Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilluan sot një vizitë në institutin Harry Fultz, i cili bashkëpunon me Institutin e Teknologjisë Rochester (RIT), një nga universitetet më të mira në SHBA.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama theksoi rëndësinë e arsimit profesional dhe mundësitë që ky institut u ofron të rinjve për të ndjekur studimet në fusha teknologjike, duke u kualifikuar me standarde amerikane. Ai nënvizoi se përmes Fondit Shqiptaro-Amerikan po mbështeten iniciativa të rëndësishme për zhvillimin e arsimit në vend.
“Falë këtij kontributi, fëmijët dhe të rinjtë kanë mundësi të përfitojnë nga programe cilësore, si ato që zhvillohen në Piramidë, ku fëmijët 12-18 vjeç mund të ndjekin kurse teknologjike falas. Ky bashkëpunim mes Fondit dhe Bashkisë së Tiranës është një shembull i mirë i investimeve në arsim,” u shpreh Rama.
Kryeministri gjithashtu përmendi projektet e ardhshme, si përfundimi i Parkut të Madh Durana dhe zgjerimi i qendrave TUMO në Shkodër dhe Elbasan. Sipas tij, ka një përmbysje të dinamikës mes shtetit dhe sipërmarrjes, me një fokus më të madh në krijimin e mundësive për të rinjtë.
Ai theksoi se diploma e institutit Harry Fultz është e barasvlershme me atë të RIT në SHBA, duke i dhënë studentëve avantazhe të mëdha në tregun ndërkombëtar të punës.






















