Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë më 9 shtator, në orën 11:00. Vendimi është bërë i ditur nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Dehari ka deklaruar se e sheh marrëveshjen mes dy subjekteve politike si një zhvillim pozitiv, megjithëse ende nuk është e qartë nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për të përfunduar konstituimin e institucioneve të reja.
“Si Kryesues i seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, ka shkruar Dehari.
Kryesuesi i seancës u ka bërë thirrje deputetëve që deri në datën e caktuar të tregojnë përgjegjësi dhe gatishmëri për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese.
“Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese. Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka deklaruar ai.
Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të ka nisur në fillim të gushtit dhe është ndërprerë pas dy mbledhjeve, ndërsa Kuvendi nuk ka arritur ende të përfundojë procesin e konstituimit.
Në kuadër të përpjekjeve për të zhbllokuar ngërçin politik, Vetëvendosje dhe LDK kanë arritur marrëveshje që profesori universitar dhe ish-diplomati Bekim Sejdiu të jetë kandidat i përbashkët për president. Megjithatë, marrëveshja është kundërshtuar nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke lënë ende pikëpyetje mbi sigurimin e votave të nevojshme.
Vendimi për rikthimin e deputetëve në sallën e Kuvendit më 9 shtator vjen në një moment kritik për Kosovën, pas një periudhe të gjatë bllokimi institucional. Tashmë vëmendja është përqendruar te nëse marrëveshja politike mes Vetëvendosjes dhe LDK-së do të jetë e mjaftueshme për të siguruar votat e nevojshme dhe për t’i dhënë fund krizës politike.
Nëse marrëveshja arrin të zbatohet dhe të sigurohen votat e nevojshme, seanca e 9 shtatorit mund të jetë hapi vendimtar për konstituimin e institucioneve të reja dhe shmangien e një tjetër procesi zgjedhor.






















