ndihmojnë në shpjegimin e suksesit të grupeve shqiptare, sugjeron ai. “Është e rëndësishme të kuptohet se nuk ka një mafia të vetme shqiptare – këto janë familje të pavarura me lidhje gjaku dhe kjo ndihmon në krijimin e besimit brenda grupit,” thotë ai. “Është e vështirë ta thyesh atë lidhje.”
Skllavëria moderne
Të punosh brenda këtyre rrjeteve nuk është gjithmonë vullnetare, dhe viktimat e fshehura të veprimtarive të grupeve shpesh janë vetë shqiptarët. Këta janë njerëz të zakonshëm që e gjejnë veten duke jetuar në mënyrë të paligjshme në Britani, të detyruar nga kriminelët dhe në frikë nga hakmarrja.
Një taktikë e zakonshme është “skllavëria e borxhit”, e cila ndodh kur bandat kriminale financojnë ose organizojnë udhëtimet e njerëzve drejt Mbretërisë së Bashkuar, dhe më pas i detyrojnë ata të punojnë në çdo kapacitet derisa borxhi të konsiderohet i paguar. Nëse arrestohen, ata mund të përfundojnë në sistemin e drejtësisë penale në vend që të mbështeten, thotë Alison Logier, drejtoreshë në shoqatën Hestia. “Ajo që po shohim është një rezultat i kushteve socio-ekonomike në Shqipëri, që i shtyjnë njerëzit të kërkojnë një jetë më të mirë ose përparim ekonomik, duke i vënë ata në pozita të cenueshme,” thotë ajo. “Burrat, si dhe gratë dhe vajzat, tani po trafikohen nga Shqipëria.” Logier përmend shembullin e një burri që kishte marrë para borxh dhe ishte rrëmbyer, sjellë në Mbretërinë e Bashkuar dhe i detyruar të punonte në fermat e kanabisit për të paguar borxhin. Edhe pse ai arriti të shpëtonte gjatë një operacioni policor, burri u burgos dhe u deportua përsëri në Shqipëri – vetëm për t’u afruar sërish nga kriminelët dhe për t’u trafikuar përsëri në Mbretërinë e Bashkuar nën kontrollin e tyre.
Në vitin 2018, të dhënat e NCA treguan një rritje prej 35 për qind në numrin e njerëzve të trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar, kryesisht nga Shqipëria nga një rrjet grupesh kriminale. Tom Dowdall, atëherë zëvendësdrejtor i agjencisë, tha në atë kohë se bandat kriminale shqiptare “që veprojnë në nivelin më të lartë të sofistikimit” ishin të përfshira jo vetëm në krimin e organizuar të emigracionit dhe trafikimin, por edhe në kontrabandën e drogës, trafikimin e armëve “dhe shpesh në krimin e organizuar dhe të dhunshëm”Disa nga gratë e trafikuara raportohej se ishin rrahur ndërsa ishin shtatzëna, ishin mbyllur ose ishin përdhunuar. Rreth gjysma e tyre raportohej se ishin detyruar të punonin në industrinë e seksit në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa pjesa tjetër përballej me shfrytëzim në punë.
“Ka pasur një ngatërresë midis aktivitetit të bandave kriminale dhe motivimeve të emigrantëve shqiptarë dhe emigrantëve të detyruar – një supozim se kriminelët janë vetë emigrantët,” thotë Helen Stalford, profesoreshë e drejtësisë në Universitetin e Liverpool-it, e cila ka hulumtuar përvojat e të rinjve azilkërkues të pashoqëruar.
Ndërmjet prillit dhe qershorit të këtij viti, Mekanizmi Kombëtar i Referimit, që identifikon viktimat e mundshme të skllavërisë moderne, mori mbi 4,300 referime, ku kombësia e dytë më e zakonshme (pas britanikëve) ishte shqiptarët. Nga këto, një e pesta u referuan për shfrytëzim kriminal dhe 29 për qind për shfrytëzim në punë.
Varka të vogla
Ndërsa më parë bandat përdornin një larmi metodash për të kontrabanduar punëtorë në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë kamionë, anije industriale dhe dokumente të rreme, ato panë një mundësi të re me rritjen e kalimeve me varka të vogla mbi Kanalin Anglez. Ndërsa kjo rrugë ishte dominuar kryesisht nga azilkërkues që largoheshin nga vende të shkatërruara nga lufta, përfshirë Afganistanin dhe Sirinë, në vitin 2022 numri i shqiptarëve që mbërritën përmes kësaj rruge u rrit në mënyrë të madhe – duke përbërë më shumë se një të katërtën e migrantëve me varka të vogla.
“Varkat e vogla ofronin një mënyrë shumë të lirë për të ardhur në Mbretërinë e Bashkuar: 2,000 £ ose 2,500 £ që është mjaft e lirë krahasuar me rrugët e tjera që mund të kushtojnë mbi 10,000 £,” thotë Dr. Hoxhaj. “Ishte shumë mirë e reklamuar në internet, gjë që arriti te të rinjtë në rrjetet sociale, në TikTok, Instagram, Snapchat. Ishte bërë shumë mirë.”
Shqiptarët u joshën qëllimisht nga perspektiva e ofertave të punës dhe mundësive, thotë ai. “Ata bënë reklama të dedikuara në zonat rurale të Shqipërisë, ku [pasagjerët e mundshëm] u lidhën me grupet që organizonin kalimin. Atyre iu ofrua transport falas nëse angazhoheshin të punonin për një vit në fermat e kanabisit. Reklamat thoshin thjesht ‘oferta pune, mundësi’, dhe kur fillonin bisedën, ata kuptonin se bëhej fjalë për punë të paligjshme.”
Shpejtësia e operacioneve shqiptare ishte kaq e madhe saqë zyrtarët e NCA raportuan se disa kultivues të kanabisit të arrestuar në vitin 2022 kishin mbërritur në brigjet britanike vetëm disa ditë më parë.
Reprezalja
“Pasi një e treta e të gjithë të ardhurve ishte nga Shqipëria, ne bëmë një marrëveshje që uli emigrantët shqiptarë të paligjshëm me 90 për qind,” deklaroi ish-kryeministri konservator Rishi Sunak në prill të këtij viti. Marrëveshja ishte me Francën dhe kishte për qëllim forcimin e ndërhyrjeve në bregdetin francez. Kjo ishte një nga përpjekjet e shumta për të goditur format e ndryshme të aktivitetit kriminal dhe shfrytëzimit që i atribuoheshin grupeve të krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor në Britani. Muajin pasues, atëherë Sekretari i Jashtëm David Cameron udhëtoi në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, për të diskutuar nevojën për një bashkëpunim më të gjerë ndër-Evropian për të luftuar krimin e organizuar. Ai e përshëndeti partneritetin midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë për të përballuar sfidat së bashku si “një shembull kryesor i prishjes së modeleve të biznesit të bandave të pamëshirshme të trafikimit të njerëzve, duke ulur ndjeshëm kalimet e rrezikshme me varka të vogla dhe duke ofruar një të ardhme më të begatë për shqiptarët e rinj.”
Ndryshimi i qeverisë në korrik u shoqërua me një ndryshim në retorikë. Pas thirrjes së fortë të konservatorëve “ndaloni varkat”, erdhi premtimi i Laburistëve për të “shkatërruar bandat” duke synuar trafikantët. Grupet e të drejtave të njeriut shqetësohen se kjo do të shkaktojë vetëm rritjen e vdekjeve në Kanal, pasi do të përdoren metoda edhe më të rrezikshme për të nisur varkat. Ndërkohë, arrestimet dhe ndjekjet penale për aktivitetet e organizuara kriminale nga këto grupe vazhdojnë. Bashkëpunimi midis autoriteteve britanike dhe shqiptare ka sjellë një ndryshim pozitiv, sugjeron Dr. Hoxhaj. “Ata filluan të ndajnë të dhëna për kriminelët në Mbretërinë e Bashkuar dhe të shihnin lidhjet që kishin prapa në vendin e tyre,” thotë ai. “Kjo ndihmoi në identifikimin e shpejtë të njerëzve prapa asaj që po ndodhte në Mbretërinë e Bashkuar. I gjithë procesi dërgoi një mesazh të fuqishëm: që nuk i fshiheni dot syrit të autoriteteve”
Megjithatë për momentin, bandat shqiptare vazhdojnë të ushtrojnë një ndikim të rëndësishëm në krimin e organizuar në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Ato ushtrojnë pushtet në tregjet e kokainës dhe kanabisit, ndërsa vazhdojnë të përshtasin produktet që ofrojnë për një kërkesë që duket se nuk ka fund. Dhe ndërsa ky proces vazhdon, dhuna, mizoria dhe varësia që ato përcjellin do të vazhdojë./Shkrim i The Telegraph, përkther nga VNA.al/
https://www.telegraph.co.uk/news/2024/10/12/albanian-gangs-dominate-organised-crime-in-britain/






















