Bota 22 September 2026, 07:31 Nga VNA

Pishina, palestra dhe parkingje nën tokë: bunkerët e Luftës së Ftohtë marrin një jetë të dytë

Ndaje në Whatsapp
Pishina, palestra dhe parkingje nën tokë: bunkerët e Luftës

Nga jashtë mund të duket si hyrja e zakonshme e një parkingu në Helsinki, por rreth 30 metra nën tokë nis një tunel i projektuar për të përballuar fuqinë e një shpërthimi. Në fund të tij ndodhen dy dyer çeliku me peshë 13 tonë secila dhe një dhomë dekontaminimi. Pas tyre, megjithatë, nuk sheh njerëz që përgatiten për luftë, por fëmijë që luajnë, njerëz që ushtrohen në palestër, fusha futbolli dhe hokeji, kafene dhe ambiente argëtimi.

Është një nga bunkerët e mbrojtjes civile të Helsinkit dhe një shembull i mënyrës së pazakontë se si vendet nordike po përdorin infrastrukturën e ndërtuar për skenarin më të keq. Në Finlandë, Suedi dhe Norvegji, bunkerët e Luftës së Ftohtë nuk janë vetëm relikte historike. Shumë prej tyre janë pjesë e jetës së përditshme.

Në Helsinki, disa prej hapësirave nëntokësore janë shndërruar në pishina, palestra, fusha sportive, parkingje, pista kartingu dhe ambiente të tjera argëtimi. Një kompleks i përfunduar në vitin 1993 mund të strehojë rreth 3,800 njerëz në rast emergjence. Në kohë paqeje funksionon si qendër ujore dhe sportive, me pishinë të përmasave olimpike, rrëshqitëse uji, trampolina, palestër dhe sauna. Në një tjetër bunker ndodhet një pistë kartingu rreth 300 metra e gjatë. Ka gjithashtu hapësira për hedhje sëpatash dhe poligone ku stërviten rezervistët.

Por pas pajisjeve sportive vazhdon të ekzistojë infrastruktura për të cilën këto hapësira u ndërtuan fillimisht. Sistemet e ventilimit, filtrat, shtretërit e emergjencës, dushet dhe pajisjet sanitare mirëmbahen vazhdimisht. Bizneset private lejohen të përdorin disa prej bunkerëve në kohë paqeje, por me një kusht të rëndësishëm: nëse autoritetet japin alarmin, ambientet duhet të mund të pastrohen dhe përgatiten për strehim brenda 72 orëve.

Finlanda ka rreth 50,500 strehime të mbrojtjes civile. Së bashku ato kanë kapacitet për rreth 4.8 milionë njerëz, në një vend me popullsi afro 5.7 milionë. Rreth 85% e tyre janë strehime private prej betoni të përforcuar, të ndërtuara në ndërtesa të ndryshme. Vetëm Helsinki ka kapacitet në strehimet e tij për më shumë njerëz sesa popullsia e qytetit, e cila është afërsisht 700 mijë banorë.

Për shumë vite, sistemi shihej nga disa si një trashëgimi e kushtueshme e Luftës së Ftohtë, por lufta në Ukrainë e ka ndryshuar këtë perceptim. Rreziku i një konflikti më të gjerë në Europë ka bërë që Finlanda, Suedia dhe Norvegjia t’i rikthehen seriozisht infrastrukturës së tyre të mbrojtjes civile.

Norvegjia, për shembull, ka rreth 18,600 strehime, por ndaloi ndërtimin e bunkerëve të rinj pas vitit 1998. Strehimi më i madh në Oslo, i projektuar për rreth 1,100 persona, nuk është rinovuar që prej vitit 1992. Tani vendi po rikthehet te koncepti i “mbrojtjes totale”, ku jo vetëm ushtria, por institucionet, bizneset dhe shoqëria civile duhet të jenë të përgatitura për një krizë të madhe.

Kjo është ajo që i bën bunkerët nordikë kaq të pazakontë: ata jetojnë dy jetë në të njëjtën kohë. Sot një fëmijë mund të zbresë nën tokë për të notuar, një i ri për të shkuar në palestër dhe një familje për të kaluar disa orë në një qendër sportive. Por pas pishinës, saunës apo pistës së kartingut vazhdojnë të qëndrojnë dyert e rënda prej çeliku, filtrat e ajrit dhe sistemet e emergjencës. Gjithçka është projektuar që, nëse një ditë bëhet e nevojshme, hapësira e argëtimit të kthehet përsëri në bunker.

Video

Një zjarr ka rënë në fshatin Shën Pjetër, në zonën e Gjirit të Lalëzit, pranë vijës bregdetare. Sipas burimeve nga shërbimi zjarrfikës, për arsye sigurie janë evakuuar disa turistë që ndodheshin pranë një hoteli në zonë. Në vendngjarje janë angazhuar një numër i madh efektivësh dhe mjetesh zjarrfikëse nga repartet e Durrësit, Tiranës, Kamzës dhe Shijakut, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.

Autoritetet amerikane kanë ndaluar pranë brigjeve të Floridës një varkë me 22 emigrantë që dyshohet se po tentonin të hynin ilegalisht në SHBA. Mes tyre ndodheshin 13 shtetas kinezë. Varka u diktua pranë Key Largo, ndërsa më pas ndërhynë agjentët kufitarë dhe Roja Bregdetare amerikane. Gjatë operacionit u ndalua edhe një person i dyshuar si trafikant kuban. Sipas burimeve të cituara nga Fox News, tentativa konsiderohet e pazakontë dhe shumë e rrezikshme, pasi shtetasit kinezë rrallë përdorin rrugët detare të Karaibeve për të hyrë në SHBA.

Lian Yunji, një vajzë vetëm 6 vjeçe nga Kina, ka thyer dy herë brenda tri ditësh rekordin botëror për femra në zgjidhjen e Kubit të Rubikut. Fillimisht, ajo regjistroi një mesatare prej 4.52 sekondash në një garë në Wuhan. Vetëm pak ditë më vonë, në Guangzhou, Lian e përmirësoi rekordin në 4.27 sekonda. Sipas BBC-së, ajo është femra e parë në botë që e zgjidh kubin me një mesatare nën 4.5 sekonda. Vogëlushja nga provinca Sichuan ka mësuar mbi 1,300 algoritme për zgjidhjen e tij. Gjatë vitit të fundit, ajo është stërvitur intensivisht nga dy deri në tri orë çdo ditë.

Pyetje që doktori ka 35 vjet që i dëgjon dhe 35 vjet që premton se do t’i zgjidhë sapo të marrë pushtetin

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme