Opinion 6 Qershor 2025, 17:48 Nga VNA

Nga Spaçi në Cinecittà – Kujtesa me suva

Ndaje në Whatsapp
Nga Spaçi në Cinecittà – Kujtesa me suva

Nga Doriana Musai

Është absurde, cinike dhe thellësisht fyese që sot, në vitin 2025, të detyrohemi të mbrojmë Spaçin nga një film. Jo nga harresa, jo nga erozioni natyror, por nga artwashing-u institucional që e përdor artin si mbulesë për të shkelur çdo parim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Të ndërhysh mbi muret e një kampi torture për hir të një filmi, është njësoj si të suvatosh Koloseumin për “Gladiatorin” apo të lysh celulat e Auschwitzit për të bërë një dramë “më realiste”.

Që të jemi të qartë, kjo nuk është “ndërhyrje konservuese” siç pretendohet nga qeveria. Është një formë dhune e re mbi kujtesën, që tenton ta zëvendësojë autenticitetin me estetikë. Këtë e bëjnë ata që nuk kanë as guxim, dhe qartësiht nuk duan, të përballen me të kaluarën. Sidomos, kur në pushtet ndodhet e njëjta parti që mban përgjegjësinë historike për ato krime, trashëgimtare direkte e Partisë së Punës, skenari që po luhet është qartësisht shpëlarje e krimeve të padënuara.

Spaçi nuk ka nevojë për efekte speciale, por për respekt. Muret e tij janë të shenjta, të mbuluara me vuajtje dhe rezistencë. Të lyhesh e të rikrijosh “atmosferën” me skenografi është të bësh skenë një vend krimi, të fshish pluhurin e së vërtetës për t’i bërë vend iluzionit. Të mbulosh Spaçin me suva është si të mbulosh një plagë për ta bërë më fotozhenike. Kujtesa nuk rilyhet. Kujtesa ruhet. Dhe më e pakta që i detyrohemi atyre që vuajtën atje, është të mos i përdorim si dekor.

Në këtë kontekst, reagimi zyrtar i MEKI-it, është më shumë se i cekët – është përçmues. Hedh poshtë çdo kritikë si “aludim” apo “keqdashësi”, ndërkohë që vetë ndërhyrja kryhet pa transparencë, pa proces të hapur, pa respekt për rregullat minimale të restaurimit.

Ky reagim e përbuz dhimbjen e njerëzve që kanë kaluar nëpër ferr, dhe tenton të neutralizojë politikisht një ngjarje që është thellësisht morale dhe historike. Është i përshkuar nga një logjikë mosndëshkimi, ku edhe e kaluara manipulohet për të mbajtur të paprekur pushtetin e sotëm.

Spaçi nuk është kartolinë. Nuk është sfond për art me buxhet shtetëror. Është një vend ku njerëzit kanë humbur jetën, dinjitetin, lirinë. Të gjithë ata që nuk kanë pasur zë, kanë lënë gjurmë. T’i mbulosh me suva, për të bërë një film, nuk është nderim – është fshirje e asaj që nuk u dënua kurrë.

Dhe për këtë arsye, çdo ndërhyrje e tillë është një vazhdimësi e heshtur e dhunës – jo në trup, por në kujtesë. Dhe kjo është edhe më e rrezikshme.

Nuk bëhet film mbi krimin, duke mbuluar gjurmët e krimit.

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme