
Pasi për vite me radhë e ka paraqitur Shqipërinë si një histori suksesi të ndërtuar me ritme të larta betoni dhe investimesh, kryeministri Edi Rama tashmë e ka zhvendosur ambicien edhe përtej kufijve. Nga foltorja e Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës (URC 2026), Rama deklaroi se rindërtimi i Ukrainës dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian janë procese që “plotësojnë Europën”, duke theksuar se rindërtimi nuk është bamirësi, por strategji.
Deklarata vjen ndërsa në Shqipëri modeli i zhvillimit i promovuar nga qeveria është shoqëruar prej vitesh me akuza për pastrim parash, mbështetje të ekonomisë tek ndërtimi dhe hetime të SPAK për një sërë aferash të lidhura me tenderë dhe leje zhvillimi. Pavarësisht këtyre debateve, Rama u shfaq në konferencë si mbështetës i idesë se rindërtimi duhet të nisë edhe përpara përfundimit të luftës.
“Nëse rindërtimi pret derisa të bjerë plumbi i fundit, atëherë do të jetë tepër vonë. Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri me të cilën po mbron lirinë e saj”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, rindërtimi i Ukrainës dhe integrimi europian i Ballkanit Perëndimor janë dy procese që forcojnë njëri-tjetrin, pasi kontribuojnë në qëndrueshmërinë dhe sigurinë strategjike të Europës. Ai shtoi se synimi nuk është vetëm rikuperimi i dëmeve të luftës, por ndërtimi i një Ukraine moderne, demokratike dhe europiane.
Konferenca URC 2026 synon të mobilizojë mbështetje ndërkombëtare dhe investime për rindërtimin afatgjatë të Ukrainës, me fokus te energjia, infrastruktura kritike, logjistika dhe kapacitetet e sigurisë.






















