
Ky do të jetë një vit vendimtar për përcaktimin e qasjes së qeverisë shqiptare ndaj sistemit të drejtësisë, ndërsa vendi synon të ruajë progresin e arritur drejt anëtarësimit në BE në vitin 2025.
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, pasi kjo e fundit kërkoi arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zyrtares më të lartë publike të akuzuar deri më tani.
Pyetja është nëse qeveria do të vazhdojë të sulmojë institucionet e drejtësisë për t’u ardhur në mbështetje bashkëpunëtorëve të Ramës – ndërkohë që këto janë po ato institucione që kanë sjellë progres real në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, proces që Rama është zotuar ta përmbyllë deri në fund të dekadës.
SPAK u krijua në vitin 2019. I njohur më së shumti për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, ai po përballet gjithashtu me një sfidë lidhur me ruajtjen e pavarësisë së tij.
Drejtuesi i ri që nga dhjetori, Klodian Braho, duhet të menaxhojë pritshmëri të larta dhe presionin publik e politik, pasi paraardhësi i tij, Altin Dumani, ngriti ndjeshëm pritshmëritë duke ndjekur penalisht zyrtarë të lartë, duke treguar për herë të parë që nga fundi i komunizmit se askush nuk është mbi ligjin.
Ndërkohë, edhe partia kryesore opozitare, Partia Demokratike, përballet me një sfidë – reformimin e saj gjatë vitit 2026, pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme në maj të vitit të kaluar, çka sipas shumicës së analistëve politikë është thelbësore për të krijuar një alternativë të re politike për vendin.
Deri më tani, pavarësisht organizimit të protestave kundër Ramës, ajo nuk ka bërë shumë përparim. “Partia Demokratike po dështon ta shfrytëzojë situatën në favorin e saj ose të mobilizojë publikun”, tha për BIRN eksperti politik dhe profesori Ermal Hasimja.
“Ajo nuk ka besueshmërinë e nevojshme politike. Publiku e sheh si pjesë të një elite që punon për interesat e veta dhe jo për vendin. Që nga viti 2013 (kur humbi pushtetin), Partia Demokratike nuk arriti të ndryshojë mjaftueshëm për t’u bërë e besueshme”, shtoi Hasimja.
Megjithatë, një zhvillim i vogël, por domethënës, mund të ndikojë në perspektivën e partisë. Në dhjetor, ish-deputeti Ervin Salianji nisi të zhvillojë një seri takimesh, duke u folur mbështetësve të opozitës me synim reformimin e partisë. Kreu i partisë, Sali Berisha, i cili është nën sanksione amerikane dhe përballet gjithashtu me akuza për korrupsion nga SPAK, i ka quajtur këto takime një “tur personal” që nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të partisë. Por Salianji është zotuar se do të vazhdojë.
Veprimet e tij pritet të bëhen më të qarta gjatë vitit 2026, veçanërisht nëse ai do të krijojë një fraksion të ri politik apo do të përpiqet të marrë drejtimin e Partisë Demokratike.
SPAK në qendër të vëmendjes

Puna e SPAK-ut ka qenë fokusi kryesor në vend gjatë viteve të fundit. Shumë politikanë të profilit të lartë tashmë janë nën arrest ose nën hetim. Përveç zëvendëskryeministres Balluku, akuza janë ngritur edhe ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Berisha.
“Drejtësia, e cila ishte tema kryesore e vitit 2025, pritet të jetë çështja më e nxehtë në fillim të vitit 2026. Nga njëra anë kemi luftën e SPAK-ut kundër krimit dhe korrupsionit, dhe nga ana tjetër do të shohim një luftë më të madhe kundër SPAK-ut nga politikanët, mediat dhe biznesi”, tha Rigels Xhemollari nga organizata joqeveritare me bazë në Tiranë, Qëndresa Qytetare.
Sipas Gentian Serjanit, avokat dhe drejtues i organizatës për të drejtat e njeriut Për Drejtësi Sociale, “puna e SPAK-ut pritet të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtin nivel ndikimi, duke mbajtur presion të vazhdueshëm mbi aktorët politikë”.
Në dhjetor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi Klodian Braho si drejtuesin e ri të SPAK-ut. Braho do të mbetet në qendër të vëmendjes publike pasi pasoi Altin Dumanin, i cili perceptohej gjerësisht si një prokuror i gatshëm të përballej me kulturën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
“Viti 2026 do të jetë viti i drejtuesit të ri të SPAK-ut. Altin Dumani e ngriti ndjeshëm nivelin, duke e kthyer SPAK-un në një shpresë për ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta”, tha Dervishi. “Ai vendosi një standard të ri pritshmërish – ndoshta më të lartë sesa kapacitetet aktuale të institucionit (për ta përmbushur).”
Tensione në parlament

Sfida kryesore politike për jetën parlamentare në vitin 2026 do të jetë nëse dy kampet kryesore politike – Partia Socialiste, e cila fitoi një mandat të katërt të paprecedentë në vitin 2025, dhe Partia Demokratike në opozitë – do të arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të bashkëpunuar mbi çështje që kërkojnë konsensus të ndërsjellë.
Dy partitë kryesore kanë rënë tashmë dakord të bashkëpunojnë për disa çështje kritike, si reforma zgjedhore dhe territoriale, si dhe ndryshimet në rregulloren parlamentare, duke votuar në tetor ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare.
Por partitë më të vogla dyshojnë se kjo ka qenë rezultat i një marrëveshjeje mes Ramës dhe Berishës për të përjashtuar rivalët dhe për të forcuar hegjemoninë e tyre mbi politikën shqiptare.
“Parlamenti do të përballet me prova të forta lidhur me reformat zgjedhore dhe territoriale, ku priten ndryshime kushtetuese dhe themelore sa i përket përbërjes zgjedhore-politike të vendit dhe financimit të fushatave”, vuri në dukje Xhemollari.
Seancat parlamentare priren të jenë të tensionuara, përçarëse dhe joproduktive – një atmosferë jo e favorshme për reforma të qeta dhe racionale, vërejti analisti politik Lutfi Dervishi. Ai tha se një problem ishte fakti që Partia Demokratike nuk e ka pranuar realisht fitoren e socialistëve në zgjedhjet e vitit 2025.
“Tensioni politik në vend nuk është një episod i izoluar, por një gjendje e përhershme. Opozita do të vazhdojë t’i kontestojë zgjedhjet e fundit, duke iu referuar raportit të ODIHR-it (vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve), i cili thekson probleme strukturore në barazinë e garës, përdorimin e burimeve shtetërore dhe presionin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ndaj votuesve,” tha Dervishi për BIRN.
“Vit provë” për shpresat e anëtarësimit në BE

Shqipëria hapi në nëntor grup-kapitullin e fundit të temave në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që përfshijnë bujqësinë dhe peshkimin, sigurinë ushqimore dhe politikën e kohezionit – një tjetër hap në rrugën drejt anëtarësimit për shtetin ballkanik.
Ky moment historik u shënua në konferencën e shtatë ndërqeveritare BE–Shqipëri, të mbajtur në Bruksel. Shqipëria e hapi grup-kapitullin e parë të negociatave – mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, lirinë dhe sigurinë, si dhe prokurimet dhe kontrollin financiar – në tetor të vitit të kaluar, duke e përmbyllur të gjithë procesin e hapjes së kapitujve brenda rreth një viti.
Kryeministri Rama u zotua përpara zgjedhjeve të përgjithshme të majit se Shqipëria do të ishte anëtare e plotë e BE-së deri në vitin 2030, një premtim që në atë kohë u prit me skepticizëm nga ekspertët vendas.
Megjithatë, Shqipëria tani konsiderohet si një nga vendet favorite për anëtarësim, siç konfirmohet edhe nga raportet e fundit të progresit të BE-së për dhjetë vendet kandidate.
Sipas Xhemollarit, “hapja e të gjithë kapitujve me Bashkimin Evropian gjatë vitit 2025 do ta përqendrojë qeverinë në përmbushjen, të paktën formale, të detyrimeve – por mbeten sfida sa i përket standardeve të jetesës së qytetarëve, sigurisë ushqimore, të drejtave të konsumatorit dhe rritjes së çmimeve në raport me të ardhurat”.
Dervishi pajtohet se viti 2026 do të tregojë nëse përparimi i Shqipërisë drejt BE-së ka përmbajtje reale.
“Të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian janë hapur, por asnjë nuk është mbyllur. Teknikisht, ky quhet progres. Por viti 2026 mbetet një vit provë”, tha ai./BIRN/






















