
Për të mbrojtur projektin turistik në Zvërnec, kryeministri Edi Rama vijon të sjellë shembuj nga vende të ndryshme të botës, duke e kthyer profilin e tij në Facebook në një guidë turistike ndërkombëtare për resortet elitare.
Kësaj radhe, kreu i qeverisë është ndalur në Portugali, duke marrë si shembull lagunën Ria Formosa dhe transformimin e rajonit të Algarve-s në një nga destinacionet më prestigjioze turistike në Europë.
Në postimin e tij, Rama argumenton se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës mund të ecin paralelisht përmes investimeve strategjike. Sipas tij, Ria Formosa, një peizazh unik me flamingo, shpendë migratorë, ishuj ranorë dhe biodiversitet të pasur, u shndërrua në një histori suksesi falë investimeve miliarda euroshe dhe orientimit drejt turizmit luksoz.
"Flamingot janë ende aty. Shpendët migratorë janë ende aty. Laguna është ende aty", shkruan Rama, duke theksuar se natyra mund të bëhet pjesë e zhvillimit dhe jo pengesë e tij.
Në postimin e gjatë, kryeministri rendit përfitimet që, sipas tij, solli modeli portugez, miliarda euro investime private, mijëra vende pune, rritje të vlerës së pronave dhe zgjatje të sezonit turistik gjatë gjithë vitit.
Megjithatë, në entuziazmin për të promovuar shembujt ndërkombëtarë, kreu i qeverisë nuk jep detaje nëse projektet që përmend janë zhvilluar në kushte të ngjashme me rastin e Zvërnecit. Ai nuk sqaron nëse investimet në Portugali janë miratuar në zona ku kanë ekzistuar konflikte pronësie, debate mbi procedurat e përzgjedhjes së investitorëve apo kundërshtime për ndërhyrje në zona të mbrojtura.
Ndërsa debati për Zvërnecin vijon të mbetet i hapur mes mbështetësve të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtësve të mjedisit, një gjë duket e qartë, deri në sqarimin e të gjitha pikëpyetjeve, Facebook-u i kryeministrit po shndërrohet gradualisht në një katalog ndërkombëtar të destinacioneve turistike të suksesshme.






















