Bota 13 Maj 2025, 09:37 Nga VNA

REL: Udhëheqësit evropianë mblidhen më 16 maj në Tiranë në kërkim të zgjidhjeve kreative për Ukrainën

Ndaje në Whatsapp
REL: Udhëheqësit evropianë mblidhen më 16 maj në

Më 16 maj, udhëheqës nga e mbarë Evropa do të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, në qendër të Tiranës, për samitin e Komunitetit Politik Evropian (KPE). Ide e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj luftës në Ukrainë, KPE-ja mblidhet në nivelin më të lartë dy herë në vit, teksa kryesuesi i saj ndërrohet ndërmjet 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe 20 vendeve që s’bëjnë pjesë në BE.

Tani është radha e Shqipërisë, dhe ngjarja do të jetë njëfarë arritje kulmore për kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Në pushtet që nga viti 2013, ai tashmë është një prej drejtuesve më me përvojë, ndërsa takimi do të mbahet vetëm pesë ditë pas zgjedhjeve parlamentare në republikën e Ballkanit Perëndimor, në të cilat e para doli sërish Partia e tij Socialiste.

Brukseli e vlerëson lart Ramën, ndërsa zyrtarët e BE-së e lavdërojnë atë për aftësitë e tij diplomatike dhe për mprehtësinë e tij. Pasqyrim i kësaj është fakti se Shqipëria, brenda një viti, ka hapur shumicën e kapitujve të negociatave për anëtarësim në BE, teksa pritet të hapë më shumë të tjerë deri në fund të këtij muaji.

Çfarë është Komuniteti Politik Evropian?

KPE-ja nuk është organizëm i BE-së, as nuk është zëvendësim për anëtarësimin në BE, siç frikohen disa vende që aspirojnë t’i bashkohen BE-së. Ajo është, në thelb, forum për diskutime që nuk prodhojnë zyrtarisht rezultate konkrete apo komunikata përfundimtare; ajo s’ka vend të përhershëm apo sekretariat.

Përderisa mediat po mundohen ta shpjegojnë se çfarë saktësisht është apo se cilit qëllim i shërben ajo, duke marrë parasysh faktin se ekzistojnë aq shumë institucione tjera evropiane (si Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, sa për t’i përmendur disa), udhëheqësit duket se i kanë për qejf samitet e KPE-së.

Arsyeja prapa kësaj mund të jetë fakti se KPE-ja ka koreografi minimale zyrtare krahasuar me, për shembull, samitet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe të BE-së, të cilat ndjekin protokolle të rrepta. Sigurisht, ka ceremoni hapëse, ka seancë plenare dhe ka fotografi të përbashkët. Udhëheqësit, më pas, ndahen në tri tavolina tematike, që përqendrohen mbi sigurinë, konkurrueshmërinë dhe migracionin.

Pjesa më e madhe e tubimit njëditor, megjithatë, do t’i përkushtohet takimeve të ndryshme të planifikuara dhe spontane bilaterale, të cilat shpejt mund të shndërrohen në takime më të mëdha, në rast nevoje. Samiti zhvillohet pa shumë ndihmës dhe këshilltarë të akredituar, që mundëson shumë takime dhe grumbullime të shpejta diplomatike, me ushqim dhe pije me bollëk. Tubimi ofron “njëfarë lirie dhe kreativiteti në jetën e tyre kryesisht të strukturuar”, siç është shprehur një diplomat.

Udhëheqësit e BE-së të ftuar në samitin e KPE-së

Në samitet e mëparshme të KPE-së pati orvatje politike për t’i bërë bashkë në një tavolinë udhëheqësin e Armenisë dhe atë të Azerbajxhanit, në shoqërinë e udhëheqësit të Francës dhe atij të Gjermanisë, por përpjekje të tilla nuk priten këtë herë, ndonëse ato nuk mund të përjashtohen kurrë.

Kush do të vijë? Deri më tani, askush nuk e ka refuzuar ftesën që i ka shkuar të gjitha vendeve evropiane, me përjashtim të Bjellorusisë, Rusisë dhe Vatikanit. Pjesëmarrës do të jenë kryetarët e Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit Evropian, ashtu sikurse edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Ky do të jetë takimi i parë multilateral edhe për kancelarin e ri gjerman, Friedrich Merz. Pritet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, edhe nëse një gjë e tillë nuk konfirmohet deri në minutën e fundit. Udhëheqësi turk, Recep Tayyip Erdogan, gjithashtu pritet të shkojë, pasi kishte munguar në disa prej samiteve të mëparshme të KPE-së.

Kryeministri gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, është ftuar të marrë pjesë, sikurse në samitin e fundit në Budapest, në nëntor. Diplomatët e BE-së janë të vendosur të theksojnë se takimi në Tiranë është i KPE-së dhe jo i BE-së, duke marrë parasysh se kjo e fundit ndjek politikën e mosangazhimit me zyrtarë të lartë gjeorgjianë, pas zgjedhjeve të kundërshtuara parlamentare në Gjeorgji, tetorin e kaluar. Nëse Kobakhidze merr pjesë, do të jetë interesante të shihet se si do të reagojnë udhëheqësit e BE-së.

Sytë nga Fico dhe Vuçiq

Ngjashëm, do të jetë interesante të shihet se cila do të jetë qasja e udhëheqësve karshi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, të cilët morën pjesë në paradën për Ditën e Fitores në Moskë, më 9 maj, duke qëndruar përkrah Vladimir Putinit.

Fico është kryesisht i izoluar në nivel të BE-së, ndonëse nuk pritet të përballet me ndonjë sanksion apo ndëshkim pas udhëtimit në Moskë.

Brukseli e kishte paralajmëruar Vuçiqin të mos shkonte në Rusi, duke theksuar se, si kandidate zyrtare për anëtarësim në BE, Serbia duhej të ndiqte politikat e jashtme të bllokut. Por, duket se as Vuçiq nuk do të përballet me ndonjë masë.

Një zyrtar i lartë i BE-së ka konfirmuar, në një bisedë “off-the-record”, para samitit në Tiranë, se Serbia do të mbetet vend kandidat, dhe se nuk ka konsensus mes shteteve anëtare të BE-së për vënie sanksionesh ndaj saj.E vetmja pasojë për Serbinë do të jetë mospërparimi në rrugën drejt anëtarësimit në BE, diçka që s’çon fort peshë, meqë republika ballkanike nuk e ka hapur asnjë kapitull negociatash në katër vjetët e fundit.

Një javë e madhe për NATO-n

Më 14 maj, shefat e Mbrojtjes të aleancës ushtarake 32-anëtarëshe do të mblidhen në Bruksel për takimin e tyre të fundit para samitit të NATO-s në Hagë, muajin e ardhshëm.

Mbështetja për Ukrainën dhe për misionet, operacionet dhe planet e mbrojtjes të NATO-s do të jenë në krye të agjendës.

Në të njëjtën ditë, por në vendpushimin bregdetar turk, Antalia, Rutte do t’i mbledhë ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s për një takim joformal dyditor. Tubimi është kontrovers, për shkak të politikave shtypëse të Turqisë ndaj opozitës, sidomos burgosjes së kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, së voni./ REL

Video

Në pritje të skadimit të ultimatumit të Trump-it (“një qytetërim i tërë do të vdesë sonte”) dhe ndërsa sulmet ndaj infrastrukturës prodhuese dhe ekonomike të vendit janë tashmë në zhvillim, Teherani po publikon në rrjetet sociale dhe në televizion pamje të urave dhe centraleve bërthamore të ruajtura nga qytetarë iranianë, të thirrur të shërbejnë si mburojë njerëzore në përgjigje të thirrjes së regjimit. Në videot e shpërndara shfaqen centrali elektrik i Kazerounit dhe një urë në Ahvaz, të rrethuar nga njerëz që janë mbledhur për të mbrojtur objektet strategjike. Video nga X.

Sejko Veliu quhet personi që shpëtoi vajzën 4-vjeçare nga sulmi i një pitbulli në Vlorë. Ai rrëfen momentet e vështira që kaloi fëmija dhe gjyshja që e shoqëronte

Fermerët dhe blegtorët protestuan kundër skemës kombëtare të bujqësisë për vitin 2026, duke kërkuar subvencione më të larta dhe rikthimin e naftës pa taksa. Ata shprehen se kostot e karburantit dhe ushqimit për bagëtitë janë të papërballueshme. Protestuesit kërkojnë gjithashtu krijimin e një bordi për produktet bazë dhe një laborator për sigurinë ushqimore. Skema e re nuk përfshin mbështetjen e premtuar, gjë që e bën situatën të rëndë për sektorin. Qeveria pranoi të rishikojë skemën vetëm në shtator, por blegtorët e konsiderojnë këtë të papranueshme. Ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestave dhe thonë se do të dalin në rrugë me traktorë dhe lopët e tyre nëse nuk dëgjohen.

Fermerët dhe blegtorët gjatë protestës së sotme para Ministrisë së Bujqësisë kërkuan rikthimin e naftës pa taksa për bujqësinë ose rregullimin e taksës së qarkullimit. Ata theksuan se çmimi i lartë i karburantit po e bën të pamundur funksionimin normal të fermave dhe blegtorisë. Një tjetër kërkesë ishte rritja e subvencioneve për sektorin, duke u ankuar se ato janë 7-8 herë më të ulëta se në vendet fqinje. Fermerët kërkuan gjithashtu ngritjen e një bordi për produktet bazë të shportës. Protestuesit kërkuan krijimin e një laboratori për sigurinë e produkteve ushqimore dhe një trajtim më të drejtë të TVSH-së për fermerët. Ata paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do të përshkallëzojnë protestat në rrugët e Tiranës.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme