Këngëtarja kolumbiane Shakira ka siguruar një donacion fillestar prej më shumë se 1 milion eurosh për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti i fuqishëm që goditi Kolumbinë.
Shakira vizitoi qytetin e Quibdos, në rajonin Choco, një nga zonat më të prekura nga tërmeti me magnitudë 7.4. Në këtë rajon janë dëmtuar rreth 200 shkolla, duke vështirësuar rikthimin e mijëra nxënësve në procesin mësimor.
Gjatë vizitës, këngëtarja pa nga afër dëmet në institucionet arsimore dhe u takua me nxënës, mësues dhe drejtues lokalë për të diskutuar nevojat e komunitetit.
Donacioni është siguruar përmes një bashkëpunimi mes Shakirës, Live Nation, FIFA-s dhe CAF-it, ndërsa fondet do të menaxhohen nga fondacioni i saj Fundacion Pies Descalzos.
Paratë do të përdoren për rindërtimin e shkollave dhe krijimin e kushteve për rikthimin e fëmijëve në klasa. Shakira prej vitesh është e angazhuar në mbështetjen e arsimit në Kolumbi, përmes fondacionit të themeluar prej saj në vitin 1997, i cili ka ndihmuar mijëra fëmijë në vend.






















