Politika 5 June 2026, 19:37 Nga VNA

Rama humb qetësinë në Zvërnec, debaton me banorët për pronat dhe investimin por shprehet i bindur për ndërtimin e tij

Ndaje në Whatsapp

fggbfgbfgb.jpg

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me banorë dhe pronarë tokash në Zvërnec, në të njëjtën kohë kur në Tiranë po mbahej një protestë poshtë zyrës së tij kundër projektit që pritet të ndërtohet në zonë.

Ndonëse takimi ishte paralajmëruar si një dëgjesë për shqetësimet e banorëve, ai u shoqërua me debat dhe përplasje mes kryeministrit dhe disa prej të pranishmëve, të cilët kërkuan përgjigje për çështjet e pronësisë dhe projektin e planifikuar.

Pronarët e tokave shprehën hapur pakënaqësitë e tyre, ndërsa një prej tyre iu drejtua kryeministrit duke thënë se deklaratat e mëparshme të tij e kishin prekur, pasi toka për të cilën bëhet fjalë është trashëgimi familjare.

“Ajo është një tokë e trashëguar dembabadem. Mua më vrau deklarata juaj, u duk e paragjykuar, u duk sikur… ç’të pres unë tani nga gjykata. Nëse më takon prona apo jo e cakton gjykata. Më kanë sorrollatur 35 vite, 25 vite luftoi im atë derisa vdiq. Fakti që s’kemi vrarë e prerë s‘do të thotë që të mos intervistohemi e të mos kemi zë. Disa deklarata tuajat më kanë prekur”, u shpreh qytetari.

Rama pati debat edhe me një tjetër banor gjatë diskutimeve për investimin e pritshëm në Zvërnec. Disa prej të pranishmëve deklaruan se zotërojnë pjesë të pronës ku parashikohet të zhvillohet projekti, ndërsa proceset gjyqësore për njohjen e pronësisë vijojnë ende.

Gjatë debatit, kryeministri pranoi se çështja e pronave në zonë mbetet problematike, duke theksuar se përgjegjësia e tij nis nga viti 2013 e në vijim. Megjithatë, pyetja e një banori mbi mënyrën se si miratohen projekte investimi në një territor që ndodhet në konflikt gjyqësor mbeti pa një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Të ma rrëmbesh mua në 2006-ën, domethënë të më heqësh mua nga karrigia dhe të ulësh tjetrin, kjo s’vete fare. Unë kam një mall dhe e shita, ai tjetri e bleu. Si e bleu? Unë kur shkoj të blej një shtëpi shkoj kontrolloj dhe dritat nëse janë paguar apo jo. Ai pse nuk kontrolloi që kjo tokë është e grabitur edhe është në gjyq”, u shpreh banori.

Përballë kundërshtimeve dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme nga të pranishmit, Rama u shfaq i tensionuar në disa momente të takimit, duke ngritur tonet gjatë debateve dhe ka ndërprerë disa prej folësve duke i hequr mikrofonin.
“Të lutem me kë po flet tani s’po të kuptoj ë? Jo jo po me kë tani me kë? Hë pra me kë?”, u shpreh në një moment Rama.

Pavarësisht kundërshtimeve të banorëve dhe protestave që po zhvillohen kundër projektit, kryeministri u shpreh i bindur se investimi do të vijojë dhe se ai vetë do të jetë i pranishëm në Zvërnec për prezantimin e tij. Rama argumentoi se projekti do të sjellë vende pune dhe të ardhura për zonën, ndërsa përsëriti qëndrimin se periudha kur investitorët zgjidhnin vendet fqinje për të zhvilluar projektet e tyre ka përfunduar.

Në fund të takimit, kryeministri i cilësoi protestat si të motivuara politikisht dhe deklaroi se kundërshtarët e projektit do të kenë mundësinë të testojnë mbështetjen e tyre te qytetarët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2029.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme