Qytetarët zviceranë i drejtohen sot kutive të votimit për të vendosur mbi një nga çështjet më të debatueshme të viteve të fundit: Kufizimin e popullsisë së përhershme të vendit në 10 milionë banorë deri në vitin 2050.
Iniciativa popullore, e njohur si “Jo një Zvicre me 10 milionë banorë” ose “Iniciativa për Qëndrueshmëri”, është propozuar nga Partia Popullore Zvicerane (SVP). Mbështetësit e saj argumentojnë se rritja e shpejtë demografike po ushtron presion të madh mbi tregun e banesave, infrastrukturën, trafikun dhe shërbimet publike.
Sipas propozimit, nëse popullsia e Zvicrës arrin në 9.5 milionë banorë, autoritetet do të duhet të ndërmarrin masa për të frenuar rritjen, veçanërisht në fushat e azilit dhe bashkimit familjar.
Nga ana tjetër, qeveria federale, partitë kryesore politike dhe përfaqësues të biznesit kundërshtojnë nismën, duke paralajmëruar se kufizimet e reja mund të dëmtojnë ekonominë dhe të përkeqësojnë mungesën e fuqisë punëtore në sektorë të rëndësishëm si shëndetësia, teknologjia dhe industria farmaceutike.






















