Editorial 29 Maj 2025, 15:41 Nga VNA

Rikthimi në Kushtetutë /Rasti i vakancës së Elsa Toskës dhe përgjegjësia institucionale

Ndaje në Whatsapp
Rikthimi në Kushtetutë /Rasti i vakancës së Elsa Toskës

Nga Desada Metaj 

Sot, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka ndërmarrë një akt të rëndësishëm institucional që duhet të përshëndetet jo thjesht si një veprim procedurial, por si një përpjekje për ta kthyer procesin e emërimit në Gjykatën Kushtetuese në shinat e kushtetutshmërisë. Vendimi për pezullimin e procedurës së shqyrtimit të vakancës së shpallur në shtator 2024 nga Kuvendi i Shqipërisë, lidhet drejtpërdrejt me një nga deformimet më serioze që i është bërë Kushtetutës në vitet e fundit.

Në shtator 2024, Kryetarja e Kuvendit, zonja Elisa Spiropali, në titull personal, shpalli si vakancë për mandat të plotë 9-vjeçar, zëvendësimin (pas. dorëheqjes) së gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska. Por ky akt ishte në kundërshtim të qartë me Kushtetutën, sepse gjyqtarja Toska kishte qenë e emëruar për të përfunduar një mandat të pjesshëm që përfundonte në prill 2025. Sipas rregullit themelor të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, çdo 3 vjet duhet të riperterihet 1/3 e anëtarëve të saj. Dhe ky rregull nuk është teknik, por kushtetues.

Në mënyrë flagrante, zonja Spiropali shpalli një vend vakant jo për të përmbushur pjesën e mbetur të mandatit (pra për mandat plotësues, siç kërkon Kushtetuta), por për një mandat të ri dhe të plotë 9 vjeçar. Ky nuk ishtë thjesht një gabim formal. Ishtë një ndërhyrje brutale në arkitekturën e shtetit të së drejtës. Sepse duke deformuar afatin e mandatit, deformohet edhe cikli i përbërjes së Gjykatës Kushtetuese për dekadën e ardhshme. VNA ishte nga të paktat media që ngritën shqetësimin në atë kohë ndërkohë që pjesa më e madhe e shtypit heshti për gjatë.

Skema antikushtetuese nuk u ndal këtu. Ajo vijoi me qëndrimin e paprecedent të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, e cila nuk shpalli vakancën për përfundimin e mandatit të vet në prill 2025, sikurse e kërkon ligji dhe vetë Kushtetuta. Edhe ajo, në mënyrë të qëllimshme, fillimisht shkelmoi rregullin e përteritjes periodike, duke vendosur faktikisht që të mos largohet në përfundim të mandatit të saj të pjesshëm. Ishte levizja e Gjykatës së Lartë, që vuri në punë trupën e Gjykatës Kushtetuese, për të rivendosur me sforco kushtetutshmërinë. Mosveprimi i qëllimshëm institucional, në këto raste nuk ndodh nga hutimi, por nga një skemë për të ruajtur kontrollin mbi përbërjen e Gjykatës Kushtetueses në kurriz te Kushtetutës.

Mosreagimi i Gjykatës Kushtetuese për të shpallur vakancën edhe në rastin e gjyqtares Sonila Bejta – e cila po ashtu duhet të përfundojë mandatin në prill 2025 – është vazhdimi i të njëjtës linjë politike e antikushtetuese, që e bën këtë institucion, të paktën në nivel menaxhimi të brendshëm, jo garant të rregullave kushtetuese, por pjesë të shkeljes së tyre.

Përballë kësaj rrëshqitjeje sistematike, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimin e sotëm, duke pezulluar procedurën e përzgjedhjes, për shkak se numri i kandidatëve ka rënë nën tre dhe duke kërkuar nga Kuvendi që të rishpallë nga e para thirrjen për kandidatura, KED, ka krijuar mundësinë që procesi të nisë sërish, por këtë herë, në përputhje me afatet reale kushtetuese.

Kjo nënkupton që vakanca e shpallur gabimisht si 9-vjeçare, mund e duhet të shpallet sërish, këtë herë për një mandat të plotë që fillon nga data kur mbaronte afati i mandatit të gjyqtares Toska (prill 2025), duke përmbushur edhe logjikën kushtetuese të rotacionit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me 1/3 e anëtarëve çdo tre vjet.

Por vendimi i KED, ndonëse i saktë dhe ligjor, nuk e zgjidh përfundimisht problemin. Ai vetëm e rikthen topin në fushën e Kuvendit. Tani pyetja themelore është kjo:

Çfarë do të bëjë Kuvendi? Çfarë do të bëjë zonja Spiropali?

A do të pranojë gabimin?

A do të ketë guximin të thotë: “Po, vepruam në kundërshtim me Kushtetutën, por tani do të rikthehemi në rregull”?

Apo do të kërkojë rrugë anësore për të ruajtur status quo-në?

Kjo është një provë – jo vetëm për Kuvendin si institucion, por për vetë kulturën politike në vend. A jemi të gatshëm të pranojmë se shteti i së drejtës nuk është çështje rregulloresh që duhen anashkaluar kur s’të leverdisin, por themel mbi të cilin ngrihet besimi qytetar dhe integriteti i institucioneve?

Shqipëria nuk mund të ndërtojë demokraci funksionale mbi skema të shpikura. Nuk mund të ecë drejt Bashkimit Europian me një Gjykatë Kushtetuese që nuk ripërtërihet në kohë, që prodhon precedentë të rremë dhe që toleron shkelje të hapura të Kushtetutës.

Ka ardhur koha që dikush të mbajë përgjegjësi.

Qoftë edhe me një fjali: “Gabova.”

Qoftë edhe me një akt të thjeshtë: rikthim në Kushtetutë.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë rreziku është i dyfishtë: jo vetëm që përbërja e Gjykatës Kushtetuese mbetet e kontestuar për vite me radhë, por edhe çdo vendim që ajo jep në të ardhmen do të jetë i rrezikuar në themele, për shkak të legjitimitetit të cunguar të anëtarëve të saj.

E në atë rast, do të jetë vonë për të thënë “kemi bërë një gabim teknik”. Sepse në Kushtetutë nuk ka gabime teknike – ka vetëm përgjegjësi politike dhe kushtetuese.

Të presim. Por me sytë hapur.

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme