Opinion 25 Maj 2025, 18:35 Nga VNA

Stabilitet pa demokraci: estetika e autokracisë moderne dhe konformizmi perëndimor në Shqipëri

Ndaje në Whatsapp
Stabilitet pa demokraci: estetika e autokracisë moderne dhe konformizmi

Opinion nga Neli Demi

Në një Shqipëri të përfshirë nga pasiguria ekonomike, dëshpërimi social dhe rënia e besimit te politika, prania e Giro d’Italia dhe një samiti europian në zemër të fushatës elektorale të majit 2025 krijuan një paradoks të thellë. Nga njëra anë, këto evente projektuan një Shqipëri që mirëpret botën me buzëqeshje dhe organizim europian. Nga ana tjetër, krijuan ndjesinë e një vendi të zbukuruar për turistë dhe diplomatë, ndërsa realiteti i brendshëm mbetet i zymtë për qytetarët e zakonshëm.

Ky nuk është një episod i izoluar. Është pjesë e një strategjie të qëndrueshme të pushtetit: të përqendrojë vëmendjen te imazhi, spektakli dhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të shpërbëjë dalëngadalë hapësirat e demokracisë reale.

Nga përmbajtja te paraqitja: transformimi i pushtetit në performancë

Edi Rama ka ndërtuar një model të ri autokracie që nuk mbështetet më në brutalitet të hapur apo shtypje të dhunshme, por në kontroll simbolik dhe kulturor. Ai është artisti që e njeh fuqinë e pamjes, regjisori që kupton rëndësinë e skenografisë. Në vend të institucioneve të forta, ndërton imazhe të forta. Në vend të debatit të hapur, prodhon spektakël. Dhe në vend të transparencës, krijon mjegull përmes estetizimit të realitetit.

Ky model, që mund të quhej “autokraci estetike”, është më i rafinuar dhe më i pranueshëm për partnerët ndërkombëtarë se sa format brutale të së kaluarës. Liderët europianë nuk shohin më një politikan ballkanik me retorikë nacionaliste dhe sjellje të paqëndrueshme. Ata shohin një koleg të qetë, që flet në gjuhën e tyre, përdor referenca kulturore të ngjashme dhe ofron siguri në bashkëpunim.

Konformizmi i Europës: paqe në kurriz të demokracisë

Europa nuk është më ideali moral që ishte dikur. Përballë krizave të njëpasnjëshme nga migracioni, energjisë, luftës në Ukrainë, rritja e ekstremizmit të djathtë, ajo është bërë më cinike dhe më pragmatiste. Në këtë kontekst, ajo kërkon partnerë “të menaxhueshëm”, jo domosdoshmërisht demokratikë.

Në Shqipëri, ky konformizëm përkthehet në tolerimin e shkeljeve të rënda të standardeve demokratike për hir të stabilitetit të jashtëm. Raportet kritike të BE-së, OSBE-së apo DASH-it ekzistojnë, por nuk shoqërohen me pasoja reale. Përkundrazi, ato mbulohen me vizita diplomatike, samite, maratona dhe aktivitete ndërkombëtare që krijojnë perceptimin e një “shteti që funksionon”.

Ky është një mesazh i qartë për qytetarin shqiptar: demokracia nuk është më kriter, por luks. Dhe për sa kohë që nuk prodhon kaos të eksportueshëm, Shqipëria mund të mbetet një demokraci e simuluar, e menaxhuar përmes spektaklit dhe miratuar në heshtje nga të jashtmit.

Psikologjia e spektatorit: ndjesia e braktisjes dhe humbja e përfaqësimit

Në këtë skenë të politizuar, qytetari shqiptar është i ftuar vetëm si spektator. Ai sheh evente që nuk e përfaqësojnë, liderë që nuk e dëgjojnë, dhe media që nuk flasin për të. Ndjenja e të qenit i padukshëm dhe i braktisur prodhon një formë të heshtur depresioni kolektiv: tërheqje nga pjesëmarrja, mospërfillje për votën, mungesë besimi në ndryshim.

Në këtë kuptim, spektakli politik nuk është më vetëm një mjet propagande po është shëndrruar në një armë për të mbytur ndjesinë e agjencisë tek qytetari. Është mënyra me të cilën pushteti thotë: “kemi nën kontroll gjithçka që nga imazhi që sheh bota, deri tek mendimin që ke ti.”

Çfarë mund të bëhet?

Denoncimi i këtij realiteti nuk duhet të vijë nga viktimizimi, por nga përgjegjësia. Shqipëria nuk ka përse të zgjedhë mes stabilitetit të rremë dhe kaosit. Ka mundësi për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm mbi institucione reale, debat të lirë, ndarje pushtetesh dhe drejtësi të pavarur.

Kjo kërkon që aktorët e brendshëm si opozita, media, shoqëria civile dhe çdo zë i pavarur, të mos bëhen pjesë e skenarëve të regjisë qeveritare, por të mbrojnë hapësirat e realitetit dhe të fjalës së lirë.

Dhe Europa, nëse dëshiron të mos humbasë legjitimitetin e saj moral në Ballkan, duhet të vendosë qartë: a është aleate e qytetarit apo bashkëpunëtore e pushtetit?

Sepse në fund, Shqipëria nuk ka nevojë për një shfaqje të madhe, por për një ndërtim të vërtetë.

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme