Kronika 11 Tetor 2024, 16:12 Nga VNA

Apeli vendos kundër ndërtimit të HEC-it mbi lumin Seta në Dibër

Ndaje në Whatsapp
Apeli vendos kundër ndërtimit të HEC-it mbi lumin Seta në

Gjykata Administrative e Apelit vendosi të enjten që të shfuqizojë një vendim të shkallës së parë të kësaj gjykate si dhe disa vendime të institucioneve shqiptare për dhënien me koncension për ndërtimin e një hidrocentrali mbi kanionin e lumit Seta, një Monument natyre me mbrojtje të veçantë.

“Një fitore që na bën të besojmë se ka drejtësi,” tha pas daljes nga godina e kësaj gjykate Mustafa Tola, njëri prej 11 banorëve të fshatit Çidhën në Dibër, të cilët kishin paditur në gjykatë Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Këshillin Kombëtar të Ujit, Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë dhe Shoqërinë “Hidro Seta” shpk.

Vendimi i trupës gjyqësore, i përbërë nga gjyqtarët Ardian Dvorani, Enkelejda Metaliaj dhe Blerona Hasa, parashikon shfuqizimin e pjesshëm të vendimeve të marra nga këto institucione që lidhen me lejen e ndërtimit, lejen mjedisore dhe kontratën koncensionare vetëm për ndërtimin e HEC-it “SETA-4”.

“Ky është lumi i vetëm nga 4 lumenj që ishin pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës që kishte akoma disa kilometra të pashfrytëzuara,” tha Tola, duke shtuar se “3 lumenjtë e tjerë kanë vdekur, i kanë futur në tuba”.

Tola, mjek veteriner me profesion, prej vitesh është një aktivist i mbrojtjes së mjedisit duke kundërshtuar ndërtimin e HEC-ve mbi rrjedhën e lumenjve të zonës së Dibrës dhe e ka ndjekur këtë çështje në dhjetra seanca gjyqësore në shkallën e parë.

Sipas tij, gjatë betejës disa-vjeçare në gjyqësor punimet për HEC-in kanë vijuar. “Ne presim që të prishet dhe uji i futur në tubacione t’i kthehet zonës,” shton ai, duke e cilësuar ujin e këtij lumi jetik për ruajtjen e natyrës së Lurës si një zonë e mbrojtur.

Në padinë e tyre banorët i referohen listës së Monumenteve të Natyrës ku përfshihen dhe “Burimi dhe shpella e Sopanikës” dhe “Gryka e Setës”, të cilat preken nga realizimi i këtij projekti.

“Zbatimi i tij sjell pasoja dhe dëme të mëdha që kanë të bëjnë me denatyralizimin e luginës së këtij lumi, duke dëmtuar dhe sjellë pasoja në dëmtimin e faunës dhe florës (bimëve dhe kafshëve) dhe për rrjedhojë dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e banorëve të fshatit”- thuhet në padinë e dorëzuar në gjykatë.

Beteja e banorëve ka nisur para shumë vitesh me protesta dhe procese ligjore.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë e rrëzoi padinë e tyre në dhjetor të vitit 2018, duke dalë në përfundimin se banorët nuk i kishin provuar pretendimet e tyre se HEC-i cënonte zonat e mbrojtura.

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi në vitin 2015 ndërtimin e 4 HEC-eve në luginën e lumit Seta nga kompania “HYDROSETA POWER”, por banorët në kërkesë padinë e tyre kërkuan shfuqizimin e pjesshëm të kontratës koncesionare për ndërtimin e njërit prej tyre, “SETA 4”, pasi nga 4 kanione që janë në zonë me statusin si zonë e mbrojtur, gjurma e HEC-it prekin 2 prej tyre, që gëzon mbrojtje ligjore./BIRN/

 

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme