Bota 4 Mars 2025, 16:19 Nga VNA

Presidenti Trump pezullon ndihmën amerikane për Ukrainën

Ndaje në Whatsapp
Presidenti Trump pezullon ndihmën amerikane për Ukrainën

Shtëpia e Bardhë tha të hënën vonë se Presidenti Donald Trump ka vendosur të pezullojë ndihmën për Ukrainën.

"Presidenti ka qenë i qartë se ai është i përqendruar tek paqja", i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i lartë i administratës në një deklaratë të dërguar nëpërmjet postës elektronike. "Ne kemi nevojë që partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi gjithashtu. Ne po e pezullojmë dhe po e shqyrtojmë ndihmën tonë, për t’u siguruar që ajo po ndihmon për një zgjidhje", tha zyrtari i cili nuk deshi të identifikohet.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha të hënën në fjalimin e tij të mbrëmjes se vendi i tij ka nevojë për "paqe të vërtetë dhe të drejtë", si dhe garanci për t’u siguruar që Rusia të mos e kërcënojë përsëri Ukrainën në të ardhmen.

“Ishte pikërisht mungesa e garancive të sigurisë për Ukrainën 11 vjet më parë që e lejoi Rusinë të fillonte me pushtimin e Krimesë dhe luftën në Donbas”, tha zoti Zelensky. “Më pas, mungesa e garancive të sigurisë e lejoi Rusinë të nisë pushtimin në shkallë të gjerë. Dhe tani, për shkak se ende nuk ka garanci të përcaktuara sigurie, është Rusia ajo që po e vazhdon këtë luftë”.

Më herët të hënën, Presidenti Trump vuri në dukje se një marrëveshje për mineralet e rralla është thelbësore për vazhdimin e mbështetjes amerikane për Ukrainën dhe tha se do të bënte një njoftim për këtë çështje të martën, gjatë një sesioni të përbashkët të Kongresit.

Presidenti Trump ka nxitur përfundimin e luftimeve, por zoti Zelensky ka shprehur frikën se zoti Trump po përpiqet të zgjidhë konfliktin me kushte më të favorshme për Moskën sesa për Kievin.

Të hënën, presidenti i prirë ndaj marrëveshjeve praktike i mëshoi qëndrimit të tij gjithnjë e më të prerë: nëse Ukraina dëshiron të mbijetojë, Presidenti Zelensky duhet të bëjë një marrëveshje.

“Mund të bëhet shumë shpejt”, tha Presidenti Trump. “Tani, ndoshta dikush nuk dëshiron të bëjë një marrëveshje dhe nëse dikush nuk dëshiron të bëjë një marrëveshje, unë mendoj se ai person nuk do të jetë vërdallë për shumë kohë. Ai person nuk do të dëgjohet shumë gjatë, sepse besoj që Rusia dëshiron të bëjë një marrëveshje. Unë besoj se me siguri populli i Ukrainës dëshiron të bëjë një marrëveshje. Ai ka vuajtur më shumë se kushdo tjetër”.

Më herët gjatë së hënës në një postim në mediat sociale, Presidenti Trump kundërshtoi vlerësimin e zotit Zelensky se fundi i luftës së Rusisë me vendin e tij "është ende shumë, shumë larg", duke e quajtur atë "deklaratën më të keqe".

"Amerika nuk do ta durojë këtë për shumë kohë!", shtoi ai.

Përpara se Presidenti Zelensky të arrinte në Uashington të premten, marrëveshja ishte hartuar në vija të gjera. Ajo synonte të lejojë investimet amerikane në eksplorimin e mineraleve të rralla tokësore.

Por, zoti Zelensky kishte këmbëngulur në nevojën për garanci të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk ishin në projektin fillestar.

"Është ende e paqartë se cili është në të vërtetë plani i zotit Trump", i tha Zërit të Amerikës në një intervistë në platformën Zoom, Anna Borshchevskaya, një bashkëpunëtore e lartë në Institutin e Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt. "Ajo që ne mund të shohim gjithashtu dhe që doli gjatë fundjavës, është se Evropa po bën më shumë për t’iu kundërvënë Rusisë”.

Pasi takimi në Shtëpinë e Bardhë u prish pas shkëmbimeve të ashpra mes zotit Zelensky me Presidentin Trump dhe Nënpresidentin JD Vance, zoti Zelensky udhëtoi përtej Atlantikut për t'u takuar me aleatët evropianë. Ai u përshëndet ngrohtësisht nga Kryeministri britanik Keir Starmer.

"Britania do të luajë një rol udhëheqës, nëse është e nevojshme dhe së bashku me të tjerët, me trupat në terren dhe avionët në ajër", tha Kryeministri Starmer duke folur në parlament. “Zoti kryetar, është e drejtë që Evropa të marrë përsipër barrën më të rëndë për të mbështetur paqen në kontinentin tonë. Por, për të pasur sukses, kjo përpjekje duhet të ketë gjithashtu mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Udhëheqësit evropianë pritet të takohen të enjten në Bruksel për të diskutuar mbështetjen e BE-së për Ukrainën dhe forcimin e mbrojtjes së Evropës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha të martën se "Evropa është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj", ndërsa diskutoi planin me pesë pika, që ajo tha se mund të mobilizojë rreth 840 milionë dollarë shpenzime për mbrojtjen nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Zonja Von der Leyen tha se propozimi përfshin dhënien e kredive prej 158 miliardë dollarësh për vendet anëtare, me qëllim koordinimin e prokurimeve të përbashkëta të mbrojtjes, përfshirë ofrimin me shpejtësi të ndihmave për Ukrainën./VOA

 

Video

Zohran Mamdani, kryetari i ri i Nju Jorkut, sfidon Donald Trumpin që në ditën e parë! Në fjalimin e fitores, 34-vjeçari demokrat i drejtoi katër fjalë presidentit: “Turn the volume up!” – një mesazh i fortë për t’i bërë të ditur se qyteti nuk ka ndërmend të heshtë. Mamdani, një socialist demokrat me rrënjë emigrante, premton të përballet me politikat e Trumpit, veçanërisht në fushën e imigracionit dhe kostos së jetesës. Agjenda e tij përfshin ngrirje të qirave, kujdes universal për fëmijët dhe masa të reja për të lehtësuar barrën e qytetarëve. “Nëse ka një mënyrë për të ndalur një despot, është duke shkatërruar kushtet që e ushqejnë pushtetin e tij,” tha ai mes duartrokitjeve të mbështetësve.

Humbja në Nju Jork, reagon presidenti amerikan Donald Trump Rezultatet jo të favorshme për republikanët janë pranuar nga vetë Donald Trump, i cili u takua këtë mëngjes me ligjvënës të partisë konservatore. Një ditë pas zgjedhjes historike të Zohran Mamdani si kryetar bashkie i Nju Jorkut, presidenti amerikan pranoi: “Nuk mendoj se ishte mirë për republikanët.” Trump fajësoi mbylljen e qeverisë për humbjen, duke theksuar se sondazhet tregojnë se publiku ia atribuon fajin më shumë atij dhe republikanëve. Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje senatorëve republikanë që të shfuqizojnë filibusterin, një procedurë që lejon debate të pafundme në Senat dhe shpesh bllokon miratimin e projektligjeve. “Është koha që republikanët të bëjnë atë që duhet të bëjnë,” tha ai, duke paralajmëruar se përndryshe partia do të mbetet në një pozitë të pafavorshme.

Një situatë e paprecedentë ka ndodhur në Japoni, ku autoritetet qeveritare kanë urdhëruar ushtrinë të dalë në rrugë e armatosur për të menaxhuar një valë sulmesh nga arinjtë. Trupa ushtarake janë dërguar në rajonin malor, pas një apeli urgjent nga autoritetet lokale, të cilat përpiqen të mbrojnë banorët dhe të kontrollojnë situatën. Operacioni ka filluar në qytetin Kazuno, ku banorëve u është këshilluar të shmangin pyjet e dendura, të qëndrojnë brenda pas errësirës dhe të përdorin zile për të trembur arinjtë që afrohen pranë shtëpive. Që nga prilli, më shumë se 100 sulme të arinjve janë raportuar në të gjithë Japoni, duke shkaktuar 12 viktima.

Drejt Europës vetëm me përgjigje. Se pyetjet nuk i kemi qejf këto kohë…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme