Sociale 24 June 2025, 08:28 Nga VNA

Shqipëria thellon kryesimin si “kampione” e Europës në ndërtim në 2024-n

Ndaje në Whatsapp
Shqipëria thellon kryesimin si “kampione” e Europës

Sektori i ndërtimit kontribuoi me 14.4% në krijimin e vlerës së përgjithshme ekonomike të Shqipërisë në vitin 2024, sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat, me rritje 0.6 pikë përqindje, në raport me nivelin prej 13.8% që zinte ky sektor një vit më parë.

Shqipëria ka nivelin më të lartë të kontributit të ndërtimit në Europë, teksa në Bashkimin Europian, mesatarja që zë ky sektor në vlerën e shtuar bruto[1] ishte 5.6%, ose gati tre herë më e ulët se në Shqipëri.

Shteti i dytë me kontributin më të lartë të ndërtimit në Ekonomi është Kosova, me 9.8% në 2024-n, nga 10.7% një vit më parë. Në vend të tretë është Sllovakia, me 8.7%, e ndjekur nga Islanda, me 8.4%.

Në rajon, përveç Shqipërisë e Kosovës, më shumë ndërtohet në Maqedoninë e Veriut (6.6% e vlerës së shtuar bruto), e ndjekur nga Serbia (5.9%), Bosnjë Hercegovina (5.5%) dhe i fundit është Mali i Zi me 3.9%. Në Europë, shteti që ndërton më pak është Greqia, ku ndërtimi kontribuoi në 2.2% në krijimin e vlerës ekonomike të vendit.

Varësia e Shqipërisë ndaj ndërtimit ka ardhur sërish në rritje vitet e fundit. Në 2019-n, viti më i hershëm që raporton të dhënat Eurostat, ndërtimi kontribuonte në 13% të ekonomisë.

Pesha e lartë që zë ndërtimi në Shqipëri reflekton një një varësi të tepruar të ekonomisë nga ky sektor dhe investimet në pasuri të paluajtshme. Kur sektori përbën gati 15% të vlerës së shtuar bruto, çdo lëvizje e tregut të pronës apo ngadalësim i ndërtimit mund të godasë në mënyrë disproporcionale punësimin, të ardhurat fiskale dhe rritjen e përgjithshme ekonomike.

Së dyti, përqendrimi në sektorin e ndërtimit tregon për mungesë diversifikimi të ekonomisë, sidomos në drejtim të shërbimeve inovative. Kjo e bën ekonominë më të ndjeshme ndaj cikleve koniunkturale dhe rreziqeve gjeopolitike.

Ndërtimi ka qenë gjithnjë bashkëshoqërues i ekonomisë, me dy cikle. I pari ishte pas vitit 1999, arriti maturimin në 2011-n dhe filloi më pas rënien deri në vitin 2015. Nga viti 2017 nisi cikli i ri, i nxitur fillimisht nga ndërtimet në kryeqytet, e më pas në bregdet. Cikli i dytë nuk ka arritur ende maturimin dhe nuk dihet se kur do të ndodhë teksa lejet e ndërtimit, sidomos në kryeqytet, çdo vit po arrijnë një rekord, ku çdo ditë prezantohen projekte të reja të ndërtesave shumëkatëshe.

Të dhënat e kryqëzuara mes rritjes së të ardhurave (pagave), aktivitetit real të ekonomisë, kredisë në banka, strukturës së bizneseve e kërkesës reale sugjerojnë se një pjesë e këtij sektori financohet nga burime informale. P.sh., që nga viti 2014, çmimet e apartamenteve janë rritur 10 herë më shumë se paga mesatare, duke e bërë pothuajse të pamundur për shtresën e mesme blerjen e një apartamenti, që sot kushton minimalisht 1500-2000 euro/m², teksa paga mesatare mujore është rreth 770 euro/muaj.

Forcimi i ndjeshëm i Lekut është një tjetër faktor që tregon praninë e lartë të parave informale. Nga fundi i 2016-s, kur filloi vala e dytë e ndërtimeve, Euro është zhvlerësuar me rreth 27% (monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 100.7 lekë në vitin 2024, nga 137.4 lekë në 2016). Për të njëjtën periudhë, deficiti i llogarisë korente (që mat hyrje-daljet e valutës nga vendi) nuk ka shënuar përmirësim të dukshëm, si rrjedhojë e nivelit të lartë të importeve në një vend që pothuajse nuk prodhon më asgjë.

[1] Vlera e shtuar bruto (GVA) tregon sa vlerë krijon një sektor ekonomik duke zbritur kostot e inputeve nga prodhimi total. Ajo përdoret për të matur kontributin real të sektorëve në ekonomi dhe është bazë për llogaritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së). PBB është shuma e të gjitha GVA-ve në një ekonomi plus taksat dhe minus subvencionet mbi produktet. PBB = GVA totale + taksat mbi produktet − subvencionet./MONITOR

Video

Përfitoi 9 hektarë për 1 euro me firmën e Ramës/ Kush është Shkëlqim Beshiri, biznesmeni i përfolur si “prestanome” i Shkëlzen Berishës

Mijëra qytetarë në “Marshin për Liri” në Prishtinë, mbështetje për ish-krerët e UÇK-së Ka nisur në Prishtinë tubimi në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Tubimi zhvillohet në shenjë solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Momente tensioni janë regjistruar sot në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Situata ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe qytetarëve të mbledhur në protestë.

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme