Politika 6 Qershor 2025, 11:04 Nga VNA

Pas perdes së fushatës: Gratë kandidate u sulmuan me gjuhë seksiste dhe denigruese

Ndaje në Whatsapp
Pas perdes së fushatës: Gratë kandidate u sulmuan me gjuhë

Në videon mbështetëse, Seitaj luan rolin e nënës së tij dhe në një moment i drejtohet Majkos: “Të tëra të mirat i ke të keqen nëna, që të gjesh një burrë”.

Pas një fushate derë më derë në qarkun e Vlorës, Majko i tha BIRN se ajo që aktori tha me humor ishte në fakt një prej klisheve më të shpeshta paragjykuese me të cilën u përball vazhdimisht në terren.

“Nuk besoj që ndonjë burrë kandidat e pyesin nëse është i martuar apo ka fëmijë, por kjo mua më ndodhte shpesh,” tha Majko. “M’u krijua përshtypja se nëse do isha e martuar dhe me fëmijë, do merrja ndonjë votë më shumë,” shtoi ajo.

Ballafaqimi me stereotipet gjinore ishte vetëm ana e dukshme. Në rrjetet sociale, Majko thotë se u sulmua me komente të dhunshme dhe gjuhë urrejtjeje fillimisht se ishte pjesë e komunitetit rom dhe më pas si grua.

“Dua të them që këta janë të njëjtët persona, një racist është seksist dhe homofob njëkohësisht. Nuk mund të presësh që dikush që është seksist, të mos jetë edhe racist apo të respektojë kategori të tjera,” i tha ajo BIRN, ndërsa shtoi se “ ishte ende aty”

Përvoja e Majkos nuk është e izoluar. Mes 787 grave që garuan në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, shumë prej tyre u targetuan në rrjetet sociale me gjuhë fyese, denigruese dhe urrejtjeje mbi bazë të gjinisë.

BIRN analizoi mbi 150 mijë komente të mbledhura nga faqet në Facebook të kandidateve gra nga i gjithë spektri politik në rrjetet sociale, me ndihmën e mjeteve teknologjike si Google Colab, SentiOne dhe Apify, dhe identifikoi gjerësisht përmbajtje seksiste, e cila varion deri në nëntë për qind të totalit të komenteve pa dallim force politike.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se ndaj grave në politikë pati sulme të organizuara nga profile false, të cilat synonin që t’i paraqisnin kandidatet si “kukulla”, “të përdala” apo zgjatime të burrave në garë.

Kandidatet u targetuan pothuajse njësoj nga komentet fyese, denigruese apo gjuha e urrejtjes, pavarësisht partisë politike të cilën ato përfaqësojnë. Një diferencë e vogël në përqindje u vu re ndaj disa kandidateve të mazhorancës, të cilat u sulmuan disi më fort se të tjerat.

Aktivistët e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se një klimë e tillë online, e shoqëruar edhe me qëndrimet seksiste të liderëve të partive politike, ndikon negativisht në përfaqësimin e grave në politikë, duke ulur vetëbesimin dhe gatishmërinë e tyre për të kandiduar në të ardhmen.

“Ndikon patjetër për disa arsye: krijon klimë frike apo dhune psikologjike, forcon stereotipet gjinore duke i cilësuar gratë apo vajzat si të paafta për të përballuar emocionalisht çështjet e politikës,” thotë Ines Leskaj, drejtuese e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, AWEN.

“Shumë gra vendosin mos të kandidojnë apo përballen publikisht për shkak të sulmeve të mundshme apo përdorimit të figurës së tyre,” shtoi Leskaj.

Sulme seksiste të organizuara  

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të cilat i dhanë një mandat të katërt pothuajse të cilësuar kryeministrit Edi Rama, numri i grave në garë si në listat e mbyllura ashtu edhe në ato preferenciale ishte i konsiderueshëm, 787 në total.

Mes tyre u zgjodhën deputete 50 gra nga katër forca politike; 34 prej të cilave nga Partia Socialiste në mazhorancë, 13 nga Partia Demokratike, 2 nga Partia Socialdemokrate dhe një mandat i diskutueshëm nga koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet.

Numerikisht, gratë përbëjnë sot rreth 35 për qind të parlamentit të ardhshëm në Shqipëri ose 5 pikë më lart se kuotat e detyrueshme gjinore për promovimin e barazisë gjinore në politikë. Megjithatë, nën koracën e numrave fshihen sulme individuale apo të orkestruara vetëm për shkak të gjinisë.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se një pjesë e komenteve me gjuhë seksiste dhe denigruese për kandidatet e të dyja forcave kryesore vinin nga profile false. Një grup profilesh, që kishin në URL një pseudonim apo emër e mbiemër të supozuar, të ndarë me pikë dhe përfundonin me “.2025”, u përdorën për të sulmuar me gjuhë seksiste kandidate të të dyja forcave kryesore politike. Profile të ngjashme po ashtu bënin komente pozitive, të cilat në mjaft raste ishin të njëjta.

Një pjesë e këtyre profileve ishin lehtësisht të identifikueshme si të rreme, pasi ishin krijuar pothuajse në të njëjtën kohë, kishin numër të kufizuar ndjekësish, nuk kishin postime reale dhe fotografitë e profilit i kishin të marra nga interneti. Një pjesë e profileve që përfundonin me “.2025” ndanin të njëjtët miq dhe rezultuan të fshira pas përfundimit të fushatës elektorale.

Anita Doçi punoi gjatë fushatës si menaxhere e rrjeteve sociale për kandidaten e Partisë Demokratike, , dhe një ndër punët e saj ditore ishte fshirja e dhjetra mesazheve fyese dhe denigruese. Doçi thotë se kishte hasur shumë raste ku në postimet nga terreni, Tabakut i shkruanin mesazhe të llojit “rri gjithë ditën rrugëve” apo “s’mendon fare për familjen, fëmijët”.

“Komente që nuk i gjen te kandidatët meshkuj,” tha ajo.

Vetë Tabaku i tha BIRN se gjatë fushatës ishin aktivizuar grupe të organizuara me qëllimin e vetëm për të sulmuar. Sulmet, sipas saj, ishin masive në ato video që u përzgjodhën prej fushatës për të prezantuar një kandidate më normale – si për shembull një video ku ajo kishte ndaluar të vishte atletet.

“Ajo video u bë nga më të ndjekurat, nuk e di me 1 milion shikime, dhe duke u futur njerëzit atje, nuk e ke idenë lloj-lloj komentesh për një atlete që vesh,” tha Tabaku.

Ajo tha se gratë shiheshin si target më i lehtë për komentuesit edhe kur nuk ishin të organizuar nga forca politike rivale.

“Ndoshta e kanë më të lehtë ta bëjnë këtë ndaj grave. U duket më e thjeshtë për të sulmuar një grua se mendojnë që ndoshta nuk ka përgjigje,” shtoi ajo.

BIRN vuri re se numri më i lartë i komenteve seksiste ishte në ato postime në rrjetet sociale që i vendosnin kandidatet në mjedise të cilat përkojnë me paragjykimet gjinore. Videot në fshat, vizitat në fasoneri si dhe takimet me fëmijë dhe të moshuar përmbanin shpesh komente seksiste dhe gjuhë të tillë. Po ashtu, postimet e grave kandidate lidhur me drejtuesit e forcave politike apo prania në të njëjtin mjedis tërhoqi më shumë gjuhë seksiste.

Në kampin e mazhorancës, kandidatet  dhe  thonë se u përballën me gjuhë fyese në rrjetet sociale.

“Kuptohet që nuk kanë qenë komente që të merrnin shkak nga diçka konkrete apo në lidhje me takimin, thjesht gjuhë fyese kundrejt personit tim dhe përkatësisë time partiake,” tha Spahiu.

Gjylameti, e cila nuk arriti të futej në Kuvend për një grusht votash, tha se kishte vënë re një rritje të komenteve fyese apo seksiste në javët e fundit të fushatës. Ajo theksoi gjithashtu se komente të tilla përpiqeshin që t’i fshinin për të mos nxitur më tej gjuhën e urrejtjes.

“Nga eksperienca ime personale, postimet e fushatës elektorale, sidomos në javët e fundit, u shoqëruan me vrull komentesh urrejtje politike dhe kryesisht të bazuara në të qenit grua,” tha Gjylameti.

“Çfarë përmban një gjuhë jo etike, me terminologji seksiste apo denigruese, vullnetarët që janë pjesë e stafit tim i fshijnë dhe kjo si një mënyrë që të mos nxitet më shumë gjuha e urrejtjes,” theksoi ajo.

Tolerancë institucionale dhe shoqërore

Gjuha denigruese dhe seksiste në hapësirën online konsiderohet si zgjatim i së njëjtës gjuhë të përdorur rëndom nga drejtuesit e partive politike dhe media tradicionale në Shqipëri.  Për ekspertët dhe studiueset e këtij fenomeni, fushata e fundit zgjedhore vazhdoi në të njëjtin trend, duke krijuar një klimë jo të mirë për gratë që përfshihen në politikë.

Izela Tahsini, psikoterapiste dhe Profesore e Asociuar në punë sociale i tha BIRN se gjuha seksiste dhe denigruese në rrjetet sociale përforconte stereotipet e dëmshshme dhe minonte besueshmërinë e kandidateve në garë.

“Sensacionalizmi dhe gjuha seksiste, për fat të keq, nuk u eliminuan, veçanërisht në seksionet e komenteve online, duke krijuar një mjedis armiqësor për ,” tha Tahsini.

“Rrjedhimisht, ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, jam e bindur se vazhdon të mbajë jashtë politikës një sërë grash”, shtoi ajo.

Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit politik, mendon se komentet e personave anonimë në rrjetet sociale frymëzohen nga liderët e tyre politikë.

“Komentet tallëse të nisura nga politikanët apo mediat shtjelloheshin më tej në komente pa fre online, edhe në faqet e disa prej mediave të mëdha”, tha Gjoni. “Çdo person anonim ndjen se ka të drejtë të reduktojë kandidatet gra në stereotipe gjinore, duke minimizuar kështu zyrtarisht rolin e tyre si kontribuuese politike,” shtoi ajo.

Edhe , autore e studimeve mbi përfaqësimin e grave në politikë, i tha BIRN se seksizmi dhe gjuha denigruese ndaj grave ishin të ngulitura thellë në politikën shqiptare.

“Kjo është shumë e vështirë, pasi gjuha denigruese shpesh konsiderohet si pjesë normale e politikës — madje edhe nga vetë gratë politikane,” tha ajo duke theksuar se këtë e kishte vënë re gjatë një studimi për dhunën ndaj grave në politikë.

“Gjuha ofenduese apo dhuna në përgjithësi perceptohen si një kosto që duhet paguar për të qenë pjesë e jetës politike,” shtoi Dauti.

Gjatë fushatës së fundit elektorale, kryeministri Edi Rama u apeloi grave dhe i lavdëroi ato, shpeshherë përmes shprehjeve të tipit “Partia Socialiste është grua” apo “Ngjyra rozë është ngjyra e grave dhe vajzave si dhe ngjyra e Partisë Socialiste”.

Por kjo narrativë konsiderohet si “seksizëm i sheqerosur” nga Dauti, e cila theksoi se shprehje të tilla ishin përdorur për të pastruar imazhin e PS gjatë fushatës elektorale për mëkatet e veta të korrupsionit.

Ines Leskaj nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, AWEN, kujton një tjetër episod seksist të fushatës së Ramës, ku ai këshilloi gratë që “të përdorin aftësitë e tyre joshëse”. Në anën tjetër të spektrit politik, edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike,  u denoncua po ashtu për përdorim të gjesteve fyese dhe vulgare.

Leskaj tha se kjo gjuhë e drejtuesve politikë tolerohet. “Toleranca institucionale dhe shoqërore është e pranishme, për shkak të mendësisë se gratë në politikë nuk janë të “fuqishme”,” tha Leskaj.

Edhe  vuri re tolerancë ndaj gjuhës denigruese gjatë monitorimit të fushatës së fundit.

“Në Shqipëri ka një tolerancë institucionale dhe shoqërore ndaj gjuhës denigruese, si ndaj grave ashtu edhe burrave në politikë. Kjo ndodh për disa arsye, përfshirë mungesën e mekanizmave efektivë për të adresuar dhe ndëshkuar sjellje të tilla, si dhe normat kulturore dhe stereotipet gjinore të rrënjosura thellë në shoqëri,” tha organizata në përgjigje me shkrim.

Pabarazia në garë

 (Tyli), deputete e Partisë Demokratike prej vitit 2017, e humbi garën në Tiranë në zgjedhjet e fundit. Ajo thotë se fakti që ishte grua u përdor taktikisht për t’ia “trembur” votuesit.

“Ka shumë raste që takoja votues dhe pas meje takonin burra kandidatë të listës së hapur dhe influenconin votën kundër meje me argumentin që është grua”, tha Çupi. Sipas saj, diskriminimi pozitiv në ligj u përdor në krah të kundërt, për t’i bindur votuesit se gratë kishin vetëm një në tre vende dhe se një grua nuk do të dilte dot deputete.

Çupi thotë se ajo u diskriminua edhe nga forca e vet politike dhe u braktis gjatë fushatës në favor të burrave që ishin pjesë e garës. “Nga partia kam marrë zero mbështetje. Asnjë mbështetje. Përkundrazi ka patur raste kur lidershipi ka influencuar votën për kandidatët preferencialë,” tha ajo.

Kandidate të tjera ndërkohë vunë në dukje se gara ishte e pabarabartë. Sidomos në zonat rurale dhe qyteza ku gratë përfshihen pak në politikë dhe të takon të shohësh shpesh takime kandidatesh në prani vetëm të burrave.

“Në përgjithësi, shoqëria shqiptare është maskiliste dhe vëmendjen më të madhe e zënë burrat”, tha kandidatja Lindita Metaliaj, e cila garoi në listën e hapur të Partisë Demokratike në Lezhë.

Kandidatet e intervistuara vunë në dukje gjithashtu disbalancën financiare dhe vështirësitë për të ngritur fonde.

“[Kishte] Burra biznesmenë në garë, që shpenzimet i kishin të pakrahasueshme me buxhetin tim”, tha Çupi.

“Ngritja e fondeve për fushata elektorale është një nga vështirësitë më të mëdha që gratë kanë në krahasim me burrat, aq më tepër në kontekstin kulturor shqiptar,” tha Gjylameti nga Partia Socialiste, e cila kërkoi të kishte ndryshime ligjore në këtë pikë.

Sulmet seksiste dhe denigruese në rrjetet sociale apo gjuha e përdorur në media janë pengesa shtesë mbi këto pabarazi, të cilat në thelb duan t’i trembin dhe largojnë gratë nga politika. Për kandidate si Ina Majko, vështirësi të tilla të bëjnë të humbësh edhe besimin.

“Vajzat e gratë kur përfshihen në politikë nuk i besojnë dot më asnjë burri,” tha Majko, ndërsa shtoi se edhe një foto e pafajshme mund të kthehet në një mundësi për të të targetuar. “Kjo është e frikshme!”.

Reporter al

Video

Pas operacionit të zhvilluar sot në Elbasan, 30 personat e arrestuar janë nisur me autobus drejt qelive të paraburgimit në Tiranë. Ata do të qëndrojnë aty deri në përfundim të hetimeve.

?Kryeministri i Spanjës shpall embargo të plotë armësh ndaj Izraelit dhe e cilëson sulmet ndaj palestinezëve si ‘gjenocid’ "Ajo që po bën Izraeli nuk është vetëmbrojtje," por "shfarosje e një populli të pambrojtur dhe shkelje e ligjeve të së drejtës humanitare." Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka njoftuar sanksione të reja për të frenuar “gjenocidin” që po ndodh në Gaza. Ky hap i ri (jo një ndryshim drejtimi, duke marrë parasysh rolin që luan Spanja në dënimin e veprimeve të Izraelit) është si në aspektin narrativ — tani edhe qeveria spanjolle flet hapur për “gjenocid” — ashtu edhe në aspektin praktik, me kreun e qeverisë që ka njoftuar miratimin e afërt të një dekreti që formalizon atë që në praktikë ishte në zbatim prej kohësh: embargo të plotë për blerjen dhe shitjen e armëve me Izraelin. Përveç kësaj, lideri socialist ka shpallur edhe tetë masa të tjera. Ndërhyrja e Sánchez filloi duke kujtuar “vuajtjen” e popullit hebre, Holokaustin dhe “persekutimet” ndaj tij gjatë historisë, duke ritheksuar gjithashtu dënimin ndaj Hamasit. Por “me të njëjtën bindje, qeveria e Spanjës beson se një gjë është të mbrosh vendin tënd dhe një tjetër, krejt ndryshe, është të bombardosh spitale dhe të vrasësh nga uria fëmijë të pafajshëm. Kjo” — shtoi ai gjatë një konference për shtyp në Moncloa, parlamentin e Madridit — “është një sulm i pajustifikueshëm kundër popullsisë civile, të cilin raportuesi i Kombeve të Bashkuara e përkufizon si gjenocid. 60 mijë të vdekur, dy milionë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, gjysma prej të cilëve fëmijë.” Më pas ai kritikoi hezitimin e disa vendeve evropiane, si Italia, të cilat ende nuk kanë vendosur embargo për armët apo nuk janë shprehur në favor të njohjes së shtetit të Palestinës, një propozim që Madridi e ka përqafuar i pari në Evropë: “Fuqi të mëdha përfundojnë të bllokuara mes indiferencës dhe bashkëfajësisë.”

Një masiv pyjor në zonën e Bushtricës, Kukës, u përfshi nga flakët mesditën e sotme. Për shuarjen e zjarrit u angazhuan rreth 60 punonjës nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë Kukës, administrata e pyjeve, shërbimet publike dhe policia bashkiake, të mbështetur edhe nga grupe vullnetarësh. Burime bëjnë të ditur se terreni i vështirë nuk ka lejuar ndërhyrjen me automjete zjarrfikëse, megjithatë punonjësit në terren po vijojnë punën intensive për izolimin e vatrës.

Momenti i arrestimit të Rakip Gilës nga policia. Pasi kreu masakrën me dy të vrarë dhe dy të plagosur, ai u largua në këmbë për afro 300 metra në drejtim të Urës së Trenit. Atje ka grabitur një automjet duke i vënë armën në kokë drejtuesit të makinës. Në tentativë për të ikur ka bërë një aksident në zonën e Sarreqit. Ai u prangos poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir. Në ngjarje mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa Erogen Vaso (Brajoviq) dhe Meri Kaceri u plagosën.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme