Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të nënshkruhet gjatë ditës së sotme, duke rritur pritshmëritë për një zbutje të tensioneve mes dy vendeve.
Edhe pse Trump ka pohuar edhe më herët se një marrëveshje ishte pranë, këtë herë optimizmi duket të mbështetet edhe nga deklaratat e zyrtarëve iranianë. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Aragchi, ka lënë të kuptohet se negociatat po shkojnë drejt një përfundimi pozitiv, ndërsa Pakistani, i cili ka luajtur rolin e ndërmjetësit, ka bërë të ditur se marrëveshja mund të finalizohet së shpejti.
Sipas Trump, marrëveshja do të ketë në qendër parandalimin e zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani. Në një postim në platformën e tij Truth Social, ai deklaroi se marrëveshja e re do të krijojë “një mur pa armë bërthamore”, duke e dalluar atë nga marrëveshja e arritur gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama.
Presidenti amerikan sugjeroi gjithashtu se marrëveshja mund të hapë rrugën për trajtimin e çështjes së uraniumit të pasuruar që Irani zotëron ende, megjithëse nuk dha detaje konkrete mbi mënyrën se si do të realizohej një proces i tillë.
Një tjetër element kyç i marrëveshjes, sipas Trump, është rihapja e menjëhershme e Ngushticës së Hormuzit për transportin ndërkombëtar detar. Rruga ujore, e cila ka një rëndësi strategjike për tregtinë globale të naftës dhe gazit, është kthyer në një pikë të nxehtë të tensioneve në rajon.
Trump theksoi gjithashtu se marrëveshja nuk do të përfshijë pagesa të drejtpërdrejta për Iranin, ndërsa paralajmëroi se, nëse bisedimet dështojnë, ekziston edhe ajo që ai e quajti “alternativa përfundimtare”, pa dhënë më shumë detaje mbi këtë deklaratë.
Pavarësisht toneve optimiste nga të dyja palët, mbetet për t’u parë nëse negociatat do të përfundojnë me një marrëveshje konkrete që do të shënonte një kthesë të rëndësishme në marrëdhëniet SHBA-Iran.






















