Sociale 23 June 2025, 19:00 Nga VNA

Pabarazia e kursimeve: Shqiptari i zakonshëm ka 3 mijë euro në bankë, i pasuri, 59 mijë

Ndaje në Whatsapp
Pabarazia e kursimeve: Shqiptari i zakonshëm ka 3 mijë euro në

Të dhënat e raportit vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave tregojnë se në vetëm 7% të depozitave bankare janë akumuluar 7.4 miliardë euro ose 58 për qind e kursimeve totale të shqiptarëve.

Në Shqipëri ka rreth 1.84 milionë depozita bankare aktive, por rreth 93% e tyre duket se i përkasin qytetarëve të zakonshëm dhe kanë në gjendje mesatarisht 312 mijë lekë ose 3100 euro me kursin aktual të këmbimit, ndërsa afro 7% e depozitave ose 126 mijë llogari kanë në gjendje mesatarisht 5.9 milionë lekë secila ose 59,000 euro.

Të dhënat e deklaruara në raportin vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, i cili është depozituar dhe publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, tregojnë se në 7 përqindëshin e depozitave të të pasurve gjenden 7.4 miliardë euro ose 58% e të gjitha depozitave të individëve në sistemin bankar, ndërsa në 93 për qind të depozitave të tjera gjenden 42% e kursimeve totale ose 5.34 miliardë euro.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave është një agjenci publike e cila ka për detyrë që të mbledhë një kontribut periodik vjetor nga bankat për të garantuar që, në rast se ndonjëra prej tyre famimenton, ajo të paguajë depozitat e qytetarëve. Agjencia garanton në masën 100% depozitat deri në vlerën 2.5 milionë lekë, ndërsa depozitat mbi këtë vlerë garantohen në përqindje më të ulët.

Për rrjedhojë, agjencia i mban llogaritë e depozitave të ndara në depozita deri në 2.5 milionë lekë dhe depozita mbi 2.5 milionë, për të llogaritur në këtë mënyrë totalin e depozitave të garantuara 100% dhe shumën mbi këto depozita të garantuara në përqindje më të ulët.

Incidentalisht, ndarja administrative siguron të dhëna statistikore për numrin e depozitave ku gjenden shuma parash mbi 2.5 milionë lekë dhe që supozohet se i përkasin të pasurve si dhe depozitave të tjera. Kjo nuk është më matje e saktë e pabarazisë mes të pasurve dhe të varfërve të vendit, por është goxha informuese për të parë se sa para gjenden në duart e të pasurve dhe sa, në duart e pjesës tjetër.

Sipas të dhënave të vitit 2024, në Shqipëri kishte 1.84 milionë llogari bankare aktive me një total depozitash prej 127 miliardë lekësh ose afërsisht 13 miliardë euro. Numri i llogarive  bankare nuk është i barabartë me “individë” pasi një individ mund të ketë më shumë se një llogari bankare kështu që, me gjasa, numri i individëve me llogari mbi 2.5 milionë lekë është më i ulët se sa 126 mijë.

Shqipëria nuk ka sistem statistikor të konceptuar për të matur pabarazinë në aspektet e ndryshme të këtij fenomeni, nga pabarazia në të ardhura te pabarazia në asete apo në konsum. Të dhëna indirekte përfitohen nga informacione si ky i depozitave, dhe përfitohen në mënyrë incidentale. Sa i përket pronave, Shqipëria nuk  prodhon statistika për të parë sa qytetarë posedojnë prona dhe cila është vlera e pronave të poseduara prej tyre dhe cila është shkalla e pabarazisë./BIRN/

 

Video

Përfitoi 9 hektarë për 1 euro me firmën e Ramës/ Kush është Shkëlqim Beshiri, biznesmeni i përfolur si “prestanome” i Shkëlzen Berishës

Mijëra qytetarë në “Marshin për Liri” në Prishtinë, mbështetje për ish-krerët e UÇK-së Ka nisur në Prishtinë tubimi në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Tubimi zhvillohet në shenjë solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Momente tensioni janë regjistruar sot në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Situata ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe qytetarëve të mbledhur në protestë.

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme