
- Aktivistët Olsi Nika dhe Besjana Guri: Çmimi prestigjioz ndërkombëtar si një motivim të ri për të vazhduar fushatën e tyre për të shpëtuar një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës.
Pas 12 vitesh fushate për të mbrojtur lumin Vjosë, një nga lumenjtë e fundit “të egër” në Evropë – lumenj që mbeten kryesisht të paprekur nga zhvillimi – aktivistët shqiptarë Olsi Nika dhe Besjana Guri fituan këtë muaj çmimin Goldman, një çmim prestigjioz në botën mjedisore. Ata u vlerësuan për suksesin e tyre në ushtrimin e presionit mbi qeverinë e Shqipërisë për të miratuar legjislacionin që e shpall lumin Vjosë dhe zonën përreth tij Park Kombëtar në vitin 2023, duke i ofruar atij më shumë mbrojtje nga zhvillimi dhe dëmtimi mjedisor. Që nga suksesi i tyre në vitin 2023, Nika dhe Guri kanë monitoruar zbatimin e legjislacionit dhe kanë punuar me shkencëtarë ndërkombëtarë që e vizitojnë çdo vit për ta studiuar lumin, i cili rrjedh për rreth 272 kilometra drejt Detit Adriatik – 80 kilometra përmes Greqisë dhe pjesa tjetër përmes Shqipërisë. Në një intervistë për BIRN, Nika dhe Guri thanë se çmimi ishte një vlerësim i madh për punën e tyre për ta ruajtur këtë lumë. “Ishte një surprizë e madhe… Në fillim nuk e kuptova rëndësinë e çmimit kur zbulova se unë dhe Olsi ishim fituesit për vitin 2025”, tha Guri. “Kjo vërtetoi se përpjekjet tona nuk kanë mbetur të padukshme”, shtoi ajo. Nika tha se e shihte atë si “një motivim për të punuar edhe më shumë”. “Është gjithashtu një përgjegjësi që nuk drejtohet vetëm ndaj nesh, por edhe ndaj Shqipërisë, ndaj qeverisë”, shtoi ai. Ata shpjeguan se që kur nisën fushatën e tyre më shumë se një dekadë më parë, ata janë përballur me një sërë sfidash. E para ishte mobilizimi i publikut kundër hidrocentraleve që do të ndërtoheshin në lumin Vjosë, të cilët në atë kohë kishin mbështetjen e qeverisë, publikut dhe komuniteteve lokale, të cilët i shihnin ato si të mira për vende pune. “Dymbëdhjetë vjet më parë, ne lançuam publikisht fushatën për mbrojtjen e Vjosës. Fushata është pjesë e fushatave më të gjera ballkanike, të tilla si Shpëtoni Zemrën Blu të Evropës, e cila u iniciua nga dy organizata ndërkombëtare, River Ëatch dhe EuroNature”, tha Guri. “Pasi kryen një studim mbi gjendjen e lumenjve në Ballkan, duke i krahasuar ato me Evropën, ata vunë re se lumenjtë e fundit të paprekur janë ende në Ballkan”, vazhdoi ajo. “Vjosa është një nga lumenjtë e mëdhenj të egër dhe meriton vëmendje maksimale për ta mbrojtur atë. Ndërsa ne punojmë në Shqipëri për Vjosën, partnerët tanë të tjerë në vendet e tjera të Ballkanit punojnë për mbrojtjen e lumenjve të tyre.” Guri shpjegoi se ekspertët e shohin Vjosën si një lloj “laboratori në natyrë”. “Shkencëtarë nga e gjithë Evropa vijnë dy deri në tre herë në vit për të kryer studime… dhe kanë gjetur specie që janë zhdukur në lumenj të tjerë për shkak të digave ose për shkak të ndërhyrjeve që janë bërë. Është një vend kaq interesant nga pikëpamja shkencore dhe nuk është i rëndësishëm vetëm për Shqipërinë”, shtoi ajo. “Sfida më e madhe ishte të kundërshtohej ndërtimi i digave në një kohë kur digat ishin… një trend dhe kishin mbështetje politike – nga bankat, nga të gjitha politikat e zhvillimit të asaj kohe, por edhe nga shoqëria, e cila po vuante nga një krizë e madhe energjetike. Digat shiheshin si një zgjidhje për atë krizë dhe për rimëkëmbjen dhe rritjen ekonomike”, kujtoi Nika. “Ishte e vështirë t’u afroheshe politikëbërësve, publikut dhe komuniteteve lokale sepse ata e shihnin ndërtimin e digave si një mundësi punësimi”, shtoi ai. Nika gjithashtu vuri në dukje sfidat më të fundit rreth shpalljes së Parkut Kombëtar në vitin 2023, siç është mënyra se si do të përcaktoheshin kufijtë e zonës së mbrojtur dhe si do të menaxhohej ajo. “Ne propozuam ndryshime ligjore për të garantuar një administrim autonom vetëm për Parkun e Vjosës që do ta bënte menaxhimin e sotëm realitet”, tha ai duke vënë në dukje se këto ndryshime u miratuan më pas si legjislacion. Lumi është ende në rrezik Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e shpalli Vjosën dhe tokën përreth saj Park Kombëtar të mbrojtur me ligj në mars të vitit 2023. Të pyetur nëse ky status garanton që lumi nuk do të preket në të ardhmen, Nika dhe Guri thanë se ligji ofron shpresë, por fushata për mbrojtjen e tij nuk ka mbaruar. Nika argumentoi se ligji aktual i Shqipërisë për zonat e mbrojtura është i gabuar, prandaj ata e kanë kundërshtuar atë; ligji tani është në Gjykatën Kushtetuese. “Shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do ta shfuqizojë ligjin, ose të paktën ato nene që nuk garantojnë mbrojtjen e zonave të mbrojtura, sepse përkundrazi, ato i hapin ato ndaj ndryshimeve, dhe Vjosa nuk është imune ndaj kësaj. Resortet me pesë yje mund të ndërtohen ende në Vjosë”, paralajmëroi ai. “Por të paktën ligji aktual parashikon që në Parkun Kombëtar nuk mund të ndërtohen hidrocentrale.” “Pra, ekziston mbrojtje ligjore. Por mbrojtja efektive është çështje e vullnetit të qeverisë. Më në fund, pas 12 vitesh, qeveria… e shpalli atë Park Kombëtar. Por e njëjta qeveri mund ta ndryshojë vizionin dhe qasjen e saj, ndoshta pas zgjedhjeve… ose një qeveri tjetër mundet ta bëjë këtë.” Kjo do të thotë që për Nikën dhe Gurin, fushata duhet të vazhdojë. “Si aktivistë dhe si pjesë e shoqërisë civile, kemi detyrë të jemi vigjilentë”, përfundoi Nika.