Mes historive që po dalin nga tërmeti shkatërrues në Indonezi, ajo e Yuvienta Saen, 67 vjeçe, është ndër më prekëset.
Gruaja po kryente lutjen e mëngjesit kur toka nisi të dridhej. Brenda pak sekondash ajo u gjend përballë një vendimi që askush nuk do të donte ta merrte: të largohej për të shpëtuar apo të qëndronte pranë bashkëshortit të saj të paralizuar.
Sipas dëshmisë së saj për Reuters, ishte vetë bashkëshorti që i kërkoi të largohej.
Ai i tha: “Ti ik, unë po ia lë fatin tim Zotit.”
Tërmeti me magnitudë 7.7 goditi Indonezinë lindore dhe deri të dielën numri i viktimave kishte arritur të paktën në 53, ndërsa mbi 130 persona ishin plagosur. Rreth 5 mijë njerëz janë evakuuar.
Yuvienta tani qëndron në një tendë emergjence, ku të mbijetuarit përballen edhe me mungesën e ujit të pastër dhe batanijeve.
Frika nuk ka përfunduar me lëkundjen kryesore. Autoritetet kanë regjistruar afro një mijë pasgoditje, ndërsa rrëshqitjet e dheut dhe rrugët e bllokuara po vështirësojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Mes statistikave të një katastrofe natyrore, historia e çiftit tregon dramën njerëzore që shpesh nuk duket në shifra: një burrë që e kuptoi se nuk mund të largohej dhe i kërkoi gruas të shpëtonte veten.






















